Amnistia Penale/ Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj lirohet nga burgu i Reçit

Spread the love

Përfitues i amnistisë penale që nis të zbatohet këtë të mërkurë është edhe ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.
Frrokaj u dënua në muajin tetor të vitit 2022 me 3 vite burg për veprën penale shpërdorim detyre, për tjetërsim pronash tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

“Përshëndetje për të gjithë. Shëndet dhe mbarësi për familjet e tyre. Uroj të mos ta provojë askush”, ishte mesazhi i Frrokajt pas daljes nga burgu.

Ndërkohë Frrokaj sapo ka lënë burgun e Reçit.

Kujtojmë se Fran Frrokaj u dënua me burgim për veprën penale shpërdorim detyre, për tjetërsim pronash tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Gjykata e Posaçme e shpalli atë fajtor për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës” duke i caktuar 2 vite burgim, por nga gjykimi i shkurtuar u dënua përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim.

Ai dhe 15 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë së Lezhës, u akuzuan se kishin bërë tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Hetimet për tjetërsimin e pronave kanë nisur në vitin 2017-tës.

Sot nisi zbatimi i ligjit për amnistinë penale, pas miratimit në Kuvend me konsensusin e opozitës dhe mazhorancës.  Prej orës 13:00 nga ambientet e burgjeve ka nisur lirimi i të burgosurve përfitues.

Nga ky ligj përfitojnë 1100 të dënuar, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove. Nga amnistia do të përfitojnë edhe protestuesit e opozitës, ku pushohen menjëherë 232 çështje. Sipas ligjit të botuar në fletoren zyrtare, nga amnistia do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024. 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte sot në burgun e Rrogozhinës që ka edhe numrin më të madh të të dënuarve që përfitojnë nga amnistia.

Manja tha se në shkallë vendi numri i personave që lirohen sot nga amnistia është 780, numër që pritet të përditësohet me personat që gjenden në komisariate dhe përfitojnë nga kjo amnisti.

Në total numri i përfituesve nga amnistia është 1600, pasi 800 të dënuar përfitojnë ulje të dënimit.

“Në shkallë vendi sot ka startuar zbatimi i ligjit për amnistinë, sot do lënë qelitë rreth 780 të dënuar, kjo shifër do të përditësohet se ka një numër të dënuarish që gjenden në komisariate dhe janë përfitues të amnistisë. 800 janë përfitues me ulje dënimi, në total 1600 të dënuar përfitojnë nga amnistia. 15 gra lirohen , 9 të tjera përfitojnë ulje dënimi dhe deri në vjeshtë lirohen, nga 38 të dënuara që gjenden në burgun Ali Demi në Tiranë, përfitues janë 3 të mitur, 2  përfitojnë ulje dënimi. Përfitues janë edhe 2666 persona në shërbim prove. Nga kjo amnisti buxhetit të shtetit i kursehen 30 milionë euro.”, tha Manja.

Kosto ditore për çdo të dënuar, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, siguria, trajnimi i stafit policor apo shërbimi shëndetësor dhe ai social përllogaritet në 3 mijë e 400 lekë, ndërsa për të paraburgosurit 2 mijë e 800 lekë. Çdo ditë për këto dy kategori të dënuarish dalin nga buxheti i shtetit mbi 16.2 milionë lekë, ndërsa kosto mujore shkon në gati 500 milionë lekë. Marrë në harkun e një viti, nga arka e shtetit do të dalin gati 860 milionë lekë apo 8.5 milionë euro.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, burgu i Drenovës në Korçë dhe ai i Shën Kollit në Lezhë janë të mbipopulluar. Ndërkohë, në prag të mbushjes janë edhe disa Institucione të tjerë të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Veç kostove, amnistia pritet t’i shërbejë edhe lehtësimit të burgjeve në drejtim të kapaciteteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *