Avionët e Aleancës mbërrijnë në Kuçovë, hapet baza ajrore e NATO-s në Shqipëri

Spread the love

Gjatë hapjes së bazës ajrore të NATO-s, krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të Aleancës kanë mbërritur për të marrë pjesë në inaugurimin e bazës taktike të NATO-s në Kuçovë.

Me përurimin e bazës më 4 Mars trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj do të akomodohen, stërviten dhe fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës. Kjo bazë ajrore taktike u përmend edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Në ceremoni fjalën e nisi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe më pas vijon shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major, Arben Kingji, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane, David Wisner, ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, ministri Italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe presidenti Bajram Begaj.

Sipas kryeministrit Edi Rama, Baza Ajrore Taktike e NATO-s do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *