Lidhjet e shërbimi sekret rus me partinë e Salvinit, partnerit kryesor të qeverisë Meloni në Itali

Spread the love

Në vitin 2019, Salvini e quajti Putinin “shtetarin më të mirë në botë”, dhe ka mbetur kritik ndaj sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, madje edhe pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini në shkurt 2022. Në maj të atij viti, Salvini planifikoi të vizitonte Moskën në një “mision paqeje”.

Andrey Kharchenko, një operativ rus i inteligjencës, qëndron pas një përpjekjeje skandaloze për t’i dhënë partisë italiane të ekstremit të djathtë, LEGA, 65 milionë dollarë si pjesë e një marrëveshjeje të parealizuar në këmbim të shitjes së naftës. Kjo është zbuluar nga një investigim i ri i “The Insider”.

Marrëveshja u negociua në një hotel luksoz në Moskë në tetorin e vitit 2018 dhe diskutimet u regjistruan fshehurazi. Nga pala italiane ishte Gianluca Savoini, krahu i djathtë i zëvendëskryeministrit aktual të Italisë, Matteo Salvini, lideri i partisë populiste LEGA (që në atë kohë njihej si LEGA Nord, ose Lidhja e Veriut).

Ndërsa janë identifikuar edhe pjesëmarrësit e tjerë në atë takimit, nuk është përmendur deri më sot roli i Kharchenkos si agjent i shërbimit sekret rus. Ky detaj mund të rihapë një dosje tashmë të mbyllur në Itali me akuzën e korrupsionit ndërkombëtar. Për më tepër Kharchenko nuk është thjesht një spiun.

Ai është një oficer i lidhur me krahun e inteligjencës së huaj të Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë, ose FSB, një njësi ushtarake e njohur si Shërbimi i Pestë. Është e njëjta njësi  spiunazhi, që u përpoq të destabilizonte politikisht Ukrainën si gjatë Revolucionit të Euromaidanit në vitet 2013-2014, që solli rrëzimin e presidentit ukrainas pro-Kremlinit, Viktor Janukovich.

Po ashtu ai pati një rol kryesor në planifikimin e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Për më tepër, siç kemi raportuar kohët e fundit, Shërbimi i Pestë ka rekrutuar dhe trajtuar të paktën 2 bashkëpunëtorë me pozitë politike në Evropë:Tatjana Zdanoka, një eurodeputete letoneze, që tani është nën hetim nga Parlamenti Evropian, dhe Vladimir Sergienko, ish-ndihmës i europarlamentarit gjerman reaksionar Eugen Schmidt, i cili u “pezullua” nga detyra pas zbulimeve të “Insajder” se ai kishte bashkëpunuar me inteligjencën ruse.

I lindur në Azerbajxhan në vitin 1980, lidhja e Kharchenkos me FSB-në, agjencinë e sigurisë së brendshme të Rusisë, pasardhëse e KGB-së së epokës sovjetike, u zbulua përmes një rrjedhjeje të fundit të të dhënave ruse të sigurimeve shoqërore. Ato tregonin qartë se cilët kanë qenë punëdhënësit e tij gjatë dy dekadave të fundit.

Të gjitha ishin njësi ushtarake të lidhura me FSB-në. Kharchenko aktualisht është i lidhur me Igor Levitin, një ndihmës i presidentit Putini. Dhe përpjekja më e njohur e tij për të injektuar paratë e Kremlinit në sistemin politik të një shteti anëtar të BE-së dhe NATO-s ndodhi më 18 tetor 2018 në hotelin Metropol në qendër të Moskës.

Marrëveshja parashikonte shitjen e 3 milionë tonëve naftë nga një kompani ruse e paspecifikuar energjetike tek homologia e njohur italiane, ENI, për një çmim prej vetëm 1.5 miliardë dollarësh. Pra një ulje prej 65 milionë dollarësh duke pasur parasysh normën e tregut në atë kohë. Pjesa më e madhe e asaj zbritjeje (sigurisht duke mos llogaritur pjesën që do të merrnin rusët në formën e ryshfetit) do të shkonte në arkat e LEGA-s.

Në marsin e vitit 2018, ajo ishte bërë partia e dytë më e madhe në parlamentin italian, me  125 mandate (shifër që ra në 59 pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022). Por takimi në hotel Metropol nuk ishte i vetmi. Siç raportojnë Stefano Vergine dhe Giovanni Tizian, partnerët investigativë të “The Insider”, negociatat mbi marrëveshjen e naftës “përbëheshin nga 40 takime, të zhvilluara kryesisht midis prillit 2018 dhe shkurtit 2019”.

Pierfrancesco Majorino, një ish-deputet italian nga radhët e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, aktualisht këshilltar në Rajonin e Lombardisë, tha për “The Insider”: “Klika e Salvinit, e udhëhequr nga Savoini, luajti me zjarrin duke pasur një marrëdhënie të rrezikshme me ata që nuk i vlerësojnë vlerat demokratike. Unë mendoj se përveç pasojave gjyqësore, në nivelin  politik ne duhet ta analizojmë në detaje atë që ka ndodhur në hotel Metropol”.

Përveç Savoinit, në takimin e tetorit 2018 morën pjesë edhe dy italianë të tjerë: Gianluca Meranda, një konsulent; dhe Francesco Vannuçi, një ekspert bankar. Siç e shpjegoi Savoini në takimin në Metropol, partneriteti Romë-Moskë, i lidhur nga paratë e naftës, do të ishte një marrëdhënie e bazuar në interesin e përbashkët.

“Një Evropë e re duhet të jetë pranë Rusisë si më parë, pasi ne duam të kemi sovranitetin tonë”- tha ai para të pranishmëve, duke shtuar se “Moska është Roma e tretë”, një referencë ndaj një slogani mesjetar megaloman ku Rusia pretendon se trashëgoi mantelin e perandorisë së mëparshme të krishterë nga dy qytete, Roma dhe Kostandinopoja.

Kur nisën të qarkullojnë zërat për këtë takim në mediat italiane, Salvini dhe Savoini refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me të, duke i cilësuar si “fantazi” dhe “komplote të trilluara”. Por kur në Buzzfeed dolën regjistrimet e fshehta, kjo shkaktoi një skandal me përmasa ndërkombëtare.

Prokurorët italianë nisën një hetim që u mbyll verën e vitit të kaluar, me justifikimin se ata nuk kishin gjetur asnjë provë për blerjen e propozuar të naftës dhe as për hyrjen e ENI në ndonjë marrëveshje me një kompani ruse të naftës.

Por kur u mbyll hetimi i prokurorëve italianë, nuk dihej pozicioni i Kharchenkos në aparatin e organeve ruse të sigurisë. Dhe ndërsa një spiun i Kremlinit mund të mos jetë dhe aq “publik” për rolin e tij, një operativ i FSB-së sigurisht që kualifikohet si një zyrtar qeveritar.

50-vjeçari nga Milano, Matteo Salvini, një nacionalist i krahut të djathtë, ka kritikuar prej dekadash emigrantët myslimanë dhe burokracinë e BE-së, ndërsa në të njëjtën kohë ka mbrojtur hapur lidhjet më të ngushta midis Italisë dhe Rusisë. Në vitin 2014, një Salvini i qeshur u fotografua në Sheshin e Kuq të Moskës i veshur me një bluzë të bardhë të zbukuruar me një portret të Putinit me uniformë ushtarake.

Në vitin 2019, Salvini e quajti Putinin “shtetarin më të mirë në botë”, dhe ka mbetur kritik ndaj sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, madje edhe pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini në shkurt 2022. Në maj të atij viti, Salvini planifikoi të vizitonte Moskën në një “mision paqeje”.

Por udhëtimi u anulua pasi u zbulua se ambasada ruse në Itali kishte paguar për biletat për Salvinin dhe delegacioni i tij. Bashkëpunëtori i tij i ngushtë Savoini, ka kryer 14 udhëtime në Rusi etëm në vitin 2018. Ai ka vizituar në vitet 2014 dhe 2016 Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Në vitin 2018 ai ka pasur edhe një takim me Aleksandr Dugin, filozofin më të shquar fashist të Rusisë, një përkrahës i tezës së euroazianizmit, e bazuar në ortodoksinë lindore dhe vlerat tradicionale që e inkuadron Rusinë në terma të ashpër civilizues si një perandori botërore.

Dugin ka thënë se Ukraina është një “shtet bastard” që duhet “të fshihet nga faqja e dheut”.

Organizata e themeluar prej tij, Unioni i Rinisë Euroaziatike, organizon tubime me aktivistë të ekstremit të djathtë nga e gjithë Evropa. Madje ai ka ngritur kampe stërvitore paraushtarake dhe organizoi protesta që mbështesnin pushtimin e Donbasit nga Rusia që në vitin 2005, një vit pasi Revolucioni Portokalli pro-demokratik i Kievit rrëzoi pro-rusin Janukovich.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *