Ankimimi i Berishës dhe Malltezit për masat e sigurisë, Apeli i GJKKO cakton gjyqtaren dhe datën e seancës

Spread the love

Gjykata e Posaçme ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit dosjen për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për privatizimin e kompleksit Partizani.

Berisha dhe Malltezi kanë ankimuar masat e tyre të sigurisë, përkatësisht atë të vendimit për bllokimin e pasaportës për ish-kryeministrin dhe arrestin me burg për dhëndrin e tij.

Gjykata e Apelit ka hedhur shortin se kush do të jetë gjyqtarja që do ta shqyrtojë kërkesën e avokatëve mbrojtës të Berishës. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi. Seanca gjyqësore jopublike është caktuar për më datë 20.11.2023, ora 09:00.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 14.11.2023, regjistroi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që më herët GJKKO i ka dërguar një tjetër shkresë Berishës në kryesinë e Kuvendit, ku e njofton atë për lënien në fuqi të masës, detyrim paraqitje.

Dokumenti është protokolluar nga ana e Kuvendit, ndërsa mësohet se ish kryeministrit i është dërguar edhe përmes postës elektronike, email, vetëm faqja e parë e praktikës që GJKKO ka dërguar në Kuvend.

Gjykata ka vendosur ndaj Berishës masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si dhe “Ndalimin për të dalë jashtë vendit”, një akuzë që mbart dënim nga 4 deri në 12 vjet burg, në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish Kompleksit sportiv Partizani.

Akuzat

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’. GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.

Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.

Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *