Jo vetëm burrat: Mijëra gra ruse të burgosura, po dërgohen si “mish për top” në Ukrainë

Spread the love

Kriteri më i rëndësishëm është që e dënuara të mos jetë prekur nga sëmundja HIV-AIDS.

Me synim plotësimin e radhëve të ushtrisë për luftën e vazhdueshme kundër Ukrainës, në vjeshtën e vitit 2023 Ministria ruse e Mbrojtjes nisi të rekrutonte edhe gratë e burgosura nga një burg grash në rajonin e Leningradit. Duke u premtuar para dhe liri, disa gra iu bashkuan menjëherë, duke shpresuar për një lirim të hershëm dhe mundësinë për të parë sërish fëmijët e tyre.

Por 6 muaj pas nënshkrimit të kontratave me ushtrinë, gratë në Institucionin Korrektues Nr. 2 presin ende të dërgohen në front. Dhe disa prej tyre kanë frikë se nuk do të thirren nën armë derisa të kenë vuajtur dënimin e tyre. Gazeta e Shën Petersburgut, “Bumaga”, zbuloi arsyen pse këto gra pranuan të shkonin në luftë dhe çfarë mund të ndodhte me to tani.

Rekrutuesit e ministrisë shkruan në Institucionin Korrektues Nr.2 të paktën dy herë para Vitit të Ri, tregon Maria (emri i ndryshuar), një ish e burgosur. Ajo u lirua nga burgu në fund të shkurtit të këtij viti, pasi kreu më shumë se 1 vit burg për një krim jo të dhunshëm.

Edhe 3 mikeshat e saj në atë burg e konfirmuan përpjekjen për rekrutim në vjeshtë të vitit të kaluar. Sipas Marias, vizita e parë e autoriteteve ushtarake ndodhi diku rreth shtatorit të vitit të kaluar. “Ata ftuan disa qindra gra. Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes na shpjeguan se çfarë donin. Dhe sipas tyre, brenda një viti shërbim në front do të na anulohej dënimi”- kujton më tej gruaja.

Maria shton se grupi i të burgosurave të ftuara për të dëgjuar zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes përfshinte një të burgosur 62-vjeçare, por edhe disa gra që kishin mbetur vetëm disa muaj deri në lirimin e tyre. “Atje kishte gra të akuzuara për të gjitha llojet e krimeve. Nga krime ordinere si vjedhja deri tek ato që vuanin dënimin për vrasje. Me sa duket, listat u përpiluan krejt rastësisht”- shprehet ajo.

Olga Romanova, drejtuese e i organizatës për të drejtat e të burgosurve. Rusia Prapa Hekurave, e konfirmon historinë e Marias. Ajo ishte një nga të parat që raportoi se gratë e burgosura po rekrutoheshin për të marrë pjesë në luftën e Rusisë në Ukrainë. Ajo deklaroi për gazetën “Bumaga” se zakonisht Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e merr fare parasysh ashpërsinë e krimit të një të burgosuri gjatë procesit të përzgjedhjes.

Kriteri më i rëndësishëm është që e dënuara të mos jetë prekur nga sëmundja HIV-AIDS.

Institucioni Korrektues Nr.2 është projektuar për 982 të dënuara, por aktualisht në të gjenden rreth 700 të burgosura. Burime të shumta i thanë gazetës ruse se në fillim të vjeshtës 2023, 30-40 të burgosura nënshkruan kontratat për të shkuar në luftë.

Sipas Romanovës, Rusia e nisi rekrutimin e të burgosurave gra në të vetëshpallurën “Republika Popullore e Donetsk” (DNR) në fillim të vitit 2023. Nga fundi i verës së vitit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes ishte zgjeruar duke rekrutuar edhe në jug të Rusisë. Të afërm të të burgosurve nga Institucioni Korrektues Nr.7 në Lipetsk thanë se gratë e dënuara nënshkruan kontrata 2-vjeçare dhe shkuan në luftë.

Romanova vlerëson se deri në 1000 gra të burgosura janë rekrutuar tashmë në ushtrinë ruse për të luftuar në Ukrainë. Megjithatë, është e vështirë të gjykosh se sa janë dërguar tashmë në front. Në fillim të vitit 2023, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ishte i pari që raportoi se gra të burgosura ruse po transportoheshin në front.

Romanova thotë se në mediat sociale ukrainase ka parë foto të grave të vrara në luftime. “Ato mund të jenë të dënuarat”- mendon ajo. Sipas Marias (ish të burgosurës) dhe një mikeshe të saj, rekrutuesit u ofronin grave në Institucionin Korrektues nr.2 punë si snajperiste dhe infermiere.

Megjithatë, në dijeninë e Romanovës, gratë e burgosura dërgoheshin në vijën e frontit si trupa tokësore. “Ato gënjehen sikur gjoja do të jenë snajperiste. Por për këtë duhet një trajnim i veçantë. Ndaj ato shkojnë si ‘mish për top’. Është e vështirë të thuhet nëse ato i nënshtrohen ndonjë përgatitjeje paraprake. Nuk kam dëgjuar në asnjë rast se trajnohen”- thekson ajo.

Rekrutuesit e Ministrisë së Mbrojtjes u rikthyen në Institucionin Korrektues Nr.2 pak para Vitit të Ri, thanë burimet e gazetës “Bumaga”. Por ato nuk morën asnjë grua me vete. “Ata biseduan me gratë që kishin rënë dakord të nënshkruanin kontrata. Gratë thanë se me vete kishin një djalë, i cili kishte ardhur nga lufta në Ukrainë, i cili kishte qenë më herët i burgosur”- kujton Maria.

“Bumaga” nuk mundi të zbulonte shumën e saktë të parave që iu premtuan grave për t’iu bashkuar luftës. Por Maria thotë se atyre iu tha se do të merrnin “një pagë prej 300.000-400.000 rubla (3.200-4.300 dollarë), dhe më pas një pagë mbi 100.000 (1.100 dollarë në muaj”.

Por mikesha e një të burgosure, na dha shifra të tjera:1 milionë rubla (10.800 dollarë) pagesë paraprake e pasuar nga një rrogë 300.000 rubla (3.200 dollarë) në muaj. “Unë nuk doja të shkoja në luftë. S’dua të rrezikoj jetën time”- thotë Maria që shton: “Shumica e grave ishin kundër vizitës së zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Të gjitha kanë familje, fëmijë. Lufta është punë e burrave dhe jo e grave”.

Maria thotë se gratë që nënshkruan kontratat e rekrutimit kishin arsyet e tyre. Disa u tërhoqën nga shumat e mëdha të parave, disa donin lirim të parakohshëm (për hir të tyre apo të familjeve të tyre). Ndërsa të tjerat donin të dilnin nga burgu, që të mund të rifitonin kujdestarinë e fëmijëve të tyre.

Ministria ruse e Mbrojtjes rekrutoi Irinën (emër i ndryshuar) në vjeshtën e vitit 2023. Një nga miqtë e Irinës tha për gazetën “Bumaga”, se ajo kishte pranuar të nënshkruante kontratën sepse “ajo donte të shlyente dënimin dhe të ktheje tek fëmijët e saj”.

“Ajo ka tre fëmijë dhe kishte frikë se mund të mos ia kthenin pasi të dilte nga burgu. Ndërkohë i dashuri i saj është pjesë e Grupit Vagner, ndaj nuk mendoj se ishte e shqetësuar. Edhe ai shkoi në luftë nga burgu dhe u kthye me një shumë të madhe parash. Kjo ishte një nga arsyet pse donte të shkonte edhe ajo. Tani, i dashuri i saj është rikthyer në frontin e luftës në Ukrainë”- tregon Romanova.

Burimet e “Bumaga” nuk kujtojnë ndonjë rast të të burgosurave gra që janë detyruar të nënshkruajnë kontrata me ushtrinë. Përkundrazi, Romanova thotë se merr mesazhe nga gratë që “duan vërtet të luftojnë”. “Gratë janë shumë të ndjeshme ndaj propagandës. Në burg nuk ka asnjë burim alternativ informacioni. Natyrisht, ideja e faljes së dënimit luan gjithashtu një rol të madh: të përqafojnë më shpejt fëmijët e tyre apo edhe nënat e tyre”- shton ajo.

Deri në fund të shkurtit të këtij viti, gratë e burgosura të rekrutuara nga Institucioni Korrektues Nr. 2 ende nuk ishin dërguar në ushtri, thotë Maria. Arsyen nuk e dinë as të dënuarat dhe as stafi i burgut. Ndërkohë Romanova, thotë se dërgimi i grave në luftë është bërë më i vështirë që nga vjeshta e kaluar, kur Rusia ndryshoi kushtet për të dënuarit që shërbenin në ushtri.

Më parë, si Grupi Vagner po ashtu edhe Ministria e Mbrojtjes u ofronin të dënuarve amnisti dhe kthim në shtëpi pas 6 muajsh shërbimi në front. Tani të dënuarit duhet të shërbejnë deri në fund të luftës, ashtu si të rekrutuarit dhe ushtarët profesionistë.

Në qershorin e vitit 2023, Duma ruse miratoi një projekt-ligj për “lirimin me kusht”, në mënyrë që të përcaktonte më mirë statusin e të dënuarve që shërbejnë në vijën e parë të frontit. Sipas ligjit, të burgosurit rusë që nënshkruajnë një kontratë me Ministrisë së Mbrojtjes dhe janë të mobilizuar, mund të përfitojnë dënime me kusht.

Ndërkohë lirimi zyrtar apo shfuqizimi i dënimit është i mundshëm vetëm nëse i dënuari merr një çmim shtetëror apo lirohet nga ushtria. “Me sa e kuptoj unë, gratë u rekrutuan në shtator 2023, dhe më pas ata nuk dinin çfarë të bënin më me to.”

Tani të gjithë po dërgohen në luftë jo si individë të falur, por si individë të liruar me kusht, dhe lihen atje deri në fund të luftës. Dhe askush nuk e di nëse këto gra duhet të luftojnë sipas rregullave të vjetra apo të reja. Por unë supozoj se gratë do të refuzojnë të luftojnë pafundësisht

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *