Trump mund të fitojë në Gjykatën e Lartë edhe të zvarrisë gjyqet deri pas zgjedhjeve të nëntorit

Spread the love

Ish-presidenti amerikan Donald Trump mund të jetë në gjendje të shpallë fitoren në çështjen e ardhshme që do të trajtojë Gjykata e Lartë mbi imunitetin presidencial, edhe nëse gjyqtarët do t’i refuzojnë argumentet e tij më ekstreme.

Çështja që do të trajtohet këtë të enjte është nëse akuzat penale të Trump për shkak të përpjekjes së tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 duhet të hidhen ose jo poshtë bazuar në pretendimin për një imunitet më të gjerë.

Edhe nëse gjykata e refuzon këtë argument, ajo mund ta rikthejë sërish çështjen tek gjyqtarja e Gjykatës së Qarkut me bazë në Uashington, Tanya Chutkan për më shumë shqyrtim mbi atë nëse disa nga veprimet e Trump janë apo jo të mbrojtura nga ndjekja penale.

I planifikuar fillimisht për gjykim në muajin mars, dhe i shtyrë disa herë, një vendim i tillë do të shtonte më tej gjasat që ndonjë nga gjyqet e shumta ndaj Trump të përfundojë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

“Preferenca e parë e Donald Trump do të ishte një vendim se ai është imun ndaj ndjekjes penale. Por preferenca e dytë, do të ishte një vendim sipas të cilit ekziston një lloj testi i komplikuar për imunitetin, ndaj çështja duhet të rikthehet në shkallën e parë”- thotë Richard Bernstein, një avokat që e ndihmon gjykatën duke i dhënë informacione apo këshilla mbi çështjen dhe që kundërshton pretendimet e Trump në emër të ish-zyrtarëve të qeverisë.

Në këtë skenar “çështja do të bllokohej”, dhe do të mbetej ende pa përgjigje pyetja se deri në çfarë mase secila nga 4 pikat e aktakuzës, mbështetet tek aktet zyrtare të presidentit të atëhershëm, dhe që mund të mbrohen nga ish-presidenti.

Rasti i padisë në Uashington, i ndarë nga gjyqi penal që po vazhdon në Nju Jork, ka të bëjë me përfshirjen e Trump në një skemë për paraqitjen e certifikatave të rreme zgjedhore në Kongres me shpresën se kjo do të anulonte fitoren e Joe Biden, në një zinxhir ngjarjesh që çuan në sulmin e 6 janarit në Capitol Hill, godinën e parlamentin amerikan nga ana e mbështetësve të Trump.

Prokurorët e udhëhequr nga këshilltari special Jack Smith, thonë se ato akte përbënin një sërë krimesh. Ndërkohë Trump pretendon se ai thjesht po shprehte shqetësimet e tij, të cilat nuk bazoheshin në asnjë provë, se rezultati i zgjedhjeve ishte deformuar nga manipulimet e demokratëve.

Katër janë akuzat me të cilat përballet Trump: komplot për të futur në kaos Shtetet e Bashkuara, pengim i një procesi zyrtar, komplot për të penguar një procedurë zyrtare dhe komplot për të shkelur të drejtën dhe numërimin e votës. Çështja nëse akuza për pengim të mund të përdoret për të ndjekur penalisht personat e përfshirë në trazirat e 6 janarit, është subjekt i një procesi tjetër që u mbajt javën e kaluar në Gjykatën e Lartë.

Kundërshtarët e Trump shpresojnë se një gjyq mund të zhvillohet para zgjedhjeve. Ata shpresojnë se një vendim fajësie mund të ndikojë jo pak në zgjedhjet e nëntorit, në të cilat Trump përballet edhe një herë kundër Biden. Disa juristë mendojnë se në shumë aspekte Trump ka fituar tashmë duke e bindur Gjykatën e Lartë që të mos ndërhyjë tek kjo çështje në një fazë të hershme.

Kjo e bën më pak të mundshëm që një gjykim të mund të zhvillohet përpara zgjedhjeve edhe nëse kërkesa mbi imunitetin e zgjeruar refuzohet plotësisht.

Trajtimi i deritanishëm i çështjes në fjalë nga Gjykata e Lartë mund të sugjerojë se nuk do të ketë një vendim gjithëpërfshirës kundër Trump, siç kanë parashikuar disa nga ekspertët më të mirë të fushës. Gjykata mund të mendojë se ka disa detyra zyrtare që meritojnë imunitet, por ia lë në dorë një gjykate që të kuptojë se si zbatohet kjo për çështjen e Trump, thotë Randall Eliason, ish-prokuror federal, aktualisht lektor në Shkollën Juridike të Universitetit Xhorxh Washington.

“Arsyeja pse ata e trajtuan këtë çështje, është se duan të shkruajnë diçka më të nuancuar që pranon se presidenti apo ish-presidenti mund të ketë imunitet në disa rrethana”- shtoi ai. Smith thotë se me aq sa ka parë në dokumentet e dosjes, Trump nuk ka imunitet dhe se çështja duhet të shkojë menjëherë në gjyq.

Por në analizën e tij të fundit, Smith ofroi pikëpamjet e tij se çfarë duhet të bëjë gjykata nëse mendon se ka një formë imuniteti për aktet zyrtare. Në këtë skenar, gjyqi duhet të vazhdojë, sepse akuzat përfshijnë edhe “sjellje private”, të cilat nuk kanë të bëjë fare me detyrat zyrtare të Trump.

Nëse ka shqetësime mbi veprimet që duhet t’i nënshtrohen imunitetit, duke u përdorur si provë kundër Trump, gjykata mund të vlerësojë nëse ato prova duhet të përjashtohen apo jo, argumenton Smith. Teza e prokurorisë mbi rastin në fjalë, është se çdo përdorim i pushtetit zyrtar presidencial “ishte thjesht një mjet shtesë për arritjen e një qëllimi privat: qëndrimi në detyrë edhe pas humbjes së zgjedhjeve”.

Smith përmend ndër të tjera, koordinimin e Trump me avokatët e tij për formulimin e mbrojtjes dhe paraqitjen e certifikatave të rreme zgjedhore në Kongres me shpresën se zëvendëspresidenti i atëhershëm Mike Pence do të refuzonte të vërtetonte fitoren e Biden.

Po ashtu Smith tha se ka të paktën disa prova që burojnë nga organet zyrtare, që mund të përdoren në gjyq për të treguar “njoftimin e Trump mbi falsitetin e pretendimeve të tij për mashtrime zgjedhore”. Pretendimi i Trump për një imunitet gjithëpërfshirës nga ndjekja penale, bazohet tek një vendim i Gjykatës së Lartë të vitit 1982, Nixon vs Fitzgerald, që thoshte se presidentët nuk mund të paditen për sjellje brenda “perimetrit të jashtëm” të detyrave të tyre zyrtare. Por ajo ishte një çështje civile dhe nuk është zbatuar kurrë në kontekstin penal.

Në mbrojtjen e Trump trajtohet edhe mundësia e një paraburgimi të tij. Avokatët e tij duket se parashikojnë një procedurë paraprake që do të përfshinte shqyrtimin e detajuar, nëse sjellja e tij do të përbënte akte zyrtare që janë të mbrojtura nga imuniteti.

Ata citojnë një vendim të Gjykatës së Apelit, e cila lejoi vazhdimin e padive civile kundër Trump lidhur me përfshirjen e tij në ngjarjet e rënda të 6 janar. Ajo gjykatë hodhi poshtë argumentin mbi imunitetin e zgjeruar të Trump në raport me këto akuza, megjithatë theksoi se ky i fundit mund ta ngrejë sërish këtë ankesë më vonë gjatë procesit gjyqësor.

Po ashtu Trump mund të synojë të apelojë çdo vendim kundër tij përmes një procedure paragjyqësore, edhe pse në varësi të mënyrës se si funksionon procesi, mund t’i duhet të presë deri pas përfundimit të gjyqit. Ndryshojnë opinionet mbi kohën që do të duhet, nga disa ditë në javë, kur mund të shtohet një proces gjyqësor shtesë për imunitetin përpara se të fillojë një nga gjyqet e tij të shumta.

“Sesa vonesa mund të shkaktojë kjo, mbetet pyetje e hapur”- shprehet Matthew Seligman, një tjetër avokat. Chutkan, që e la çështjen në pritje ndërsa Trump e apeloi çështjen e imunitetit, ka thënë më herët se një gjyq mund të fillojë 3 muaj pasi ajo ta kthejë çështjen pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Nëse ky vendim vjen në fund të qershorit, kur Gjykata e Lartë nxjerr zakonisht vendime mbi çështjet e saj më të rëndësishme përpara se të merren pushimet e verës, kjo do të çonte në një proces që fillon jo më herët se fundi i shtatorit. Gjyqi mund të zgjasë deri në 12 javë. Një gjyq përpara datës së zgjedhjeve është ende teorikisht i mundur, por “hapësira po ngushtohet” thotë Eliason.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *