Investimet Strategjike në Panairin e Klikut, Xhembulla: Tërheqja e turistëve elitarë dhe investitorëve ekselentë përparësi

Spread the love

Forumi i organizuar në panairin ndërkombëtar të Tiranës 2023 nga Klik Ekspo Group, me fokus turizmin, përcaktoi disa prej strategjive të qeverisë shqiptare që synojnë promovimin e Shqipërisë dhe tërheqjen e sa më shumë turistëve.Autenticiteti, rritja e standardeve dhe qëndrueshmëria janë linjat kryesore mbi të cilat po punohet, ishin në fokus të këtij takimi.Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, u ndal më kontretisht te vizioni për investimet strategjike.“Ngritja e qendrës së vizitorëve për Vjosën është një prej tyre, sepse tashmë është shpallur Park Kombëtar dhe është lumi i fundit i egër në Evropë. Ne duam që të krijojmë turizëm të qëndrueshëm gjithëvjetor dule konservuar edhe trashëgimitë natyrore. Ne synojmë të tërheqim në Shqipëri investitorë me ekselencë që do të ofrojnë standarde, duke ofruar subvencione dhe lehtësi fiskale. Për t’iu përgjigjur dinamikave të turizmit po punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor për turizmin dhe po ashtu për strategjitë që duhen ndjekur”, tha Xhembulla.Ndërsa viti 2023 shënoi bum turistësh në vend, me rreth 9 milionë vizitorë, sfidat për vitin e ardhshëm janë disa. Mes turizmit masiv dhe atij elitar, mes ruajtjes së pasurisë e trashëgimisë natyrore dhe përdorimit të imazheve mahnitëse të vendit në funksion të promovimit, ekspertët kërkojnë edhe përmirësimkn e standardeve të akomodimit në struktura hoteliere dhe resorte që u përgjigjen kërkesave të vizitorëve.Drejtoresha e Agjencisë së Turizmit, Zana Çela tha se rritja e numrit të turistëve e ka vënë agjencinë para objektivit të krijimit të një turizmi të qëndrueshëm.“Pyetja që kemi shtruar ka të bëjë me promovimin. Panairet janë të rëndësishme për turizmin e qëndrueshëm dhe për këtë, trend ka qenë marketimi online. Ndaj ne krijuam aplikacion TEA – Turism Events in Albania që ka pasur 25 mijë shkarkime nga 76 vende të botës. TEA është një kalendar kombëtar eventesh. Përveç lokacioneve natyrore, eventeve kulturore e artistike që njoftohen në aplikacion për gjithë Shqipërinë, vitin e ardhshëm do të ketë krah eventeve edhe sugjerime të strukturave hoteliere që turistët të shtojnë ditët e qëndrimit në vend”, sqaroi Çela.Ajo përmendi edhe konkursin e fotografisë mbi Shqipërinë turistike, ku kanë marrë pjesë 7800 punime nga 42 vende dhe që promovon vendin, duke shpallur 36 aplikantë ambasadorë të Shqipërisë turistike.Zak Topuzi, kreu i Shoqatës Shqiptare të Hotelierëve, tha se ka nevojë për më shumë struktura akomoduese, sidomos ato të cilësisë së lartë për turizëm elitar. Duke kërkuar të bëhemi gati për turizmin kinez, ai tha se segmentet që lidhin qendrën me veriun do të jenë të rëndësishme, sepse 60% e turistëve vijnë në zonën Golem-Velipojë dhe mes tyre shumica janë shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *