Në kërkim nga SPAK, publikohet një video e Ervin Matës

Spread the love

Edhe pse SPAK e ka shpallur në kërkim, Ervin Mata duket se shijon arratinë. Në media është publikuar një video e tij.

Emri i tij është lakuar për herë të parë në ngjarjen e 4 Tetorit të 2018-ës ku humbi jetën Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj e Elion Hato.

Për këtë ngjarje, Mata u shpall në kërkim nga policia në atë kohë. Mata u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në 2 Mars 2019 pas disa muajsh në kërkim.

Atëherë gjatë marrjes në pyetje tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës.

Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori ndërsa prokuroria kërkoi arrest me burg mbi Matën.

Në Qershor të vitit 2021, ai u dënua me 6 muaj burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit dhe Mata u dënua me 4 muaj burg që u konvertua në 100 ditë pune në interes publik.

Në atë kohë u tha se përplasja mes tyre nisi për çështje rozë, por gjithmonë ka pasur dyshime se janë përplasur për një shumë të madhe parash të paligjshme, raporton “Klan”.

Në 30 Maj të 2020-ës, Matës iu vendos një sasi eksplozivi hoteli në afërsi të QSUT në pronësi të tij. Po ashtu Mata është lakuar si i përfshirë në çështjet e trafikimit ndërkombëtar të drogës.

Së fundmi Ervin Mata kërkohet si pasojë e një operacioni të SPAK që ka goditur një grup kriminal, pjesëtarët e së cilës akuzohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *