Sarandë/ Dyshime se krye bashkiaku Oltion Çaçi, inskenoi djegien e “Bar Butrinti”: Do ndërtohet kullë!

Spread the love

Godina në sipërfaqen 2000 m2 nuk ekziston më; por prokuroria do bëjë raport hetimor, duke deklaruar shkëndijën elektrike si shkak të zjarrit; ndërsa punëtorët e Bashkisë do pastrojnë mbetjet, që klientët e Bablokut ta kenë gati për kullë në qendër të Sarandës përballë detit…

Kur Edi Rama, katapultoi Oltion Çaçin për kryetar Bashkie në Sarandë, “Pamfleti” paralajmëroi, se ai ishte përzgjedhur nga mafia e ndërtimit dhe një pronar mediash të lidhur me të e me Bablokun, si “kukull” që do sajojë e firmosë, grabitjen e trojeve publike për ndërtim kullash e hotelesh.

Në listën e zezë, mafia e kullave futi dhe ndërtesën historike të ish-Konsullatës Italiane, ndërtuar në vitin 1924, pronë e Bashkisë në qendër të Sarandës, e njohur si “Bar Lulishte “Butrinti”.

Pas marrjes së detyrës në qershor 2023, kryetari Oltion Çaçi gjeti gati fondin 100 mijë Euro për rikonstruksionin e kësaj godine të rrallë si histori e arkitekturë, por e la të degradonte më tepër.

Tre herë, krye-bashkiaku Oltion Çaçi ka bërë plan ta rrafshonte këtë godinë, duke e cilësuar “Gërmadhë që shëmton qendrën e Sarandës”, por pas presionit publik e të këshilltarëve të opozitës, u tërhoq, por nuk hoqi dorë nga skenari për ta rrafshuar.

Më 5 prill 2024, në mes të ditës e pa asnjë shenjë tymi, godina “Bar Lulishte Butrinti” në Sarandë u përfshi nga flakët e mëdha të zjarrit, njëkohësisht në të gjithë ndërtesën dhe mjediset e jashtme, duke krijuar bindjen se ishte spërkatur e gjitha me benzinë.

Hetimi paraprak, ka konstatuar indicien e parë, se djegia e godinës “Bar Lulishte Butrinti” në Sarandë është inskenuar nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, me porosi e garanci paprekshmërie te “Divani” qeveritar e mediatik në Tiranë.

Kësaj indicie, që edhe pa bërë fare hetime, provon se djegia e godinës ishte e porositur, i bashkëngjitet fakti që ekipi zjarrfikës në vartësi të Bashkisë-Sarandë që ndodhet 400 metër larg, shkoi atje 1 orë pas rënies së zjarrit megjithëse mori dhjetëra njoftime për flakët.

Që djegia e godinës ka qenë skenar i krye-bashkiakut ndërtues Oltion Çaçi, vërtetohet dhe nga fakti, që ekipi i zjarrfikës, përveçse shkoi me 1 orë vonesë, shkoi të shuante zjarrin vetëm me 1 tub llastiku me seksion nga ato që vaditen lulishtet, por dhe pa sasinë e duhur të ujit e pa pajisjet auto-shkallë, ndërsa shefat e bashkisë nuk reaguan fare.

Për të shuar zërat që po qarkullojnë në Sarandë, madje dhe brenda bashkisë nën zë; se djegia e godinës historike ishte skenar i porositur nga krye-bashkiaku Oltion Çaçi, i cili, ende pa u shuar zjarri shkarkoi shefin e zjarrfikëses, Vladimir Kondi.

E shkarkoi për “Mos kryerje të detyrës”; kur detyra që kishte marrë, ishte të shkonte pasi zjarri të përfshinte gjithë godinën e ta linte të digjej, pastaj të shkonte me zorrën e vaditjes së luleve.

Tashmë, godina me sipërfaqe totale ndërtim e park 2000 m2 nuk ekziston më. Prokuroria do bëjë raport hetimor, duke deklaruar shkëndijën elektrike si shkak të zjarrit; ndërsa punëtorët e Bashkisë, me urdhër të kryetar Oltionit, do pastrojnë mbetjet e godinës së djegur, që klientët e Bablokut ta kenë sheshin gati për kullë në qendër të Sarandës përballë detit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *