Për lidhjet e Dedan Gjonit me krimin; SHISH, 6 raporte ministrave Xhafaj, Lleshaj e Çuçi, por ata nuk vepruan

Spread the love

Në vend të arrestohej, nipit të ish- gjyqtarit Gjin Gjoni, nga Inspektor iu dhanë grada “Nën komisar”, “komisar” e “Krye- komisar”, megjithëse SHISH kishte dorëzuar filmime e përgjime ambientale që provonin përfshirjen e tij në trafik droge, shitje armësh, gjoba biznesesh, kontrabandë e dekonspirim aksionesh kur ishte oficer krimesh në Tiranë, Elbasan e Durrës…

Për arrestimin e Shefit të Krimeve të Komisariatit Nr.6, Krye-komisar Dedan Gjoni, SPAK i është referuar vetëm përgjimeve “SKY” në bisedat me grupin “Mata- Germizi- Breçani”, por nëse kërkon në arkivat e SHISH dhe të Ministrisë së Brendshme, do zbulojë prova që faktojnë se ky ka pasur mburojë kupolën kësaj ministrie.

Një informacion i ardhur në “Pamfleti”, bën me dije se oficeri i policisë kriminale Denad Gjoni dhe nip i ish-gjyqtarit të famshëm Gjin Gjoni, ka qenë në skedën e SHISH qysh në vitin 2017, kur ishte inspektor  krimesh i anti-trafikut e anti-kontrabandës në Drejtorinë e Policisë- Durrës.

Nga muaji qershor 2017 e deri në muajin dhjetor 2022, Drejtoria e SHISH, ka dorëzuar te ish-ministrat e Brendshëm Fatmir Xhafaj, Sandër Lleshaj e Bledar Çuçi, 6 raporte konfidenciale, me prova inkriminimi të oficerit Dedan Gjoni.

Përveç të dhënave të mbledhura nga spiunët me pagesë, raportet e SHISH kishin filmime e përgjime ambientale, që provonin përfshirjen e Dedan Gjonit në trafikim droge, porositje, blerje e shitje armësh, gjobë vënie ndaj bizneseve, fshehje krimesh, kontrabandë e shitje aksionesh.

Këto aktivitete kriminale, ai i ka bërë kur ishte oficer krimesh në Tiranë, Elbasan e Durrës, madje në Durrës bashkëpunonte me dy grupet e trafikantëve e kontrabandistëve, të koduar nga SHISH si grupi “Batica” e “Varka”, që vetë policia u kishte krijuar akses brenda Portit Detar dhe te zona e para-kontrollit të kontejnerëve.

Për aktivitetin në Durrës, në 2 raportet e SHISH, thuhet se oficeri Dedan Gjoni, kishte krijuar një qendër te Kryqëzimi i Plepave, ku takohej me kapobandat e botës së krimit; madje vetë Policia e Durrësit i kishte ngarkuar të kishte në plan-shërbimi edhe këtë zonë deri në kufi më Kavajën, ndërsa në Elbasan ndihmonte bandat e Ardian Çapjas e Talo Çelës.

Sipas informacionit, raportet e SHISH te ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, janë dërguar në datën 20 qershor 2017 e 8 shkurt 2018.

Të ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, SHISH ka dërguar vetëm 1 raport në datën 13 maj 2019, ndërsa te ish-ministri Bledar Çuçi, SHISH ka dërguar 3 raporte: në datën 16 prill 2021; në datën 4 nëntor 2022 dhe në datën 10 mars 2023.

Por në vend që për këtë oficer policie, 3 ish-ministrat të urdhëronin Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (ish-SHÇBA) ta hetonte e ta arrestonte; ata shpërfillën provat e SHISH.

Në vend të përjashtohej nga policia e arrestohej, nipit të ish-gjyqtarit Gjin Gjoni iu dhanë gradat “Nën-komisar”, “Komisar” e “Krye-komisar” dhe poste drejtuese e akses të plotë në sistemin TIMS e Databazen e Policisë së Shtetit.

Por operacioni ndërkombëtar, faktoi raportet e SHISH, ndërsa SPAK duhet të zbatojë vetëm një detyrim ligjor: të marrë nën hetim 3 ish-ministrat e Brendshëm Fatmir Xhafaj, Sandër Lleshaj e Bledar Çuçi që nuk vepruan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *