Çfarë rrezikon të sjellë tensioni i lartë midis Kosovës dhe Serbisë

Spread the love

Çfarë ka ndërmend të bëjë Serbia

Ditët e Marrëveshjeve të Ohrit, kur një sezon i ri i dialogut dhe fqinjësisë së mirë dukej se po lindte mes Kosovës dhe Serbisë pas konflikteve të hidhura që rezultuan nga pakënaqësitë që nuk u qetësuan kurrë pas luftës në ish-Jugosllavi, duken tani vite dritë larg.

Regjistrimi i porsa nisur i popullsisë në Kosovë u shoqërua me bojkotin e menjëhershëm nga pala serbe, duke treguar një situatë gjithnjë e më të zymtë. Partia kryesore serbe, Lista Srpska, ka vendosur që ta pengojë këtë proces në veri. Dhe kjo në një kohë kur një prokuror serb kërkon burg për vrasjet e kryera nga 9 ushtarë të ish-ushtrisë jugosllave në 4 fshatra të Kosovës rreth qytetit të Pejës në pranverën e vitit 1999.

Zhvillimet në Kosovë

“Populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rremë të popullsisë”- paralajmërojnë nga partia Lista Serbe, sipas së cilës kjo nismë e qeverisë së Prishtinës dëshiron që të konfirmojë “suksesin e akteve të saj të turpshme që synojnë dëbimin e serbëve”.

Një qëndrim i tillë vjen pas ndalimit të përdorimit të dinarit serb në veri të Kosovës, një vendim i kundërshtuar ashpër nga Beogradi, sepse sipas tij do të sillte pasoja sociale serioze  mbi kushtet e përgjithshme të popullatës serbe në Kosovë. Edhe një takim i organizuar dy ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së nuk arriti dot një marrëveshje mbi këtë çështje.

Ndërkohë, rajoni verior rebel po afrohet gradualisht me qasjen e Prishtinës, duke sjellë për pasojë edhe distancimin nga institucionet serbe. Në thelb është futur në krizë i gjithë sistemi i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Cili është qëndrimi i BE-së

Shqetësim mbi këtë situatë ka shprehur edhe Peter Stano, zëdhënës i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, sipas të cilit pritshmëria kryesore e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë dhe Kosovës është që të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen për të cilën të dy kanë rënë dakord para më shumë se një viti.

“Në rast se ata dështojnë ose vazhdojnë të dështojnë në zbatimin e asaj mbi të cilën është rënë dakord, kjo do të ketë pasoja të rënda”- tha Stano. Beogradi këmbëngul në konceptin e autonomisë serbe, të cilin Kosova e quan Asociacion, pasi synon që të ketë një organ minimal në territorin e tij me një rol thjesht koordinues për komunat që do të ishin pjesë e tij.

Çfarë ka ndërmend të bëjë Serbia

Edhe për këtë arsye, presidenti serb Aleksandar Vucic duhet të marrë pjesë në takimet e Kombeve të Bashkuara me në fokus Kosovën dhe Srebrenicën në Nju Jork. Në fakt, më 22 prill sesioni periodik i Këshillit të Sigurimit do të fokusohet në raportin e fundit të UNMIK-ut, misionit të OKB-së në Kosovë.

Ndërkohë, po merr formë edhe ekipi serb që do të merret me fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe që do të udhëhiqet nga Ministri i Jashtëm serb në largim, Ivica Dacic, së bashku me drejtorin e Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkovic.

Ekipi, i ngritur me kërkesën e drejtpërdrejtë të Vucic, do të përbëhet edhe nga përfaqësues të tjerë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Asambleja Kombëtare, me disa ministra si Tanja Miscevic, Ministre për Integrimin Evropian dhe Tomislav Momirovic i Tregtisë.

Skenarët

Mjerisht shqetësues në Ballkan nuk është vetëm konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por edhe situata në Bosnje Hercegovinë e cila mund të jetë baza e kryengritjeve popullore të reja dhe të rrezikshme.

Dhe pasoja e parë do të ishte një kaos i ri, pikërisht në kohën kur kanë nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një hap që Italia e konsideroi si “historik”. Qeveria italiane ka shprehur prej kohësh kënaqësinë e madhe për hapjen e negociatave, edhe sepse me këtë vendim Bashkimi Evropian i dërgon një mesazh të qartë jo vetëm Sarajevës, por gjithë Ballkanit Perëndimor.

“Është një hap i madh përpara, në atë që ne e quajmë ribashkim”- thuhet në deklaratën e saj zyrtare. Kryeministri hungarez Viktor Orban vizitoi së fundmi Bosnjen duke premtuar ta mbështesë hyrjen e saj në BE “sa më shpejt të jetë e mundur”, pra sapo Hungaria të marrë presidencën e Këshillit Evropian në korrik.

Ai u prit në një takim të veçantë nga kryeministrja boshnjake Borjana Kristo. Më pas Orban vizitoi Banja Lukën, ku foli me presidentin pro-rus të entitetit serb të vendit, Republika Srpska, Milorad Dodik. Ky i fundit i dha kryeministrit hungarez gjerdanin e Urdhrit të Republikës Srpska.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *