Shqipëria në garë me Italinë për Dritan Rexhepin, kërkesë zyrtare Turqisë për ekstradimin e “bosit” të drogës

Spread the love

Shqipëria i ka dërguar këtë të mërkurë kërkesë Turqisë, për ekstradimin e Dritan Rexhepit, i cili u arrestua javë më parë në Stamboll.

Njoftim! Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi! Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, thuhet në njoftimin e Minsitrisë së Drejtësisë.

43 vjeçari, i cilësuar si koka e kartelit të drogës, u arrestua në Stamboll me një pasaportë kolumbiane, të regjistruar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

– Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

– Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Akuzat në Shqipëri

Dritan Rexhepi, deri në vitin 2010 rezultonte i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve në Krujë në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Por 4 vjet më parë çështja gjyqësore u veçua. Rexhepi u dënua me 25 vjet burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Sokol Halilaj e Shefqet Seferi, me nga 20 vite burg. Dosja Dritan Rexhepin, i njohur edhe me emrin Gramoz, u veçua pasi ky shtetas ndodhej në burg në Itali dhe u dërgua një letër-porosi atje.

Ky ka qenë një nga shkaqet pse Apeli ktheu për rigjykim dosjen, pasi Rexhepi duhej lajmëruar në Itali për gjyqin në ngarkim të tij, ndërsa ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata pa u vënë në dijeni se po gjykohej. Gjykata ka shpallur fajtor për vrasjen e trefishtë të ndodhur në vitin 1999 Sokol Halilajn dhe Shefqet Seferin, bashkëpunëtorë të Dritan Rexhepit në këtë krim.

Seferi ka qenë si ndërmjetësues mes dy vlonjatëve, Halilaj e Rexhepi, të cilësuar edhe vrasës me pagesë. Të tre këta persona akuzohen për vrasje për shkak të detyrës të dy efektivëve të policisë, Arben Keqin dhe Durim Kasmin, në vitin 1999 në Krujë. Në ngjarje, rastësisht u vra dhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi.

Interpoli: Katër shtete hynë në aksionin për kapjen e shqiptarit

Zyra qendrore e Interpolit në Lion të Francës ka vlerësuar rolin e Policisë shqiptare dhe Interpol Tiranës në arrestimin e identifikimin e një prej personave më të kërkuar, shtetasit shqiptar Dritan Rexhepi. Në faqen zyrtare të Interpolit jepen detaje të operacionit “Infra Red” gjatë të cilit u arrestua Dritan Rexhepi në Ekuador. “Arrestimi dhe identifikimi i një prej personave më të rrezikshëm dhe të kërkuar është një kredit për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit të përfshira. Kjo demonstron efektivitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe nënvizon vlerën e shërbimeve dhe mjeteve globale të Policisë dhe të Interpolit”, ka deklaruar drejtori Ekzekutiv i Shërbimeve të Policisë në Iinterok, Jean- Michel Louboutin.

Ai ka përshëndetur edhe hapin e rëndësishëm të marrë nga autoritetet shqiptare në evidentimin e Rexhepit si shënjestër në operacionin “Infra Red”. “Autoritetet në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador dhe Itali janë për t’u lavdëruar për rolin e tyre në bashkëpunim me zbatimin e ligjit në mbarë botën për të sjellë para drejtësisë një individ të kërkuar në nivel ndërkombëtar për vepra penale shumë të rënda”, ka drejtori Louboutin. Ende nuk është përcaktuar se ku do të ekstradohet fillimisht Dritan Rexhepi: në Shqipëri, ku kërkohet për vrasjen e dy policëve, në Itali, që po ashtu veç një krimi të rëndë është arratisur edhe nga burgu, në Belgjikë ku kërkohet për drogë, në Spanjë për grabitje, apo në Britaninë e Madhe, që e kërkon për shfrytëzim prostitucioni. Megjithatë, këtë çështje Interpoli e cilëson si më të thjeshtën për t’u zgjidhur, pasi më i rëndësishëm se gjithçka ishte arrestimi i Dritan Rexhepit.

Tri arratisjet nga Shqipëria, Italia e Belgjika

Mediat spanjolle u hapën me një kryeartikull në korrikun e vitit 2011, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve. Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e Champions League nga Barcelona.

Policia vendase u trondit nga mënyra se si i kryenin grabitjet e bankave shqiptarët, ndërsa i etiketoi si “grabitësit që nuk linin gjurmë”. Pas arrestimit Rexhepi u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk qëndroi më shumë se dy muaj në qeli, pasi në tetor të vitit 2011 ai u arratis nga burgu bashkë me një tjetër të dënuar.

Por kjo nuk ishte arratisja e parë e tij, ndaj edhe cilësohej si mjeshtër i arratisjeve. Në vitin 2008 ai kishte kryer një tjetër arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Rexhepi merr makinën e një të moshuareje dhe zhduket, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Por të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Shqipëri. Pasi u arrestua në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga Komisariati i Durrësit, pas një ndihmese nga radhët e policisë, që i lanë derën hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *