“Jemi krah jush, do ia dilni”/ Politika shqiptare uron Kosovën për Pavarësinë!

Spread the love

Krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e politikës shqiptare kanë uruar Kosovën në këtë ditë të veçantë, teksa feston 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ministri i Jashtëm, Igli Hasani sigurojnë Kosovën se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah saj.

Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën”, shkruan Begaj.

Begaj dhe Nikolla e vënë theksin tek procesi i dialogut me Serbinë, si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kreu i shtetit ka një këshillë për qeverinë e Kosovës, për të cilën thotë se duhet të bashkëpunojnë ngushtë me aleatët strategjikë, SHBA-në dhe BE.

Bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në është thelbësor”, shkruan Begaj.

Një urim e ka pasur edhe kreu i PD, Lulzim Basha, i cili thotë se Kosova ka ende sfida përpara, por me mbështetjen e partnerëve do ia dalë me sukses.

Urimeve iu është edhe Kryeministri Edi Rama ku shkruan: “Gëzuar Pavarësinë Kosovë“,
 
Teksa ka uruar shtetin e Kosovës, deputeti demokrat Gazment Bardhi shkruan se sfidat e Kosovës do zgjidhen me mbështetjen e partnerëve strategjikë.

16 vjet shtet. Një rrugëtim i ngritur mbi sakrifica. Kosova është krenari e çdo shqiptari dhe burim shprese për triumfin e të drejtës mbi të keqen.

Krenar për çdo arritje dhe inkurajues për sfidat që e presin, për të cilat kam bindjen se do të realizohen falë mbështetjes së partnerëve strategjik. Gëzuar për çdo shqiptar”, shkruan Bardhi.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta teksa ka ndarë një foto nga pritja e zhvilluar në ambasadën e Kosovës në Tiranë për festën e Pavarësisë, shkruan se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

Meta shprehet se ndihet krenar që në çdo detyrë shtetërore, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e ka patur të parën.

Kënaqësi të merrja pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës të Pavarësisë. 17 Shkurti është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë, por edhe për rajonin tonë, që ka përfituar më shumë stabilitet dhe siguri. Shteti më i ri në Ballkan në një kohë rekord është kthyer në një shembull për fqinjët për demokracinë funksionale dhe zgjedhjet e lira, për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe për politikat përfshirëse sociale.

I lumtur të isha pjesë e përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës në fillim të viteve ’90 në bashkëpunim me Presidentin Rugova dhe Qeverinë e tij të Bujar Bukoshit. Krenar të isha një mbështetës i palëkundur i UÇK, që në orët e para të saj. Të paharruara do të jenë emocionet e forta që përjetova si rrallëkush tjetër nga eksodi biblik, drama e madhe humanitare në Kukës dhe mbi të gjitha nga mikpritja e rrallë e kuksianëve që kurrë nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ndihem krenar që në çdo detyrë shtetërore që kam patur, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e kam patur të parën. I lumtur t’i kundërvihesha projekteve tinzare për ndarjen dhe zhbërjen e Kosovës me duart e vetë shqipfolësve.

I lumtur të isha pjesë aktive e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për fitoren në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësise të Pavarësisë të Kosovës në vitin 2010. Kënaqësi e veçantë të shohim Kosovën të jetë sot kampione, jo vetëm në xhudo, por edhe në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale”, shkruan Meta.

Ministri i jashtëm Igli Hasani po ashtu uron Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa shkruan se Shqipëria do jetë gjithmonë krah saj.

Krahas urimit, Hasani ka ndarë edhe një video me momente nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe momente nga mbledhjet e përbashkëta me qeverinë e Shqipërisë.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Sot, ne festojmë lirinë e sovranitetin e Kosovës, por edhe përulemi për përpjekjet dhe sakrificat e jashtëzakonshme të vëllezërve e motrave tanë për një Kosovë demokratike, të sigurt e të begatë. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës dhe mbështetëse e promovuese e vendit që asaj i takon në strukturat europiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare”, shkruan Hasani.

Mesave të urimit iu është bashkuar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku shkruan se Kosova ka ende sfida përpara, por me mbështetjen e partnerëve do ia dalë me sukses.

Gëzuar Pavarësinë Kosovë! 17 shkurti i vitit 2008 është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët që kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi. 

Në këtë ditë të çmuar kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë kombëtare komandantin legjendar të UÇK Adem Jasharin, arkitektin e Pavarësisë presidentin Ibrahim Rugova dhe mijëra bij e bija të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre për në altarin e lirisë së Kosovës.

Jemi krenarë për zhvillimin dhe progresin që Kosova ka arritur në këto 16 vite. Ajo sot ka ende sfida përpara, por jam i bindur se me vendosmërinë, përkushtimin dhe pjekurinë e lidershipit politik të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, do t’ia dalë me sukses për të ndërtuar një shtet të fortë, të zhvilluar dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.

Kjo është një ditë shumë e veçantë edhe për mua personalisht dhe atë pjesë të familjes sime që si mijëra të tjera u dëbuan nga trojet e tyre. Jam i lumtur për çdo ditë që i’a kam dedikuar çështjes së Kosovës dhe falenderoj Zotin që ma ka dhënë mundësinë për ta bërë këtë edhe si një amanet i përcjellë brez pas brezi, sikundër sa të kem forcë dhe mundësi do të jem në krah të Kosovës për të ndihmuar në suksesin e saj. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë”, shkruan Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *