Si zhvendosen miliarda para të pista në aeroportet më të mëdha të botës

Spread the love

Shumica e aeroporteve në mbarë botën, duke përfshirë edhe ato në SHBA, nuk skanojnë bagazhet e pasagjerëve për të gjurmuar paratë, pasi kjo është një procedurë e kushtueshme në pajisje dhe personel. Nga ana tjetër vendet ku të gjitha paratë janë të mirëpritura, nuk kanë asnjë detyrim të raportojnë për valixhet e mbushura me para të gatshme që vijnë nga jashtë.

Në gushtin e vitit 2020, Jo-Emma Larvin po tërhiqte një karrocë të mbushur me valixhe në aeroportin Heathrow të Londrës. Pasi mbërriti në sportelin përkatës ia dorëzoi pasaportën një agjenti të linjës ajrore Emirates Airline për një fluturim drejt Dubait.

Larvin po udhëtonte në biznes klas me një grua tjetër, dhe së bashku ato vendosën 7 valixhe të rënda në linjën automatike të transportit. Ajo shkëmbeu në këtë kohë disa mesazhe me të dashurin e saj. “A ndihesh mirë?”- e pyeti ai. “Po”- iu përgjigj Larvin. Valixhet mbanin paund britanik me vlerë miliona dollarë të mbështjellë me llastiqe gome dhe të paketuara në qese plastike.

Paratë shkonin tek një pastrues ndërkombëtar parash, i cili u kërkonte në këmbim klientëve të tij një tarifë të lartë për të shkëmbyer paratë në dorë me ar apo monedha të tjera. Rruga e tij e preferuar ishte për në Dubai nga Heathrow, përkatësisht aeroporti i partë dhe i dytë me ngarkesën më të madhe në botë për pasagjerët ndërkombëtarë.

Britania e Madhe kërkon që pasagjerët t’`i tregojnë autoriteteve doganore nëse po largohen nga vendi me më shumë se 10.000 dollarë. Por Larvin nuk e bëri, duke rrezikuar arrestimin. Shtatë valixhet hynë në sistemin e trajtimit të bagazheve të Heathrow dhe kaluan përmes një skaneri 3-D që kontrollonte vetëm për eksplozivë dhe sende të tjera potencialisht të rrezikshme.

Të nesërmen në mëngjes, të dyja gratë morën sërish valixhet e tyre në Dubai pa hasur shumë probleme: Në Emiratet e Bashkuara Arabe lejohet të futet çdo sasi parash, mjafton që të deklarohet zyrtarisht. Gratë ndoqën tabelat në doganë dhe u thanë autoriteteve se me vete kishin një shumë paundësh të barabartë me 2.8 milionë dollarë.

Shumica e aeroporteve në mbarë botën, duke përfshirë edhe ato në SHBA, nuk skanojnë bagazhet e pasagjerëve për të gjurmuar paratë, pasi kjo është një procedurë e kushtueshme në pajisje dhe personel. Nga ana tjetër vendet ku të gjitha paratë janë të mirëpritura, nuk kanë asnjë detyrim të raportojnë për valixhet e mbushura me para të gatshme që vijnë nga jashtë.

Nën këtë mjedis miliarda dollarë para të gatshme, largohen nga Britania drejt vendeve me më pak rregulla, thonë zyrtarët e zbatimit të ligjit. Sipas vlerësimeve, pastruesit e parave futin çdo vit në sistemet financiare globale më shumë se 2 trilionë dollarë të ardhura nga sipërmarrjet ilegale. Vetëm pasagjerët e linjave ndërkombëtarë, ka të ngjarë të transportojnë qindra miliarda dollarë në para të gatshme, sipas të dhënave që ka Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin dhe Task Forca e Veprimit Financiar, një agjenci ndërqeveritare që zhvillon standarde kundër pastrimit të parave për vendet.

Një nga arsye e kësaj kontrabande të madhe ajrore, është se ndëshkimi dhe skandalet mbi klientët e përfshirë në pastrim parash, kanë nxitur shumë banka në mbarë botën të raportojnë transaksione të dyshimta. “Sot nuk mund të hysh në një bankë me shumë para nëpër duar, pa u shenjuar si i dyshimtë. Me siguri do të arrestohesh në degën tjetër”- thotë  George Voloshin, nga ACAMS, një institut për profesionistët e luftës kundër krimit financiar.

Një zëdhënës i qeverisë britanike na tha se zyrtarët në doganë bëjnë maksimumin për të ndalur kontrabandën, teksa një zëdhënës i aeroportit Heathrow nuk pranoi të komentojë mbi pajisjet dhe praktikat e sigurisë. Ndërkohë zëdhënësi i kompanisë Emirates Airline tha se rasti në fjalë është përgjegjësi e autoriteteve prej nga ku i nisën paratë.

Një zyrtar i Emirateve të Bashkuara Arabe tha se po punohet për të luftuar flukset e paligjshme financiare, duke përfshirë ndarjen e të dhënave konfidenciale mes autoriteteve dhe operacionet e përbashkëta me Mbretërinë e Bashkuar. Zyrtarët dhe grupet e industrisë ajrore, thanë se kontrabandimi i parave të gatshme përmes linjave të tyre ajrore përbën një rrezik relativisht të ulët për njerëzit e angazhuar në këtë punë.

Larvin dhe i dashuri i saj ishin në mesin e dhjetëra kontrabandistëve të dyshuar që punonin për një pastrues parash nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Autoritetet besojnë se ata transportuan në total 125 milionë dollarë, kryesisht nga korriku deri në tetor 2020.

“Po si dreqin ia dolën të kalojnë kaq shumë para në një kohë kaq të shkurtër?”- pyet Ian Truby, hetues në Agjencinë Kombëtare të Krimeve të Mbretërisë së Bashkuar. Një nga përgjigjet që ai jep është fakti se siguria e aeroportit nuk është për zbulimin e krimit por vetëm për sigurinë e fluturimeve.

Vetëm 3 javë më vonë, Larvin u nis për në Heathrow me të dashurin e saj dhe disa miliona dollarë të tjerë para të shpërndara në 8 valixhe. I dashuri i saj ishte i shqetësuar se mos tërhiqte vëmendjen me aq shumë bagazhe. Kjo histori bazohet në dokumente dhe prova të lëshuara nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, dosje gjyqësore që përfshinin mesazhe me tekst dhe foto, dëshmi gjyqësore nga korrierët e parave, si dhe intervista me hetues dhe njerëz të njohur me çështjen.

Abdulla Alfalasi nisi të kontrabadonte para nga Heathrow në Dubai rreth vitit 2017. Ai e zgjeroi aktivitetin gjatë pandemisë. Në Ditën e Vitit të Ri 2020, Alfalasi u largua nga Heathrow me 11 çanta, me peshë totale 210 kg, dhe raportoi në Dubai 850.000 dollarë.

Ai i tregoi një ish-kolegu se kishte lidhje me familjen mbretërore. Vjehrri i tij drejtonte doganën e aeroportit të Dubait që prej kohës kur ai ishte thjeshtë një kapanon me një tavolinë. Si drejtor i përgjithshëm i aviacionit, ai e shndërroi këtë aeroport në një qendër globale.

Po atë muaj, Alfalasi i dërgoi mesazhe Michelle Clarke, një asistenteje ekzekutive në një kompani të madhe, e cila synonte të zhvendosej në Dubai me fëmijët dhe bashkëshortin e saj, një ish-futbollist profesionist. Alfalasi i dërgoi asaj një biletë për një fluturim natën nga Heathrow në Dubai, dhe për t’u kthyer në të njëjtën ditë.

Ajo kishte në celular foton e një letre që e autorizonte të mbante paratë për një kompani në pronësi të Alfalasit. Kur mbërriti në Dubai, Alfalasi e udhëzoi atë në mesazhe me tekst dhe mesazhe zanore për të raportuar paratë në një zyrë të aeroportit dhe i tha se po priste jashtë.

Ajo udhëtoi edhe 3 herë të tjera në shkurt 2020 dhe Alfalasi rekrutoi më pas korrierë të tjerë.

Në korrik 2020, Clarke i dërgoi mesazh një mikeshe, duke i thënë asaj se i duheshin 12 persona për të punuar. Kriteret e punës: Mos fol me njeri, beso dhe ji i besueshëm dhe i përshtatshëm për punën!!!”. Një mik e vuri Clarke në kontakt me Larvin, duke thënë se Clarke punonte për ambasadën e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gratë u takuan për një kafe. Clarke i tregoi Larvin certifikatat e vulosura që do të mbante si korriere dokumentesh dhe i ofroi 3000 paund, ose rreth 3.750 dollarë, për transportin e valixheve. Po ashtu, Clarke do të paguante që Larkin të qëndronte në një resort derisa të kthehej në shtëpi me çantat bosh.

Por në tetor 2020, dy gra të tjera nuk qenë dhe aq me fat. Ato u morën në pyetje në Heathrow nga oficerët e Forcave Kufitare. Njëra nga gratë u tha atyre se kishte marrë 5 valixhe me rroba për në Dubai, pasi nuk ishte e sigurt se çfarë të vishte. Valixhet u shkarkuan nga avioni. Ato përmbanin gati 2 milionë paund apo rreth 2.4 milionë dollarë.

Përveç arrestimit të 2 grave, autoritetet identifikuan nga kamerat një grua tjetër, pjesëtare të grupit të kontrabandës. Hetuesit kontrolluan telefonin e njërës prej grave, dhe nga të dhënat që gjetën atje, zbuluan se operacioni i pastrimit të parave të Alfalasit kishte 36 korrierë ndërkombëtarë.

Në dhjetor 2020, Clarke u arrestua me rreth 9 milionë dollarë ar në një avion privat në Zanzibar, në brigjet e Tanzanisë. Autoritetet britanike arrestuan 8 korrierë të tjerë të dyshuar në maj 2021. Shtatë muaj më vonë, Alfalasi vizitoi Londrën me gruan dhe fëmijët e tij. Ai po qëndronte në një apartament në pronësi të familjes së gruas së tij në Belgraviak, kur në derë trokiti policia.

Ai u arrestua dhe iu sekuestruan 3 telefona celularë, nga të cilët u zbardhën detaje të tjera të operacioneve të tij. Alfalasi u deklarua fajtor në qershor 2022 për pastrim parash dhe u dënua me 9 vjet e 7 muaj burg. Clarke është nën hetim në Dubai për pastrim parash.

Tre nga korrierët e tjerë u dënuan me burg dhe një u shpall i pafajshëm. Një korrier që transportoi 5 milionë dollarë në gusht 2020 vrau veten. Autoritetet thanë se telefoni i tij përmbante tekste me detaje rreth operacionit. Larvin dhe Johnson u shpallën fajtorë për pastrim parash vitin e kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *