Si u bë Gent Gazheli i Doganave me vilë në Lundër, 4 makina luksoze, apartamente e para cash (do çuditet edhe vetë Babloku)

Spread the love

Emërime nepotike, kriminalizim të degëve doganore, kontrabandë masive, trafik droge, fshehje borxhi etj., janë disa nga bëmat e Genti Gazhelit në krye të Doganave…

Genti Gazheli konsiderohet si një nga ustallarët më të vjetër të doganave në vend. E ka nisur zanatin duke ngritur traun që në vitin 1997. Nga 1997 deri në vitin 2005 dyshohet se bëri disa milionë euro, por gjithnjë është treguar i kujdesshëm për të mos rënë në sy, deri në nëntor 2017, ku për dy ditë, nga Turqia, hodhi themelet e një fshati me vila në Lundër.

Sot, Genti Gazheli posedon disa vila në Lundër (edhe pse në emrin e tij ka vetëm një të tillë 350 m2), posedon disa apartamente me vlerë qindra mijëra euro, 4 makina luksoze etj., me burim sipas tij nga kursimet, ndërsa pasuria e fshehur dyshohet se ka një vlerë miliona euro, e cila shumë shpejt do të ekspozohet në tavolinat e prokurorëve të SPAK-ut.

Fakte konkrete

Në vitin 2003, Gazheli ka deklaruar dy apartamente në Tiranë dhe një makinë benz, me vlerë të deklaruar 30 milionë lekë, me burim sipas tij, nga kursimet.

Kur PS-ja u largua nga pushteti në vitin 2005, Gazheli hapi disa kompani, duke qarkulluar paratë që kishte mbledhur si doganier. Shfrytëzoi lidhjet duke u afruar me Edi Ramën, i cili i besoi financat e PS-së nga viti 2007 deri në vitin 2013.

Në vitin 2013, Gazheli deklaroi një apartament në Tiranë me vlerë 82 mijë USD, një makinë Range Rover me vlerë 67 mijë euro, një Citroen për bashkëshorten, Eda Gazheli, 13 mijë euro, si dhe 47 milionë lekë cash, pra një pasuri me vlerë mbi 200 mijë euro, me burim kursime nga pagat (sipas tij).

Në vitin 2014, Edi Rama, pasi erdhi në pushtet, i besoi Gazhelit drejtimin e Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Gazheli ishte në të njëjtën kohë kryetar Bordi i Qendrës Studentore Kamzë si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Gjatë këtij viti, Gazheli deklaron edhe një makinë tjetër Citroen me vlerë 16 mijë euro. 

 Në vitin 2015, Gazheli rregullon edhe bashkëshorten, Eda Gazheli, në Autoritetin e Aviacionit Civil. Zonja Eda nisi të shkruante artikuj nëpër gazeta se sa të mirë ishin aeroportet nga vendet nordike deri tek vendet afrikane, si dhe të ekspozonte luksin e shfrenuar.

Pasi e ‘udhëhoqi’ luftën kundër pastrimit të parave, ku Shqipëria shumë shpejt u përfshi në listën gri, Edi Rama e emëroi Gazhelin ambasador në Turqi në vitin 2016.

Emisioni investigativ italian “Le Iene” kritikoi ambasadorin për rastin e Alvin Berishës, duke e akuzuar publikisht se nuk i ishte përgjigjur telefonatave të tyre pavarësisht se kishte premtuar ndihmë. Qëndrimet e tij shkaktuan indinjatë në rrjetet sociale duke kërkuar largimin e tij.

U shkarkua nga Rama në vitin 2019 pasi një i besuar i Erdogan sinjalizoi se Gazheli ishte përfshirë në një skandal me implikime erotike, spiunazhi dhe financiare, histori për të cilin do të flasim në vijim.

Vilat në Lundër

Kur ishte Ambasador në Turqi, Gazheli u bë me shpejtësi pronar i një vile me vlerë mbi 1 milionë euro në Lundër.

Kemi të bëjmë me një operacion të pastër pastrimi parash. (Gazheli tashmë ishte i stërvitur. Kishte përvojë si doganier, kontrabandë dhe drejtor i Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave).

Në 22 nëntor të vitit 2017, Genti Gazheli blen 4 275 m2 tokë arë në Lundër, për 100 mijë euro. Një sipërfaqe e tillë nuk blihet pa 500 mijë euro.

Dy ditë para, në 20 nëntor 2017, Gazheli i ka marrë gjoja njërit 100 mijë euro hua, duke bërë një kontratë për të mbuluar paratë e zeza.

Pasi blen tokën, Gazheli ndërhyn tek vendi i duhur, ku e kthen statusin e tokës nga tokë arë në tokë truall.

Më pas lidh një kontratë të dyshuar fiktive me një klientin e tij ndërtues, i lakuar për pastrim parash, ku jep tokën për ndërtim vilash. Nga kjo kontratë, Gazheli fiton një vilë 350 m2.

Vetëm mobilimi i vilës, sipas një sinjalizimi të brendshëm, kushton mbi 500 mijë euro.

Altin Dumani mund të çojë një skuadër të BKH-së të trokasë në vilën e Gazhelit, ku mund të shikojë një panoramë mbresëlënëse pastrimi parash.

Sipas burimeve, të gjitha vilat janë të Genti Gazhelit, i cili bëhet hajduti i parë i Rilindjes me një kompleks vilash. Nëse ministrat dhe drejtorët e tjerë kanë nga 2-3 vila të fshehura në emrin e oligarkëve, Gazheli është sot pronar i një kompleksi vilash, edhe pse në letra rezulton si pronar i vetëm një vile.

Në vitin 2018, Gazheli blen edhe një makinë me vlerë 34 mijë euro, ndërsa më herët kishte investuar 27 mijë euro në një nga apartamentet e tij.

Në 2019, pasi e shkarkon si ambasador në Turqi, Edi Rama e merr Gazhelin si këshilltar në Kryeministri.

Shumë shpejt Rama do ta emëronte Gazhelin në krye të Albpetrol. Do të mjaftonin disa javë që Gazheli të bënte kërdinë në krye të Albpetrol. Për aferat e tij në krye të Albpetrol do të flasim në një shkrim tjetër.

Në shtator 2019, Edi Rama vendosi t’i ‘varte ujkut mëlçitë në qafë’. Emëroi Genti Gazhelin drejtor të Doganave.

Emërime nepotike, kriminalizim të degëve doganore, kontrabandë masive, trafik droge, fshehje borxhi etj., janë disa nga bëmat e Genti Gazhelit në krye të Doganave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *