Kërkoi lirinë në Gjykatën e Lartë, shtyhet gjyqi për biznesmenin Pëllumb Gjoka

Spread the love

Teksa sot ishte parashikuar që sot të kishte seancë, gjyqi për biznesmenin Pëllumb Gjoken dhe shoferin e tij, ku kërkohej zëvendësimi i masës, është shtyrë për një ditë tjetër.

Biznesmeni në dhjetor të 2023  dhe personat e tjerë të arrestuar në kuadër të operacionit Metamorfoza kërkuan lirinë në Gjykatën e Lartë.

Gjoka, Edmond Preka, Ardrit Hasanbegaj, Xhevahir Lita dhe Oltian Bistri bënë rekurs për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Posaçme që i mbylli në qeli.

SPAK po i  heton ata për akuza të ndryshme nga vrasja, te përgatitja e atentateve në Tiranë e Shkodër, si dhe korrupsion e shpërdorim detyre.

Pëllumb Gjoka është arrestuar si pjesë e një grupi kriminal pas zbërthimit të komunikimeve në SKY ECC, ishte shpallur edhe investitor strategjik, ndërkohë i janë sekuestruar 390 mijë metra katrorë tokë në plazhin e Velipojës me kërkesë të SPAK.

SPAK ka ngritur dyshimet se këto sipërfaqe toke janë përfituar përmes falsifikimit.

Kush është Pëllumb Gjoka?

Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, është një biznesmen i shpallur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama “investitor strategjik” me një projekt që planifikonte investimin e 52 milionë eurove në një  zonë të virgjër në plazhin e Velipojës në Shkodër, në shkëmbim të së cilit, shteti shqiptar angazhonte burimet e taksapaguesve për të siguruar furnizim me ujë, drita, kanalizime e shërbime të tjera publike. Por një dosje hetimore e ardhur nga Franca në drejtësinë shqiptare, bëri që Gjoka, pronar hotelesh në Shkodër e në Tiranë, të arrestohej si figurë kyçe e një grupi të krimit të organizuar, përgjegjës për vrasje dhe porositje atentatesh si dhe për korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë.

Pëllumb Gjoka është pronar i disa kompanive me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera. Por gjatë kohës që autoritetet publike, përfshirë Këshillin e Ministrave, ishin duke punuar ethshëm në shërbim të investitorit strategjik, Gjoka dyshohet se ka qenë duke urdhëruar vrasje.

Mbi të aktualisht rëndon akuza “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Sipas njoftimit të policisë, kjo akuzë lidhet me vrasjen në 9 gusht 2020 të shtetasit Gj. N. (B.). Ai akuzohet gjithashtu edhe për dy raste të veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” si dhe për korrupsion aktiv të prokurorit.

Anëtarët e grupit akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikës, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *