Rreziku që vjen prej zgjedhjeve në Amerikë

Spread the love

Nëse Joe Biden fiton sërish në nëntor, disa shtete do të shkëputen nga Uashingtoni

Ka lindur në Athinë, është i biri i Donald Kagan, një historian i shquar, ekspert në historinë e Luftës së Peloponezit. Por Robert Kagan nuk ndoqi rrugën e babait të tij. Ai ka punuar për shumë vite në Departamentin e Shtetit nën administratën e Ronald Reagan, si shkrues fjalimesh për Sekretarin e atëhershëm të Shtetit George P.Shultz dhe pjesëtar i stafit të planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit.

Rreziku që vjen prej zgjedhjeve në Amerikë

Robert Kagan /

Aktualisht është anëtar i Institutit Brookings dhe analist i rregullt për Washington Post. Pak ditë më parë ai mori pjesë në Forumin Ekonomik Delphi në Athinë ku foli për demokracinë amerikane, dilemat e Perëndimit dhe luftën në Ukrainë.

Në librin tuaj të famshëm të kohëve të fundit ju argumentoni se është rikthyer sërish në skenën globale, duke paraqitur një kërcënim serioz për të gjithë sistemin liberal të pasluftës. A jeni vërtet të shqetësuar për këtë tani, sidomos duke marrë parasysh ngjarje si ato në Ukrainë dhe ngritjen e Kinës?

Po, kaosi është rikthyer. Ne kemi jetuar një epokë të jashtëzakonshme në historinë njerëzore ku janë respektuar demokracia dhe të drejtat individuale, dhe kemi pasur një pasuri të jashtëzakonshme ekonomike që shtrihet nga shekulli XX-të deri në ditët e sotme. Bota ka përjetuar një periudhë të gjatë paqeje sa i përket konflikteve të mëdha midis kombeve të fuqishme.

Por është mirë të kujtojmë që kjo është një rrethanë e rrallë në histori. Xhungla është gjithmonë aty pranë, pasi qeniet njerëzore bien shpejt pre e impulseve të tyre. Ndonëse e vlerësojnë lirinë, u pëlqejnë edhe gjëra të tjera. Gjithsesi nuk është e thënë që do të biem viktimë e saj.

Sepse struktura bazë e sistemit ndërkombëtar në të cilin ne kemi jetuar gjatë disa dekadave të fundit mbetet e paprekur. Por shumë gjëra do të varen nga zhvillimet në Ukrainë, nga zgjedhjet që do të bëhen në Azinë Lindore. Tani për tani, mendoj se është e mundur të ruhet “kopshti” që kemi krijuar. Por kjo kërkon punë, një solidaritet të vërtetë, mjerisht edhe luftë, pasi kjo botë u krijua nga lufta dhe do të ndryshojë me luftë.

Pra, a mendoni se lufta është e pashmangshme, për shembull me Kinën?

Nuk mendoj se është e pashmangshme. Natyrisht, do të ketë presione dhe tensione të vazhdueshëm në varësi të kursit që vendos të marrë Kina, por gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara. Unë besoj se Kina mund të frenohet me sukses nëse njerëzit që duhet ta pengojnë  janë të vendosur ta bëjnë këtë.

Po ashtu, besoj se Kina mund të inkurajohet të lëvizë në drejtim të rritjes së pasurisë së saj, të mirëqenies së popullit të saj, dhe ndoshta të dekurajohet nga një lloj dëshire e vjetër për sa më shumë territore që ajo mendon se janë të sajat.

Kur shqyrtojmë situatën në Ukrainë, është vërtet e vështirë të shihet se si ajo mund ta fitojë këtë luftë…

Luftërat janë të paparashikueshme, ashtu siç janë edhe politikat mbi to. Tani për tani Ukraina nuk ka atë që i duhet për ta vazhduar luftën e saj, për të mbajtur atë që tashmë ka. Putin e ka kthyer Rusinë në një shtet ushtarak. Por unë pyes veten se sa kohë mund të vazhdojë kështu.

Nga ana tjetër çfarë do të thotë fitore? Nuk do të spekuloj nëse Ukraina duhet të pranojë

të lëshojë Donbasin. Mund të flasim për lojëra fundore, por tani për tani duhet t’i japim Ukrainës një shans për të qëndruar në këmbë. Sepse në një moment të caktuar, edhe Rusia gjithashtu duhet të marrë parasysh koston që po përballon, jetët e panumërta të prekura prej saj. Nuk e di nëse mund ta vazhdojnë pafundësisht këtë luftë.

Nëse Trump fiton, a parashikoni një ndryshim të rëndësishëm në drejtim të politikës ndaj Rusisë dhe Ukrainës?

Po. Synimet e Trump janë shumë të qarta: Ukraina duhet të përmbushë kërkesat e Rusisë. Nuk e di nëse ai e kupton se me Rusinë, me Putinin, çdo marrëveshje është vetëm një pauzë, nuk është fundi i historisë. Është momenti kur Putin konsolidon forcat përpara se të bëjë lëvizjen e tij të radhës. Problemi është se Trump nuk ka ndonjë bindje specifike, ndaj së cilës të jetë plotësisht i përkushtuar. Për të çdo gjë është transaksionale. Gjithçka ka të bëjë me paratë.

Kush mendoni se do të fitojë në nëntor?

Preferoj fitoren e Biden. Por jam i shqetësuar sepse shoh shanse të mëdha për një fitore të Trump. Dhe unë mendoj se nëse kjo ndodh, do të jetë një ngjarje me përmasa apokaliptike.

Nëse fiton Trump, a shihni ndonjë potencial për përplasje civile? Dhe nëse Biden fiton me një shumicë shumë të ngushtë, a e shihni ju potencialin për luftë civile?

Unë mendoj se nëse Biden fiton me një diferencë të vogël, 3 apo 4 për qind, Trump do ta shpallë procesin të manipuluar, siç bëri edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara, përfshirë ato që fitoi në 2016. Dhe atëherë pyetja është, çfarë do të bëjë Partia Republikane?

Duke pasur parasysh kontrollin e Trump mbi të, republikanët ka të ngjarë të mbështesin tezën e tij. Kjo mund të çojë në skenarë të ndryshëm, njëri prej të cilëve është shkëputja nga Uashingtoni, veçanërisht në shtetet me shumicë republikane si Teksasi, ku tashmë ka një farë mase një politikë-bërje të pavarur.

Nuk është e paimagjinueshme që guvernatorët dhe ligjvënësit në këto shtete të refuzojnë ta njohin legjitimitetin e qeverisë federale. Çfarë do të thotë kjo? Qeveria federale mund të kundërpërgjigjet duke ndërprerë fondet apo marrë masa të tjera. Por është e pasigurt se si Biden do ta trajtonte një situatë të tillë. Kjo mund të çojë në një situatë shumë të pasigurt dhe potencialisht të paqëndrueshme, duke përfshirë mundësinë e një konfederate shtetesh republikane që refuzojnë ta njohin autoritetin federal.

Dhe SHBA-ja ka qenë më parë në një situatë të tillë…

Sigurisht. Gjatë shekullit XIX-të, ka pasur në mënyrë të përsëritur kërcënime ose përpjekje për shkëputje, shumë prej të cilave u kundërshtuan vetëm me kërcënimin apo përdorimin e forcës. Për shembull, Andrew Jackson kërcënoi se do të dërgonte ushtrinë në Karolinën e Jugut. Dhe Eisenhower dërgoi trupa në Little Rock në Arkansas.

Nëse anketoni amerikanët, një numër i konsiderueshëm i tyre, nga të dyja partitë, janë të hapur ndaj idesë së shkëputjes. Pra, në varësi të mënyrës sesi Trump sillet nëse fiton, edhe shtetet demokratike mund të marrin në konsideratë sfidimin e veprimeve të tij nëse i perceptojnë ato si jokushtetuese.

Duket se mendoni se SHBA do të përjetojë një tjetër ngjarje si ajo e 6 janarit 2021?

Unë nuk jam i sigurt se do të ketë një sulm tjetër në Capitol Hill. Shtetet e Bashkuara janë një vend shumë i armatosur, dhe janë shtuar rastet e dhunës politike. Ka individë dhe grupe të interesuar të përfshihen në akte të tilla. Ata që morën pjesë në sulmin e 6 janarit, veçanërisht ish-ushtarakët, mendonin se po luftonin për vendin e tyre.

Lëvizja Trump e ka përvetësuar patriotizmin. Shumë nga këto grupime e shohin veten si pjesë të një tradite që daton që nga koha e revolucionit. Dhe nuk mendoj se ka ndonjë që dyshon nëse do të ketë dhunë. Pasiguria është nëse një dhunë e tillë do të ketë pasoja të rëndësishme.

Çfarë ndodh nëse Trump dënohet para zgjedhjeve apo menjëherë pas tyre?

Ai nuk do të dënohet pas zgjedhjeve. Këtë po e synon edhe Gjykata e Lartë. Ajo nuk dëshiron të marrë një vendim. Ata shpresojnë që të merren të tjerët me të. Por kjo çështje nuk ishte menduar të trajtohej në gjykatë. Grekët kishin një metodë për t’u marrë me njerëzit që supozohej se përbënin kërcënim për demokracinë athinase, ishte Ostracizmi.

Në SHBA ekziston procesi i fajësimit (impeachment) që në njëfarë mënyre është i ngjashëm. Pra, ne kishim një metodë për t’u përballur me një person si Trump dhe senatorët republikanë, veçanërisht ata si Mitch Mcconnell dhe figura të tjera të respektuara, patën shansin ta pengonin Donald Trump të garonte sërish. Dhe ata dështuan sepse ishin frikacakë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *