5 miliardë euro koncesione dhe PPP, SPAK mësyn në ministrinë e Belinda Ballukut!

Spread the love

Strategjia kryesore që po ndjekin prokurorët e posaçëm në hetimin e dosjeve të korrupsionit nëpër ministritë që qarkullojnë miliona euro përmes tenderave, është sekuestrimi i telefonave të pjesës së administratës civile.

Më pas, përmes provave, indicieve apo gjurmëve që mund të gjenden nga komunikimet e zyrtarëve të nivelit të dytë të ministrive me eprorët, apo vartësit e tyre, plotësojnë dosjen hetimore dhe në rastet kur gjenden shkelje ngrenë akuzat për zyrtarët e administratës civile të ministrisë, apo edhe vetë ministrin, apo ish-ministrin.

Kështu ka ndodhur nga hetimet që SPAK ka ndërmarrë në ministrinë e Mjedisit, atë të Financave, por edhe në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, në kuadër të dosjes hetimore mbi dyshimet e keqmenaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian.

Në shënjestër të prokurorëve të posaçëm janë dikasteret që tërheqin pjesën e luanit nga buxheti i shtetit për tendera, koncesione e kontrata PPP.


Por cila ministri e ka peshën e luanit?

Ministria e Financave nuk ka publikuar raportin mbi ecurinë e koncesioneve dhe PPP-ve për vitin 2022.

Ligjërisht, ky raport duhej të ishte publikuar brenda qershorit 2023. Jozyrtarisht, Ministria e Financave thotë për Voxnews.al se vonesa me më shumë se gjashtë muaj në publikimin e këtij raporti është shkaktuar nga autoritetet kontraktore, ato që kanë dhënë dhe mbikëqyrin kontratat koncesionare dhe PPP-të, që sipas Financave nuk kanë dorëzuar ende të dhënat.

Në mungesë të raportit për vitin 2022, Voxnews.al po u referohet të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave për vitin 2021.

Për këtë vit, numri total i kontratave koncesionare, apo PPP raportohet 228 të tilla, nga të cilat 206 janë koncesione e kontrata PPP të dhëna nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtuar nga Belinda Balluku.

Vlera e koncesioneve dhe kontratave PPP të dhëna nga Ministria e Ballukut, në total shkon në gati 5 miliardë euro, ose 75 për qind e buxhetit të shtetit të parashikuar për këtë vit.

5 miliardë euro koncesione dhe PPP, SPAK mësyn në ministrinë

Shifra marramendëse e parave që qarkullohen me firmë e vulë të Belinda Ballukut ka tërhequr vëmendjen e SPAK, që nën hetim ka disa koncesione dhe tendera të dhënë në fushën e infrastrukturës.

SPAK tregohet hermetik në lidhje me subjektet që janë nën hetim, por burime të Voxnews.al pohojnë se janë disa tendera që janë në fazë të avancuar të hetimeve paraprake dhe që ngrenë dyshime se zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, në rastin më të mirë kanë shpërdoruar detyrën dhe në rastin më të keq kanë qenë pjesë e një rrjeti kompanish e individësh që kanë ngritur një skemë manipulimi të ofertave në tendera publikë.

Në kuadër të këtyre hetimeve, burimet i thanë Voxnews.al se SPAK ka sekuestruar edhe telefonin e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi.

Zyrtarisht, Voxnews.al nuk mund ta konfirmojë këtë lajm, por jozyrtarisht sekuestrimi pohohet nga tre burime të afërta me hetimet e nisura nga SPAK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *