Vrasja e ish-efektivit të antidrogës pas përplasjes mes fiseve Çapja dhe Mema në Elbasan, ekstradohet nga Britania Donald Hoxha; si ndodhi krimi

Spread the love

34-vjeçari, i akuzuar për vrasje me paramendim, fshihej në Londër ku u arrestua nga autoritetet britanike më 17 Janar të këtij viti.

Donald Hoxha, i dënuar për vrasjen e ish-efektivit Roland Rexhepi rreth 15 vite më parë, është ekstraduar nga Britania e Madhe.

34-vjeçari, i akuzuar për vrasje me paramendim, fshihej në Londër ku u arrestua nga autoritetet britanike më 17 Janar të këtij viti.

Donald Hoxha akuzohet se në datën 22 korrik 2009 në qytetin e Elbasanit në bashkëpunim me shtetasit Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, kanë vrarë me arme zjarri ish-efektivin Roland Rexhepin.

Ish-efektivi, i njohur ndryshe edhe si “Doda” u ekzekutua me dy armë tip kallashnikov mëngjesin e 22 korrikut pranë banesës së tij teksa po shkonte te parkingu ku kishte makinën.

“U ekstradua në Shqipëri: -nga Mbretëria e Bashkuar, shtetasi D. H., 34 vjeç. Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 21.01.2024, i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi në vitin 2009, në Elbasan, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, dyshohet se ka vrarë shtetasin R. R.”, raportoi policia.

Ekzekutimi i Roland Rexhepit në Elbasan

Donald Hoxha akuzohet si njëri nga autorët e vrasjes së Roland Rexhepi, ngjarje e ndodhur më datë 22.07.2009, në Elbasan.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 22 korrik 2009 në lagjen Vullnetari në Elbasan, ku ish-punonjësi i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë Elbasan, mbeti i vrarë pas disa të shtënave me armë. Rexhepi është ekzekutuar sapo ka dalë nga pallati i tij, duke ju drejtuar garazhit për të marrë makinën dhe larguar në punë.

Në këtë moment i është afruar me motor “Zong-Zhung” njëri nga autorët e krimit, Armando Llakaj, i cili ka hapur zjarr në drejtim të Rexhepit duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje të rëndë që erdhi si rezultat i përplasjes mes grupit të Çapjave dhe familjes Mema në Elbasan, dy prokurorët e Elbasanit Milan Laskaj dhe Ritvan Suka, mundën të sigurojnë prova dhe arrestojnë Marjus Tafën dhe Armando Llakajn.

Të dy këta persona konsideroheshin në 2009 si njerëz të afërm të familjes Çapja, ndërsa tashmë janë dënuar me 24 dhe 23 vite burgim, ku vijojnë të vuajnë dënimin në burgun e Peqinit.

Ndërkohë, pas 12 vite nga kjo ngjarje Prokuroria ka mundur të identifikojë dhe t’i komunikojë arrestin Florind Shabanit, njërit nga bashkëpuntorët në këtë vrasje. Identifikimi i Shabanit është kryer duke analizuar një profil AND-je që është gjendur në një kapuç dhe një bisht cigare. Ky profil ka dalë i njëjtë me atë që ka dhe Florind Shabani.

Ndërsa sot në Londër është arrestuar edhe Hoxha, i cili ka bashkëpunuar në vrasjen e Rexhepit.

Vrasja e Ilir Rexhepit, vëllait të ish efektivit të antidrogës

Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit.

Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.

Edhe kjo vrasje mbeti enigmë për vite të tëra, derisa në qershor të këtij viti autoritetet shpallën në kërkim shtetasin Mihal alias MirgenToshi, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Toshi është i dyshuari kryesor për krimin e ndodhur, ndërsa mbetet ende mister kush e porositi vrasjen.

Vrasja e ish-efektivit të antikrimit nisi kalvarin e ekzekutimeve në Elbasan

Ekzekutimi i ish-efektivit të antikrimit Roland Rexhepi nisi kalvarin e gjatë të ekzekutimeve në qytetin e Elbasanit. Disa prej vrasjeve ende nuk janë zbardhur sot e kësaj dite. Ndërkohë që disa ekzekutime kanë tanimë autorë, ende nuk janë zbardhur se kush i porositi këto vrasje të ndodhura nga përplasjet mes grupeve kriminale.

Si autor i kësaj ngjarjeje u dyshua fillimisht Bledar Muça, i cili u largua jashtë Shqipërisë menjëherë pas krimit, megjithëse ndaj tij nuk pati asnjëherë një akuzë zyrtare nga prokuroria lokale.

Bledar Muça u kthye në Shqipëri dy vite më vonë, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura se ishte ai pas vrasjes së Rexhepit. Tre vjet më vonë, Muça do të ishte objektiv i një atentati në afërsi të Gjykatës së Elbasanit.

Muça ndodhej në makinë me Florenc Çapjen kur një breshëri automatiku është derdhur mbi ta. Nga atentati mbeti e plagosur edhe një efektive policie, e cila ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. Të paktën 29 gëzhoja u gjetën në vendngjarje, por jo autori i krimit, i cili u zhduk pa gjurmë edhe pse zona ishte tejet e populluar në ato momente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *