Gjyqi për Fredi Belerin/ GJKKO rrëzon kërkesën për përjashtim e gjyqtares Irena Gjoka, pranohet kërkesa e Prokurorisë për dëshmitarin

Spread the love

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka si dhe të gjithë trupës gjykuese.

Në seancën e zhvilluar sot për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë që dëshmia e Arsen Ramës të bëhet me dyer të mbyllura.

Ndërkohë dëshmitë e tjera do të mbahen me dyer të hapura. Sipas prokurores Dorina Bejko, Arsen Ramës i është dëmtuar në Vlorë makina e tij dhe e bashkëjetueses dhe se rasti është referuar nga policia e Vlorës.

Po ashtu në seancë janë thirrur edhe banorë të tjerë të cilët do të dëshmojnë nëse janë kontaktuar nga pjesëtarë të stafit elektoral të Belerit për ta votuar këtë të fundit në zgjedhjet e 14 majit, në këmbim të shumave monetare.

Risjellim në vëmendje se në seancën e fundit të zhvilluar më 24 tetor, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat paraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore.

GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj.

Pas këtij vendimi, avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese. Ndërsa gjykata vendosi që këtë kërkesë ta paraqesin me shkrim në sekretarinë e gjykatës. Tashmë po vijon shqyrtimi gjyqësor për çështjen Beleri, ndërsa ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancë.

Beleri e ka konsideruar mbajtjen në burg si politike. Lidhur me mosbetimin e tij si kryebashkiak dhe me mbajtjen e tij në burg kanë reaguar dhe politikanë të Greqisë të cilët herë pas here kanë kërcënuar vendin tonë në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Belerit i është refuzuar 5 herë kërkesa për të dalë nga paraburgimi.

Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *