Skandali me listën e fituesve te Magjistratura, Arben Rakipi justifikohet: Ishte gabim teknik!

Spread the love

Kreu i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi ka dalë në një konferencë për shtyp të justifikojë skandalin me manipulimin që iu bë dje listës fituese të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, duke futur në drejtësi fëmijët e Gjingjonëve dhe të ministrave apo deputetëve.

Arben Rakipi thotë se sipas versionit të tij për problemet me listat e fituesve nga faza e parë lidhen me gabim teknik dhe nuk lidhet me aspektin njerëzor.

“Gabimi ishte teknik, kemi siguruar një pajisje tjetër që bëri të mundur që të lexojë çelësin me 100 pikë sikur duhet ta kishte lexuar pajisja e parë. Meqë leximi i dytë solli rezultat thuajse të njëjtë me të parin +4 pika, ndryshoi numri i ftueseve, nga 79 shkoi në 121 për shkak të verifikimit të pajisjes së dytë.

Studentë, kandidatë kanë paraqitur ankesat e tyre. Kjo na shtyu që të verifikojmë të gjitha ankimet e bëra. Në përfundim të shqyrtimit rezultoi se fitues janë edhe 10 të tjerë përpos 121 të parë dhe lista përfundimtare është shpallur dje me 131 kandidatë fitues që sot janë duke zhvilluar fazën e dytë të vlerësimit. Defekti është teknik. Nuk ka asnjë lidhje me elementin njerëzor.” tha ai.

Më tej shtoi se fituesit ishin në një numër shumë herë më të vogël se çdo herë tjetër.

“Elementi i dytë ishte pikët mjaft të ulëta të listës kishim kandidatë, nga 2 pikë. U konstatua lehtësisht se llogaritja e pikëve është bërë në bazën 96 në total dhe jo të 100 pikëve. Është një problem që e kam konstatuar vetë dhe kam urdhëruar që të bëhen verifikimet dhe mënyra si do të rikuperohen gabimet. Gabimi ishte teknik. Kemi siguruar një pajisje tjetër e cila bëri të mundur që të lexohet testi me 100 pikë siç duhet ta kishte lexuar pajisja e parë. Në këtë mënyrë ndryshoi edhe numri i fituesve. Shkoi në 121, të cilët për shkak të verifikimit dolën fitues”, tha ai.

Dje ishte një skandal i vërtetë te Magjistratura, pasi fillimisht u deklarua se ishte prishur pajisja që kontrollonte testet. Më pas u bë rishikimi i testeve dhe dolën 42 emra më shumë. Sipas të dhënave, 79 emra kanë marrë 63 deri në 86 pikë. Por, 24 orë më vonë kur është shpallur lista zyrtare ka rezultuar se nuk ishin më 79 fitues, por 121.

Sot do të vijojë faza e dytë e provimit.

Ndërkohë selitë diplomatike në vend janë skandalizuar nga ajo që ka ndodhur dje. Vetë ambasadat kanë monitoruar procesin dhe u ka lindur dyshimi se procesi është manipuluar. Rakipi përmes kësaj manovre po fut në sistem fëmijët e atyre që u shkarkuan nga vetingu, por edhe ata që kanë lidhje me politikën.

Për këtë arsye, ai ka marrë ultimatum të prerë nga ndërkombëtarët që testimi të përsëritet. SHBA, BE, Gjermania, Holanda apo Londra kanë punuar fort që drejtësia të pastrohet nga tarafi i të korruptuarve dhe politika, por Rakipi u ka hapur dyert dhe kjo përbën një skandal të vërtetë. Ambasadorët po ndjekin me shumë vëmendje atë që po ndodh dhe pritet të ketë dhe takime. Ndërkombëtarët janë të vendosur për të mos lejuar asnjë lloj manovre, e cila duket se do të kompromentojë gjithë reformën në drejtësi. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *