S’ka liri për ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi dhe dy biznesmenët lihen në burg

Spread the love

Apeli i GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest në burg për Evis Berberin, ish kreun e ARRSH dhe dy biznesmenët, Valter Begaj, dhe Ervis Lami.

Apeli i Posaçëm ka rrëzuar sot ankimimet e bëra nga ish kreu i ARRSH Evis Berberi, Valter Begajt dhe Ervis Lamit, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.

Evis Berberi dhe dy bashkëpunëtorët e tij biznesmenët Ervis Lami dhe Valter Begaj të akuzuar për korrupsion e pastrim parash do të vijojnë të hetohen në masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Berberi, Begaj dhe Lami u arrestuan më 16 mars të ketij viti. Të tre u vendosën në pranga me urdhër të Prokurorisë së Posaccme Antikorrupsion për “shkelje të barazisë në tendera”, “korrupsion pasi” “korrupsion aktiv” dhe për “pastrim parash”.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezultoi se Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë por edhe së fundmi në krye të ARRSH dha gjashtë tendera për kompaninë e ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.

Dy biznesmenët Lami dhe Begaj dyshohet se në bashkëpunim me Berberin, kanë bërë shitje fiktive të kompanisë së ish kreut të ARRSH dhe veprime të tjera fiktive duke bërë të mundur fshehjen e veprës penale të korrupsionit.

Hetimi i SPAK tregon se përfitim ka qenë rreth 2.2 milione euro që u investuan nga kompania “DAAM” shpk, në pasuri të paluajtshme. Paralelisht me këtë hetim, SPAK ka nisur edhe hetim par pasurinë e të tre personave, duke qenë se ata akuzohen për veprën e pastrimit të parave.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 25.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.B., E.L., V.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin për media.

Kush është ish-drejtori i ARSH, Evis Berberi, që riprojekton për herë të disatë të njëjtin studim?

Evis Berberi rezulton pronar me 20 për qind të kapitalit të firmës “DAAM shpk” nga 14 Shtatori 2018 deri më 31 Janar 2019.

Vetë Berberi prej vitesh ka qenë shumë pranë ministres Balluku, si kur ishte drejtues i Prokurimeve në ALBCONTROL në vitet 2013-2019 e më pas edhe Këshilltar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës apo drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, deri më Qershor 2021 kur kaloi në krye të Autoritetit të Rrugëve. Në gjithë këto poste Berberi është “kujdesur” që shumë fonde të shkojnë drejt kompanisë së tij private, “DAAM shpk”.

Sa para deklaron, Evis Berberi në pasurinë e tij?

Më 5 Mars 2019, Evis Berberi ka deklaruar pranë ILDPKI-së pagën nga pozicioni si administrator i shoqërisë “DAAM shpk”. Pagën nga pozicioni i punës si drejtues teknik pranë shoqërisë “Bvaal Engineering shpk”.

Një vit më pas, më 6 Mars 2020, si dhe në vitet në vazhdim, më 31 Mars 2021 dhe 09 Prill 2021, Evis Berberi ka deklaruar në ILDKPI pagën si këshilltar në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Pagë si anëtar Bordi në Institutin e Ndërtimit. Pagë si kryetar i Bordit të Albpetrol. Pagë si anëtar bordi në Autoritetin Portual Durrës.

Po kështu, rezultojnë edhe të ardhura të përfituara nga bashkëshortja si rezultat i kontratës së dhënies së tokës me qira e lidhur me kompaninë BANKERS.

Por, pavarësisht është deklaruar shitja e firmës së tij tregtare, në asnjë nga formularët e mësipërm nuk ekziston asnjë e dhënë për deklarimin e shitjes së kompanisë “Daam shpk”.

Për më tepër, lidhja me drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi me Valter Begajn nuk del vetëm te transaksioni i shitje-blerjes së kompanisë “B – VAAL ENG – 10”, që më vonë iu ndryshua emri në “DAAM”. Nga shtatori 2018-të, kur Evis Berberi bleu kompaninë e Begajt, ai ka punuar në të njëjtën zyrë me të.

Nga të dhënat e QKB-së, veç kompanisë “B-VAAL ENG-10”, Valter Begaj rezulton themelues dhe ende pronar i kompanisë tjetër “B-VAAL ENGINEERING”. Këtë kompani ai e ka themeluar më 28 gusht të 2017-s, tre muaj para se të themelonte kompaninë që më vonë bleu Evis Berberi. Ashtu si “B-VAAL ENG-10”, që ndryshoi emrin në “DAAM”, edhe B-VAAL ENGINEERING” e ndryshon emrin duke u bërë “NET-Group”.

Objekti i të dyja kompanive mbetet i njëjtë, ai i studimit, projektimit dhe supervizimit të veprave inxhinierike. Veç objektit, dy kompanitë rezultojnë me të njëjtën adresë identike. Kompania “NET-Group” e Valter Begajt, tre muaj pasi Evis Berberi u zgjodh drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pra në gusht të 2021 fiton një tender me vlerë rreth 175 mln lek me TVSh për mbikëqyrjen e punimeve në Lotin 7 të Unazës së Madhe.

Veç kësaj, nga të dhënat e publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kompania rezulton fituese edhe për mbikëqyrjen e tre projekteve në Bashkinë e Durrësit me një vlerë totale rreth 10 mln lek.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *