Pas Ilir Beqajt, radha e Frida Krifcës? SPAK “qep” letrat edhe për aferën e IPARD, alarm te AZHBR

Spread the love

SPAK ka sekuestruar shumë dokumente dhe të dhëna, teksa në dispozicion i është vënë një dosje shumë voluminoze nga OLAF, ku tregohen me detaje se si janë përvetësuar fondet për bujqësinë…

Kontrollet e SPAK te banesa dhe disa biznese të lidhur ame Ilir Beqajn, por dhe shtrirja e hetimit te agjencia që merret me fondet e BE, ka shkaktuar tërmet te AZHBR.

Futja e SPAK te fondet e ndërkombëtarëve ka alarmuar ish-ministren Frida Krifca dhe ish-vartësit e tij, pasi shumë shpejt pritet të hapen letrat për aferën me fondet e IPARD, aferë që është shumë më e rëndë se ajo e shpërdorimit të fondeve nga Beqaj.

Sipas burimeve, SPAK ka sekuestruar shumë dokumente dhe të dhëna, teksa në dispozicion i është vënë një dosje shumë voluminoze nga OLAF, ku tregohen me detaje se si janë përvetësuar fondet për bujqësinë.

Ajo dosje ka dëshmi dhe fakte konkrete. Sipas burimeve, njësoj si me Beqajn, po hetohet gjithë zinxhiri që ka pasur në dorë fondet IPARD dhe personi më i rrezikuar është Frida Krifca, e cila në atë kohë mbante postin e kryetares së AZHBR.

Zhvillimi i hetimeve është konfirmuar dhe nga SPAK. Te regjistri i transparencës, SPAK i ka kthyer përgjigje një qytetari të interesuar mbi këtë çështje. “Lidhur me pyetjen tuaj për shpërndarjen e fondeve të programit IPARD nga AZHBR, ju bëjmë me dije se Prokuroria e Posaçme po zhvillon hetime”, shprehet SPAK.

Sa i takon zbulimit të skandalit, mësohet se 5 përfaqësues të OLAF në datën 15 shkurt 2021 kanë zbarkuar befas në zyrat e AZHBR dhe kanë njoftuar se do të kryejnë auditim. Ata kanë sekuestruar dosje, kompjuterë dhe madje celularë, kjo pasi ka pasur shumë denoncime në adresë të tyre se kishte abuzime me fondet. Ata kanë qëndruar aty deri në datën 19 shkurt dhe kanë shqyrtuar çdo dokument, file dhe të dhëna sa i takon shpërndarjes së fondeve IPARD.

Dyshimet kryesore në atë kohë drejtoheshin mbi stafin e zyrës juridike dhe asaj të auditimit. Madje, ata kanë marrë në pyeteje në mënyrë zyrtare dhe jo zyrtare shumë punonjës të AZHBR, mbi informacionet që kishin për denoncime që fermerë të ndryshëm kanë bërë në lidhje me 15-20 % të vlerave të disbursuara të skemave IPARD që pretendohej se u janë kërkuar/paguar funksionarëve të lartë në AZHBR.

Ata kanë pasur një listë me rreth 50 subjekte përfituese dhe sipas tyre të konfirmuara, por të mbajtura sekret sepse abuzuesit konsideroheshin si punonjës me mbështetje dhe lidhje shumë të forta politike.

Punonjësit u pyetën sidomos edhe për raportet politike të drejtorisë juridike, dhe asaj të auditimit me drejtoreshën e asaj kohe Frida Krifca, sot ministre e Bujqësisë. Informacioni i siguruar, nga punonjësit, si dhe ai i disa punonjësve të larguar nga puna disa kohë më parë, mbi lidhjet dhe funksionimin e skemës, ka qenë shumë i dobishëm për të kuptuar më mirë rrethanat. Ata zbuluan se ishin shumë individë dhe agjenci që ishin kthyer në ndërmjetës për të marrë shërbimet e AZHBR. Nëse kthehemi pak javë më pas, një vajzë u arrestua sepse u kishte zhvatur biznesmenëve dhe fermerëve shuma të mëdha parash duke premtuar fonde nga AZHBR.

Mësohet se këto të dhëna janë në dorë të SPAK dhe duket se pas Ilir Beqajt, radhën do të ketë Frida Krifca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *