Panairi Klik Ekspo Group, Prof. Kaprata: Rajonet policentrike si zgjidhje për të ardhmen

Spread the love

“25 vite më parë, kur nisa punë në Institutin e Urbanistikës, nisën të ngriheshin shqetësime pse në Tiranë nuk ka parqe e stola. Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, që atëherë propozova modelet policentrike urbane”. Profesor Gentian Kaprata e jep që në krye thelbin e një studimi të gjatë që ndjek udhëtimin e kaosit urban në Shqipëri dhe gjithaq jep zgjidhje për të.

“Modeli demografiko-territorial i tranzicionit shqiptar dhe rajonet policentrike urbane” u morën në shqyrtim nga Kaprata në një forum të mbajtur në kuadër të Panairit Ndërkombëtar Klik Ekspo Group 2023. Forumi solli një shikim të përgjithshëm demografik (migracioni i jashtëm, i brendshëm dhe rritja natyrore e popullsisë) në një dinamikë kohore të ndarë në tre dekada (1990-2001, 2001-2011, 2011-2021) krah dukurive kryesore të tyre.

Nëse në vitin 1991 niveli i urbanizimit në vend ishte 31-36%, 44% në vitin 2001, 53% në vitin 2011 dhe 58% në vitin 2014, të dhënat tregojnë për një nivel të përshpejtuar që kaloi në katër faza.

“Faza e parë karakterizohet nga urbanizimi spontan informal me intensitet, kur u ndërtuan 20 mijë banesa informale deri më 1998; faza e dytë, deri në 2005, pati konsolidim të ndërtimeve informale duke arritur deri në 270 mijë të tilla; faza e tretë deri në 2013, u mor me legalizimet pa arritur t’i kryejë e megjithëse u bë ligj dhe çoi disi në rënie të ndërtimeve informale dhe u konsoliduan ato formale, sërish u numëruan edhe 80 mijë banesa të tjera. Faza e katërt nga 2013 deri sot, karakterizohet nga vijimi i informalitetit, duke numëruar rreth 550 mijë godina/banesa por ku tashmë mbi një grataçelë me leje, ka 7 kate pa leje” tha përmbledhtazi Kaprata, duke vënë në dukje se në 7 vitet e fundit ka pasur 10 mln metër katrorë ndërtime, ose 5 herë më shumë se më 1991.

Por çfarë ka sjellë kjo? Dhe pse ka ardhur kjo? Rënia e regjimit komunist u shoqërua nga ndryshime demografike të mëdha. Ndërsa në një anë pati emigrim të popullsisë, po aq, u shtuan godinat (e reja) e pabanuara. Rreth 1 mln e 300 mijë shqiptarë, lëvizën nga periferia drejt qendrës duke krijuar disbalanca të mëdha në dinamikat e qyteteve, ku 9 nga 36 rrethe patën rritjen më të madhe të popullsisë.

Nga 2001 deri më 2011, rreth 50% e banorëve në Shqipëri ishin në zona urbane, vërejti Kaprata, duke shënuar nisjen e tipareve të forta të disproporcioneve.
Në vitet 2011-2021, 600 deri në 900 mijë banorë ikën nga Shqipëria ndërsa në vend morën formë tri “rajone”: Tiranë-Durrësi i mbipopulluar, Fier-Vlora që sipas Kapratës është tipi ideal për shkak të balancës mes sipërfaqes dhe demografisë dhe “rajonet e braktisura”- Kukësi, Dibra, Lezha, Shkodra, Berati, Elbasani, Korça e Gjirokastra- ku 75% e territorit të vendit ka vetëm 40% të popullsisë.

Impakti që ka pasur kjo shpëndarje demografike është sipas profesorit e shumanshme. Nga një anë tejmbushja urbane e në tjetrën zbrazja urbane, kanë sjellë degradim të tokës dhe kosto të larta të menaxhimit e administrimit të territorit.

“Impakt ka edhe në ndërtesat e infrastrukturës sociale. Në zonat e mbipopulluara ka mangësi në godina arsimore, shëndetësore dhe kulturore. Vetëm Tirana ka nevojë për 60 mln€ për ndërtim infrastrukture arsimore”, shënoi Kaprata.

Raporti i zhdrejtë i territoreve të zëna nga ndërtimi dhe atyre të hapura, është tjetër shqetësim ndërsa mbipopulli në një zonë e shpopullimi në të tjera sjell mungesa e nervozizëm, duke risjellë rendin “Të gjithë janë në luftë me të gjithë” tha urbanisti.

Të gjitha këto sollën atomizimin e shoqërisë, me bazë interesin e familjes së vogël dhe përforcoi modelin tonë shoqëror prej pesë kategorish: Lider partish që tejshtrijnë pushtetin; sipërmarrës të lidhur me pushtetin që shtojnë pasurinë; dishepuj partiakë apo zyrtarë që kapërcejnë nga një parti në tjetrën për të mbijetuar në administratë; masa shoqërore që shkon nga varfëria drejt mjerimit të skajshëm dhe në fund, një grup individësh larg ndikimit qeveritar dhe partiak që mundohen pa sukses të ndërtojë sipërmarrje. Kjo pasqyrohet në modelin tonë politik të kryetarokracisë sunduese” tha mes të tjerash Kaprata.

Ndërsa Shqipëria ka mbyllur dekadën e tretë të tranzicionit pa një model të qartë ekonomik, pohoi Kaprata, ai ripropozoi modelin policentrik, ose modelin e qyteteve të rrjetit, specializim të qyteteve në atë çka përbëjnë veçantitë e tyre duke synuar dekoncentrimin apo shpërndarjen më të balancuar të qendrave të banuara dhe demografisë nëpër territorin kombëtar, komplementaritatin e qendrave të banuara dhe specializim të ekonomive së tyre, kjo pos si domosdoshmëri për Shqipërinë, edhe si një qasje europiane e bazuar në studime urbanistike.
Epoka digjitale në raport me mbrojtjen e të dhënave personale

Në kuadër të seminareve, pararalelisht me aktivitetet e shumta që po zhvillohen në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga Klik Ekspo Group, u mbajt takimi mbi “Sigurinë e të dhënave personale në Shqipëri dhe sfidat e digjitalizimit”, organizuar nga zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Fokusi ishte trajtimi i çështjes kritike të së drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave, eksplorimin e kompleksitetit të ruajtjes së të dhënave personale mes transformimit digjital të Shqipërisë. Gjithashtu, seminari trajtoi çështjen e përputhjes dhe përshtatjes së ligjeve për mbrojtjen e të dhënave në vend, duke vlerësuar efektivitetin e tyre dhe përputhshmërinë me standardet evropiane (GDPR).

Përfaqësuesja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Meri Kujxhija foli mbi sfidat e paraqitura nga digjitalizimi, sensitiviteti i të dhënave personale, rritja e kërcënimeve kibernetike, shkeljet e të dhënave dhe çështjet që lidhen me aksesin e paautorizuar të të dhënave që janë në prioritet të zyrës së Komisionerit për Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ekspertët ofruan njohuri mbi zbatimin e strategjive të mbrojtjes së të dhënave, duke theksuar përputhjen me kërkesat rregullatore dhe zbutjen e rreziqeve që lidhen me trajtimin e të dhënave personale në mjedisin digjital.

“Aktiviteti i sotëm u drejtohet profesionistëve të fushës, personit të kontaktit (DPO) për mbrojtjen e të dhënave, ekspertëve ligjorë, duke mundësuar një platformë për diskutim mbi praktikat më të mira, teknologjitë e reja dhe politikat e nevojshme për të rritur sigurinë dhe privatësinë e të dhënave në Shqipëri”, tha Rigers Bodurri, përfaqësues i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Aktiviteti ndërgjegjësues shërbeu dhe si një mundësi për profesionistët e fushës në shkëmbimin e ideve, përditësimeve të fundit për tendencat në zhvillim dhe bashkëpunimeve për krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *