Nga “Perla e Paqësorit” në oazin e dhunës dhe narko-trafikut: Historia e frikshme e Ekuadorit!

Spread the love

Ekuadori është bërë qendra botërore e shpërndarjes. Ndaj bandat vendase financohen nga kartele të mëdha si meksikanët e Jalisco apo Sinaloa dhe brazilianët e PÇ, italianët e Ndrangheta-s dhe mafiet ballkanike.

Në Ekuador armëpushimi nuk zgjati shumë. Në më pak se 3 muaj pas nxjerrjes së ushtrisë në rrugë, bandat e trafikut të drogës kanë ngritur kokën sërish, dhe tani ekziston frika e rikthimit në kaos. Gjatë fundjavës së Pashkëve, në të gjithë vendin u regjistruan 80 vrasje me epiqendër sërish rajonin problematik Guayaquil, qyteti më i populluar dhe selia e bandave kriminale më të rrezikshme, ndër të cilat spikat klani “Los Choneros”.

Atmosfera në atë që dikur quhej “Perla e Paqësorit” është e tensionuar. Ata që jetojnë atje duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur dalin nga shtëpia, pasi vjedhjet, rrëmbimet dhe vrasjet janë më se të zakonshme çdo ditë.

Prej 3 muajsh, presidenti i ri i vendit Daniel Noboa, vetëm 35 vjeç, është shprehur i vendosur të përballet me këtë situatë dramatike, duke dekretuar një ligj të posaçëm që i autorizon Forcat e Armatosura të kryejnë operacione dhe hetime kundër bandave.

Nga “Perla e Paqësorit” në oazin e dhunës dhe

Noboa i shpalli hapur luftë 25 grupeve të narko-trafikut, duke i quajtur ato organizata terroriste. Në 3 muajt e fundit janë kryer më shumë se 200.000 operacione për zbulimin e bazave të bandave, arrestimin e kriminelëve dhe për kapjen e ngarkesave me kokainë. Ushtria ka hyrë edhe në burgje duke u për;pjekur të çmontojë kupolën e rrjetit gjigant të shpërndarjes së drogës, që merr urdhra nga bosët që vuajnë dënimin atje.

Në Guayaquil shumica e bastisjeve iu besuan Marinës, e cila ka edhe selinë e saj në këtë qytet. Toger Viera është përgjegjës për marrëdhëniet me mediat. Ai shoqëron gazetarët që dëshirojnë të vëzhgojnë nga afër operacionet e kontrollit të territoreve. Ndër vendet më të zakonshmet janë pikat e kontrollit të improvizuara në çdo kohë të ditës apo natës.

Rreth 20 ushtarë ndalojnë të gjitha makinat me automatikë dhe pushkë në duar. Ata kontrollojnë gjithçka, nga kabina e pasagjerëve deri tek motori, duke kërkuar për armë, municione, drogë. Ata heqin filtrat e errët nga xhamat, kontrollojnë dokumentet e identifikimit dhe lejet e drejtimit të automjeteve.

Njerëzit në rrugë e miratojnë këtë praktikë dhe ndihen më të sigurt me ushtrinë në qarkullim. Një burrë rreth të 40-ave shpjegon se askush nuk i beson policisë, pasi ka shumë raste të korrupsionit dhe të infiltruarve. “Kur mbërrijnë ushtarët, e kuptojmë se gjërat janë ndryshe. Askush prej tyre nuk të kërkon para nën dorë që të lejojë të kalosh”- thotë ai.

Gjenerali Victor Herrera drejton policinë në qytet. Ai thotë se koordinimi midis policisë dhe ushtrisë po funksionon shumë mirë. Oficerët e policisë ndihen më të sigurt duke e ditur se ushtria dhe marina po bëjnë punën e tyre. “Ne s’mund të kemi asnjë iluzion: jemi vetëm në fillim të kësaj pune. Kolumbia dhe Meksika e kanë përjetuar tashmë këtë lloj problemi. Ne duhet të mendojmë se një luftë e tillë nuk mund të fitohet brenda natës”- thotë ai.

Faza e parë, shpjegon Herrera, është vendosja e autoriteteve në të gjithë territorin e vendit dhe kjo duhet të zgjasë të paktën 6 muaj. “Përveç pranisë fizike të agjentëve, duhet të ketë një punë paralele nga shërbimet sekrete. Nuk ka kuptim të çmontohet një bazë droge nëse nuk çmontohet zinxhiri i bashkëpunëtorëve dhe informatorëve”- nënvizon ai.

Lagjet më të varfra në Guayaquil dominohen nga bandat, të cilat janë forcuar me rritjen jo-proporcionale të trafikut të kokainës. Në më pak se 10 vite, Ekuadori është shndërruar në një vend qendror në trafikun global të drogës, dhe sot merr 60 për qind të pluhurit të bardhë të prodhuar në Kolumbi.

Kokaina përpunohet dhe përgatitet për të udhëtuar përmes anijeve të mëdha të mallrave që nisen nga porti i Guayaquil dhe ai i Mantës, i fshehur midis arkave me banane apo çdo malli tjetër të destinuar për eksport. Një pjesë e madhe e këtyre ngarkesave shkon në Evropë, dhe çdo rrugë kontrollohet nga organizata të mëdha shumëkombëshe të trafikut të drogës, ndër të cilat dallohen mafiet ballkanike dhe Ndrangheta italiane.

Nuk është rastësi që ndër portet më të njohura, përveç Antwerp-it dhe Marsejës, është edhe Gioia Tauro. Për shumë analistë, një nga fajtorët kryesorë për këtë përshkallëzim të pushtetit të bandave të drogës ishte ish-presidenti socialist Rafael Correa.

Kur erdhi në pushtet në vitin 2006, ai e çmontoi menjëherë bazën e marinës amerikane në portin e Mantës, e cila shërbente për të kontrolluar bregdetin e Paqësorit. Më pas nisi një program të “shtetësisë universale”, që lejoi qindra mafiozë meksikanë, kolumbianë dhe shqiptarë të vendoseshin në vend me një leje qëndrimi të rregullt.

Së fundi, ai lehtësoi ri-integrimin në shoqëri të të paktën 300 anëtarëve të bandave përmes programeve shtetërore të rimëkëmbjes. Problemi ishte se në realitet shumë prej tyre, vazhduan të kryejnë krime. Një problem tjetër i madh ishte ndërtimi i burgjeve shumë të mëdha, të cilat i dhanë mundësi bandave të organizohen brenda tyre.

Përmes ryshfeteve ndaj gardianëve të burgut, bosët e drogës ndërtuan një pushtet paralel, duke u siguruar që të jetonin në kështjella të vërteta nga ku vazhdonin të drejtonin punët

e tyre, ashtu siç bëri Pablo Escobar në Kolumbi. Burgu më i madh në Ekuador është kompleksi rajonal i Guayaquil, ku çdo seksion kontrollohej nga banda të veçanta.

Në fillim të këtij viti, kreu i bandës Choneros, José Macias Villamar, i njohur me nofkën Fito, u arratis nga ky burg dhe të nesërmen një grup kriminelësh pushtuan studiot e kanalit televiziv TC Television. Për njëzet minuta i gjithë Ekuadori pa marrjen peng të stafit të televizionit, teksa prezantuesi José Luis Calderon ishte i detyruar të lexonte para kamerave mesazhet e kriminelëve me një armë drejtuar në kokë teksa një kallëp tritoli i ishte vendosur në xhepin e xhaketës.

Ditët e fundit Calderon e ka lënë punën dhe po përpiqet të marrë azil politik në Shtetet e Bashkuara. E takoj në një restorant pranë shtëpisë së tij Guayaquil. Njerëzit e njohin, por që nga ai moment jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht. “Ajo ditë e ndryshoi historinë e vendit tonë. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që trafikantët e drogës të rrëmbenin live gazetarët, si të donin të tregonin forcën e tyre, të sfidonin hapur shtetin. Ishte si një grusht i fortë në stomak për miliona ekuadorianë”- rrëfen ai.

Kundërpërgjigja e presidentit Noboa ishte e menjëhershme. Me ushtrinë që patrullon në rrugë dhe me gjendjen e shtetrrethimit gjatë natës, situata në qytetet e mëdha është qetësuar dhe statistikat e krimit janë përmirësuar ndjeshëm. Viti 2024 nisi me 201 të vrarë brenda 1 jave.

Me ushtarët në rrugë ka pasur një rënie të dukshme të vrasjeve. Megjithatë, mbeten dyshime për efektivitetin e një metode “alla Bukele”, pra si të presidentit të El Salvadorit që e reduktoi fuqinë e bandave me koston e shndërrimit të vendit në një shtet policor të përhershëm.

Billy Navarrete i Komisionit për të Drejtat e Njeriut (CDH), ka mbledhur dhjetëra ankesa në javët e fundit në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në lagjet më të varfra. “Policia ndërhyn në periferi me një nivel dhune shumë të ashpër, dhe për shkak të dëshirës së saj për t’i treguar shoqërisë shifra qetësuese, shumë të rinj të pafajshëm arrestohen pa bërë asgjë. Në pranga kanë rënë mijëra adoleshentë, por vetëm disa qindra prej tyre u akuzuan zyrtarisht si anëtarë të bandave. Shteti duhet të japë llogari për dhunën që kanë pësuar ata që kanë kaluar javë të tëra në burg apo në komisariate pa ndonjë arsye të dukshme”- thotë ai. Por në çdo rast, shoqëria duket se e mbështet dorën e ashpër të qeverisë. Noboa ka thirrur një referendum më 21 prill, në të cilin popullsia do të pyetet nëse është dakord apo jo për të zgjatur për një kohë të pacaktuar angazhimin e ushtrisë në operacionet në luftën kundër krimin dhe për kontrollin e territorit.

Për financimin e këtyre operacioneve, qeveria synon të rrisë me 3 deri në 5 për qind TVSH-në për produktet kryesore, një masë kjo e nevojshme për një shtet që ka një bilanc shumë negativ në llogaritë e tij publike. Por ojq-ja “Partecipación Ciudadana” me seli në kryeqytetin Quito kërkon reforma të thella strukturore, pa të cilat represioni shtetëror nuk do të sjellë rezultatet e dëshiruara.

“Fuqia e trafikantëve të drogës – shpjegon Pablo Villacis – nuk bazohet vetëm në armët dhe “ushtarët” që disponojnë, por edhe në burimet e mëdha ekonomike që vijnë nga të ardhurat e drogës. Me ato para arrijnë të korruptojnë politikën, drejtësinë, policinë. Nëse nuk prishen këto lidhje dhe nuk ndërhyhet në qarkun e pastrimit të parave të drogës, ne nuk do ta zgjidhim dot kurrë këtë problem”. Ka shumë raste të kryetarëve të bashkive, parlamentarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve që përfundojnë në raste të qarta korrupsioni dhe lidhjesh me mafien.

Sot kampionia e luftës kundër korrupsionit është Prokurorja e Përgjithshme Diana Salazar, drejtuese i operacionit “Metastaza”, një emër i zgjedhur jo rastësisht për të ilustruar shkallën e lartë të depërtimit të pushtetit të narko-bandave në institucionet e shtetit.

Salazar po kërkon ndihmë nga agjencitë ndërkombëtare të policisë, dhe ka qenë kohët e fundit edhe në Itali. Një kërkesë që është përsëritur edhe nga presidenti Noboa dhe Ministri i tij i Mbrojtjes Gian Franco Loffredo, me origjinë italiane. Quito ka nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar, para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, për të prishur rrethin vicioz të trafikut të drogës.

Kërkesa për kokainë është rritur ndjeshëm pas pandemisë. Sot vendet evropiane janë blerëset kryesore. Një kilogram kokainë e pastër, e cila kushton vetëm 1.500 dollarë në kufirin mes Kolumbisë dhe Ekuadorit, shitet për 15.000 dollarë në Nju Jork. Por në Milano, Paris apo Londër kushton deri në 120.000 dollarë.

Kërkesa nxit prodhimin dhe ofertën, në një biznes të paligjshëm që garanton fitime të mëdha për të gjithë ndërmjetësit. Ekuadori është bërë qendra botërore e shpërndarjes. Ndaj bandat vendase financohen nga kartele të mëdha si meksikanët e Jalisco apo Sinaloa dhe brazilianët e PÇ, italianët e Ndrangheta-s dhe mafiet ballkanike.

Futja në burg e “ushtarëve të zakonshëm” sjell pak dobi, pasi do të jetë gjithmonë dikush që do t’i zëvendësojë ata. Në këtë luftë duhet të bëjnë pjesën e tyre që të gjithë, duke filluar nga vendet që e blejnë produktin përfundimtar. Kur flasim për kokainën ia vlen të kujtojmë atë ka që thënë dikur shkrimtari uruguaian Eduardo Galeano: “Evropa dhe Shtetet e Bashkuara zhysin vetëm hundët; por jemi ne në Amerikën Latine që numërojmë të vdekurit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *