Bizneset e Kosovës në Panairin e Klikut në Tiranë: Bashkëpunim për treg unik

Spread the love

Oda Ekonomike e Kosovës ka ardhur në Panairin e 29-të ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group me një grup biznesesh, duke përfaqësuar fusha të ndryshme të prodhimeve që mbajnë logon “Made in Kosova” e që tashmë, i jep tjetër kah e peshë edhe shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.

Produkte të ndryshme “Made in Kosova” të sektorit të ndërtimit, termoizolues, adezive si dhe detergjentë 100% miqësore me mjedisin, u shfaqën në stendën e shqiptarëve të matanë kufirit, duke ofruar produkte shqiptare për një treg shqiptar dhe jo vetëm.

Bizneset nga Kosova, përtej qasjes patriotike që lidh dy shtetet e një kombi, në Tiranë vijnë në shtëpi për të takuar miq me interesa të përbashkëta me të cilat interesat tregtarë, mund të krijojnë bashkëpunime afatgjata që tejkalojnë barrierat kufitare.

Martir Demiri nga “Emsa” tha se, pjesëmarrja në panair ka hapur udhë të reja bashkëpunimi  ndërsa bizneset pritet të lidhin ura komunikimi duke synuar zgjerimin në treg.

“Produktet tona janë 100% miqësore me mjedisin duke qenë të prodhuara në një pjesë të madhe me letër”, tha Demiri, duke shtuar se shpesh bashkëpunimet janë vetëm një shtrëngim duarsh larg.

Ndërsa produktet “Happy” prej kohësh pothuaj mbizotërojnë tregun shqiptar me letrat e lagua dhe së fundmi edhe me detergjentë larës e zbutës, Lirim Mehmeti, u shpreh se “pos respektimit të normativave të BE-së, produktet respektojnë edhe normat ligjore dhe janë prodhuar konform rregullave dhe kërkesave për ndjeshmërinë ndaj lëkurës duke qenë se një pjesë e tyre synojnë pikërisht fëmijët”.

Jasmin Delija nga “Satstyro” vërejti rëndësinë e produkteve termoizoluese që ofrohen dhe i prezantohen tregut shqiptar. “Ne ofrojmë disa produkte që i përkasin industrisë së termoizolimit por edhe të paketimit, nga fiberglas te membranat”, tha Delija. Ndërsa Satstyro ka fabrikën e Styroporit (EPS) dhe e Styrodurit (XPS), dhe një përvojë shumë vjeçare në Kosovë dhe më gjerë, që ofron cilësi e teknologji moderne, ata ofrojnë prodhimin e të gjitha llojeve të styroporit dhe styrodurit, me të gjitha përmasat dhe kategoritë, lehtësirat doganore krahas rrugëzgjidhjes së problemeve në skanim, efektiviteti i marrëveshjeve mes dy vendeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.

Bizneset nga Kosova në mënyra të ndryshme prej kohësh synojnë bashkëpunim më të thellë me Shqipërinë edhe si mënyrë për të ndjekur me politika ekonomike, politikat shtetërore dhe interesat gjeostraegjike ndërsa shumë prej kompanive e kanë shtrirë bashkëpunim e tyre edhe në Evropë.

Në panairin e këtij viti në Tiranë, takimet e Odës Ekonomike të Kosovës kanë pasur në fokus vende si Austria apo edhe Ukraina, duke krijuar njëherësh aleanca europiane  në kohë të brishta që ndikohen edhe nga tensionet e luftrat. Ndërsa disa tregje, si ato të Zvicrës në një farë mënyre synohen edhe  nxitur nga prania e madhe e mërgatës së shqiptarëve, tregjet e tjera kërkojnë marrëveshje dhe takime në panaire si Klik Ekspo Group që përmes traditës së gjatë dhe përvojës, ofron infrastrukturën e duhur për të bashkuar prodhues dhe për të shkëmbyer prodhime.

Panairi Klik Ekspo Group, ka shërbyer dhe shërben si një urë lidhëse me të gjithë vendet që bëhen pjesë e tij, duke bërë të mundur për publikun një informim për të investuar te më të mirët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *