Nga arrestimi në Itali për trafik droge, te pasuria e dyshimtë dhe studenti i panjohur, a e ka blerë Artur Bushi diplomën e shkollës së lartë?

Spread the love

“Mbas disa vitesh kthehet në Shqipëri duke ju përkushtuar studimeve universitare ku diplomohet për Histori në Universitetin e Tiranës“.

Kështu shkruhet në biografinë e kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, rreth 50 vjeç.

“Mbas disa vitesh kthehet në Shqipëri…“.

Nuk dihet se mbas sa vitesh, por dihet për aktivitetin e dyshimtë në Itali.

Artur Bushi është arrestuar në qershor 2010 nga policia italiane, i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës.

Nga arrestimi në Itali për trafik droge, te pasuria e dyshimtë

Bushi u lirua një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u pushua dhe u arkivua në vitin 2011 nga Prokuroria italiane.

Përveç kësaj çështjeje, Artur Bushi ka shënuar në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.

Këto janë dy episodet e zbuluara deri më tani për aktivitetin e dyshimtë të Artur Bushit në Itali.

Nga i arrestuar si i dyshuar për trafik droge në Itali, befas Bushi na del student në Universitetin e Tiranës.

Kur është regjistruar si student? Kur i ka kryer studimet? Pse askush nuk e mban mend si student?

Të gjithë zyrtarët mbajnë mend vitet e studimeve dhe i shënojnë ato saktësisht në CV.

Artur Bushi, jo vetëm në biografinë në faqen e Bashkisë Krujë, por edhe në dokumentet që ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, fsheh vitet se kur është diplomuar për histori në Universitetin e Tiranës.

Nga arrestimi në Itali për trafik droge, te pasuria e dyshimtë

Ka indicie të mjaftueshme për Prokurorinë për të nisur një verifikim nëse Artur Bushi është diplomuar vërtetë apo e ka blerë diplomën, siç kanë bërë shumë ish deputetë të tjerë.

Pasuria e dyshimtë

Artur Bushi është ndër të paktët zyrtarë që nuk disponon asnjë llogari bankare. Ai është justifikuar duke thënë se, preferon që të ardhurat e siguruara t’i ruajë në shtëpi “cash” dhe po ashtu edhe bashkëshortja e tij.

Por, fshehje të ardhurash dhe mashtrime janë zbuluar nga  deklaratat e pasurisë së bëra prej tij në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKP nga viti 2015, kur u zgjodh për herë të parë në krye të Bashkisë së Krujës me thuajse 55 për qind të votave, deri në vitin 2018.

Të ardhurat nga rroga si kryetar bashkie dhe pagesa si anëtar i Këshillit të Qarkut të Durrësit për Artur Bushin kanë pasur një trend rritës. Këto të ardhura nga funksionet publike shkojnë në rreth 100 mijë lek në muaj.

Por, nga kjo deklaratë Kryebashkiaku i Krujës rezulton me pasuri të pajustifikuar me burimet e deklaruara në vlerën 1.1 milionë lekë në vitin 2012 dhe 2.2 milionë lekë në vitin 2013.

Në vitin 2012, ai deklaron blerjen e një apartamenti me vlerë 42 400 euro me burim kryesor një kredi bankare prej 3.9 milionë lekësh. Ndërsa në vitin 2013 ai deklaron se ka shlyer para kohe kredinë në vlerën e 2.5 milionë lekëve si dhe ka kursyer një shumë parash, ndërkohë që të ardhurat e deklaruara janë rreth 775 mijë lekë.

Disa dosje në SPAK

Disa kallëzime penale janë referuar në SPAK për kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, një personazh me të shkuar të errët në Itali.

Bushi është kallëzuar nga subjekte të ndryshme për korrupsion dhe shpërdorim detyre, për disa episode gjatë ushtrimit të detyrës si kryebashkiak i Krujës.

Prapaskena mëson se SPAK po verifikon një aferë të dyshuar korruptive të Artur Bushit me ndarjen e banesave për familjet që mbetën të pastrehë pas tërmetit të nëntorit 2019.

Në këtë aferë të dyshuar Artur Bushi është implikuar përmes vëllait të tij, Ilir Bushi, i cili komandon njësinë e Thumanës me urdhra verbalë dhe ndikime të paligjshme.

Shumë familje kanë bërë ndarje fiktive në gjendjen civile me qëllim për të përfituar disa banesa padrejtësisht, ndërsa familje të tjera janë nxjerrë jashtë loje.

Përfituesit kanë lidhje klienteliste me Artur Bushin, me të shkuar të errët jashtë vendit.

SPAK dhe BKH-ja me një verifikim të thjeshtë mund të konfirmojë se si janë shtuar numri i familjeve në Thumanë para ndarjes së banesave.

Vëllai i Artur Bushit, Ilir Bushi, kontrollon disa kompani, mes të cilave edhe kompaninë e transportit dhe gurores, Fazion, me nipt L84805202M.

Me anë të kësaj kompanie Ilir Bushi administron disa gurore në Krujë në konflikt interesi, ndërsa është futur edhe si nënkontraktor i kompanisë Gener 2 të Bashkim Ulajt, duke ndërtuar një segment të rrugës Thumanë-Kashar.

Artur Bushi dyshohet gjithashtu për korrupsion me tendera dhe shkelje të barazisë në tendera. Ai dyshohet se ka diktuar tenderat për një rreth klientësh të tij, duke ndarë fitimet me çanta.

Një tjetër aferë korruptive me sfond zgjedhor konsiston në punësimin fiktiv të qindra personave në pesë njësitë administrative të Bashkisë Krujë.

Janë punësuar persona pa shkuar asnjë ditë në punë, thjeshtë u kalon paga mujore në llogari.

Prapaskena do të publikojë në vijim listën e plotë të të punësuarve në mënyrë të paligjshme, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të madh ekonomik.

Ky numër të punësuarish vetëm në letra përdoret si hambar votash dhe për qoka.

Këto janë vetëm disa fakte dhe maja e ajsbergut, që tregon se si Artur Bushi e ka përdorur Bashkinë e Krujës dhe rindërtimin për përfitime private./Prapaskena

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *