Shqipëria ‘pushtohet’ nga moti i keq, ndërpritet energjia në Kukës; dëbora vështirëson qarkullimin në disa akse rrugore

Spread the love

Shqipëria është “pushtuar” nga reshje të dendura dëborë në zonat malorë si dhe reshjesh shiu e shtrëngatash në zonat e ulëta.

Reshje bore me intensitet ka pasur në Bulqizë dhe Peshkopi. Temperaturat shënojnë 5 gradë, ndërsa raportohet për probleme në lëvizjen e mjeteve në Bypasin e Rrugës së Arbrit dhe segmentin Plan i Bardhë-Qafa e Buallit.

Po ashtu edhe territori i Kukësit gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm.

Në qarkun e Kukësit, rrugët janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Po ashtu raportohet se disa zona janë pa energji elektrike.

“I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë gjithë natës dhe vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore, ku lartësia e borës shkon deri në 15-30 cm.

Nga informacioni i marrë nga terreni rezulton se:

Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe  Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë.

Furnizohet me energji elektrike pjesërisht qyteti i Kukësit dhe Nj Adm Zapod.

Furnizohet normalisht qyteti Krumës dhe i B.Currit. E gjithë pjesa tjetër e Qarkut nuk furnizohet për momentin me energji elektrike. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.”- njofton prefektura.

Shqipëria ‘pushtohet’ nga moti i keq, ndërpritet energjia

Reshjet e borës në Kukës

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se ditën e sotme vendi ynë do të të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme  atmosferike si rezultat i kalimit të një fronti të ftohtë, shoqëruar me masa ajrore të ftohta dhe të lagështa.

Moti parashikohet me vranësira të dendura, shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave. Në periudha afatshkurtra, reshjet përgjatë Ultësirës Perëndimore do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike e breshër.

Në relievet malore në verilindje, në lartësitë mbi 300 metër dhe juglindje, në lartësitë mbi 500 metër ka reshje dëbore me intensitet të ulët e mesatar. Në periudha afatshkurtra, reshjet e dëborës janë me intensitet të lartë në formën e stuhive dhe shtrëngatave të dëborës. Mjegull e dendur/mjegullinë dhe reduktim shikimi në orët e mëngjesit dhe në momentin e reshjeve të shiut e të dëborës.

Era fryn intensive, me drejtim verilindje – juglindje dhe shpejtësi mesatare 3-12 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era bëhet tepër intensive e problematike, si dhe me shpejtësi 16-24 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 3-5 ballë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *