Euro 2024, Silvinjo: Duam kualifikimin, kemi dy finale përpara

Spread the love

Trajneri i kombëtares shqiptare Silvinjo, duke prezantuar dy sfidat e radhës së kuqezinjve, përballë Moldavisë dhe Ishujve Faroe, në kuadër të eliminatoreve të evropianit “Gjermani 2024”, i cilësoi si dy finale.

“Shqetësimi është gjithmonë, kemi dy finale. Futbolli është i vështirë”, tha Silvinjo gjatë konferencës për mediat në prag të nisjes së fazës përgatitore për dy sfidat, që do të zhvillohen javën e ardhshme.

“Janë ndeshje vendimtare, presim ndeshje të vështira duke nisur nga Moldavia. Por, lojtarët janë të karikuar, për fat të keq humbëm Mihajn. Lojtarët janë të motivuar dhe e dinë se duhet të përgatiten mirë dhe të impenjohen. Pjesa më e bukur e futbollit është se duhet të shkosh në fushë i përgatitur mirë dhe pastaj në fushë ndodh gjithçka”, tha Silvinjo.

Sipas tij, llogaritë nuk vlejnë në futboll. “Llogaritë në futboll janë të vështira. Matematikisht na duhet një pikë, por një ndeshje 90 minuta është e pamundur të luhet vetëm për një pikë, gjithmonë futemi për maksimumin. Jemi një skuadër me zemër dhe e organizuar, do të bëjmë ndeshjen tonë. Moldavia është ende në lojë dhe na pret një ndeshje e vështirë”, tha trajneri kuqezi

Trajneri Brazilian vlerësoi si mjaft të rëndësishme përballjen me Moldavinë, pasi deri më tani ska pësuar asnjë humbje në shtëpi.

“Moldavia është një skuadër që në shtëpi apo në transfertë, luajnë të organizuar. Kanë një kundërsulm të rrezikshëm, janë të vendosur mirë. E bëjnë shumë mirë kundërsulmin, janë të rrezikshëm edhe për nga gjatësia që kanë si skuadër. Jemi të organizuar, kemi lojtarë teknikë dhe është një ndeshje ku mund të ndodh gjithçka”, tha ai.

I pyetur për mungesën e Brojës, ai tha se sulmuesi prej tetorit nuk është grumbulluar me “Chelsean”, për shkak të një dëmtimi. Ndërsa, duke folur për sfidën e dytë, atë ndaj Ishujve Faroe, Sivlinjo tha se gjithçka do të varet nga rezultati me Moldavinë.

“Ne monitorojmë 56 lojtarë, shohim cilësinë dhe atë që po bën. Nëse kemi mungesa atëherë kemi mundësinë për të marrë edhe lojtarë që nuk janë në listë. Të shohim ndeshjen e parë dhe nëse ka nevojë atëherë do ta shohim. Ka të bëjë shumë më cilësinë që ka lojtari dhe punën që bën, nuk ka rëndësi ku luan. Mund të luaj në Kore, Shqipëri apo vend tjetër të Botës. Ne shohim kualitetin dhe jo se ku luan”, shtoi Braziliani

Ai bëri të qartë se “objektivi ishte që të mbërrinim në nëntor me mundësinë për t’u kualifikuar, tani jemi këtu. Kemi gjithçka në dorë. Jam i kënaqur nga tifozët, skuadra, ambienti. Objektivi është të shkojmë në Europian, është një ëndërr me të cilin njerëzit jetojnë. Ne jetojmë me këtë ëndërr prej 10 muajsh. Po përgatitemi për një ndeshje të vështirë, të dyja janë shumë të vështira. Moldavia ka të gjitha shanset të kualifikohet, nuk do të jetë e lehtë”, u shpreh Sylvinho.

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy sfidat e fundit kualifikuese për Europianin 2024. Në grupin E, kuqezinjtë e Sylvinhos udhëtojnë në Moldavi më 17 nëntor dhe më 20 nëntor presin në Tiranë përfaqësuesen e Ishujve Faroe.

Në grupin E, Shqipëria me 13 pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Çekia me 11-të, Polonia me 10-të, Moldavia me 9-të dhe Ishujt Faroe me vetëm një pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *