FBI interesohet për dosjen “Isa Çopa”; shefi i SHISH që e dogjën më 24 tetor 2011 në Durrës

Spread the love

Për të shkuar te e vërteta e këtij krimi, thuhet se agjentët e FBI dhe BKH, do marrin në pyetje një biznesmen të skeduar si porositës, 1 nga 3 ekzekutorët që ka mbetur gjallë, drejtues policie, ekspertë kriminalistike e prokurorë që janë marrë me këtë dosje… 

SPAK dhe ekspertë të FBI që janë atashuar brenda tij, kanë si pjesë e orientimit të hetimeve për krimet e rënda, të lëna pezull e të mbyllura “pa autorë”, me urdhër të kupolës shtetërore të kohës kur kanë ndodhur e të kupolës shtetërore pasardhëse që ka urdhëruar lënien në harresë.

Sipas një informacioni konfidencial nga BKH, “Pamfleti” ka mësuar se SPAK, me nxitje të ekipit të FBI, ka filluar të interesohet për të vërtetën e dosjes “Isa Çopa”, ish-Zv.drejtorit të SHISH-Durrës, që më 24 tetor 2011 u gjend i djegur brenda makinës së tij te Currilat.

Pas 4 vitesh hetime, policia, prokuroria dhe vetë SHISH që është niveli sipëror i gjurmimit e zbulimit të krimeve, i vunë kapak bashkërisht dhe lanë në harresë, vrasjen e drejtuesit rajonal të shërbimit të inteligjencës shqiptare, megjithëse kishin shumë indicie e 6 prova të forta.

Por, ngaqë indiciet e provat, çuan te ekzekutorët e drejtuesit të SHISH, Isa Çopa; dhe nëpërmjet tyre, hetuesit dhe agjentët e SHISH, arritën te një klan biznesi i fuqishëm me lidhje pushteti, hetimet ndaluan, devijuan provat dhe u mbyllën pa porositës e ekzekutorë.

Megjithëse kanë kaluar afro 13 vite nga ajo vrasje mafioze, ri-hetimin e dosjes “Isa Copa” e ka kërkuar dhe po e heton ekipi i FBI në bashkëveprim me agjentët e BKH dhe SPAK.

Sepse sipas informacionit që disponon “Pamfleti”, kjo iniciativë ka si motiv, faktin që i ndjeri  Isa Copa, ishte duke kryer gjurmimin e një klani trafiku të madh, të piketuar për goditje nga agjencitë anti- mafie amerikane.

Në atë kohë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Durrësit, mbështetur në provat e mbledhura dhe hetimet e kryera me ekspertë të kriminalistikës, konkluduan se vrasja dhe djegia e drejtuesit të SHISH-Durrës më 24 tetor 2011, nuk ishte vetë-vrasje në makinë.

Por në mars 2015, dosja e hetimit paraprak u përmbys dhe në dosje u fut versioni “Vetë-vrasje e vetë-djegie në makinë, kryer në kushte depresioni për shkak të stresi prej ngarkesës në punë”.

Si argument për këtë version, u përdor mesazhi telefonik, që gjoja i ndjeri Isa Çopa, i kishte dërguar të birit disa minuta para vrasjes, kur ekspertimi morfologjik, stilistikor, dialektor e drejtë shkrimor  i mesazhit të tij, nuk përputhej me tekstet e mesazheve që ai u kishte dërguar në 2 vitet e fundit familjarëve, miqve e kolegëve.

Madje pas kalimit të dosjes të Prokuroria e Krimeve të Rënda më 18 shkurt 2013, nuk u bë as zbardhja e tabulateve të tij për periudhën 6 mujore para vrasjes; sidomos 3 telefonatat e mbrëmjes së 24 tetorit 2011 me 3 numra të ndryshëm, që e rikthyen drejtuesin e SHISH, Isa Çopa te Porti Detar- Durrës, nga banesa në zyrat e SHISH dhe prej andej drejt vendit ku e dogjën.

Sipas të dhënave, 1 nga numrat e telefonit, rezultoi se ishte i një personi të rëndësishëm në Durrës; vërtetuar nga Policia e Anti-krimit dhe Prokuroria e Durrësit, ndërsa 2 numrat e tjerë, ishin numra jo zyrtar, të një eprori të SHISH Qendror e një kolegu të SHISH në Durrës, që kanë lidhje të forta me biznesmenin e skeduar.

Për të shkuar te e vërteta e këtij krimi, thuhet se agjentët e FBI dhe BKH, do marrin në pyetje biznesmenin e dyshuar si porositës; 1 një nga 3 ekzekutorët që ka mbetur gjallë, drejtues policie; ekspertë kriminalistikë e prokurorë që janë marrë me dosjen  “Isa Çopa”.

Fakti, që FBI e SPAK i janë rikthyer hetimit të kësaj dosjeje, krijon bindje, se SHBA do ta zbardhë atë; mbasi vrasja e ish-drejtuesit SHISH, Isa Çopa, ka cenuar interesat e një misioni ndërkombëtar anti- mafie të Drejtësisë Amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *