Rrëfehet gazetari i investigimit italian: Kam prova për lidhjet e Olsi Ramës me krimin, Engjëll Agaçi në lupën e Antimafias

Spread the love

Gazetari italian theksoi se Engjëll Agaçi ka një rol kryesor në marrëveshjen e emigrantëve, por edhe ka një fuqi të jashtëzakonshme në qeverinë e Ramës.

Gazetari italian, i cili realizoi investigimin mbi paktin Rama-Meloni ka folur në mediat shqiptare.

Giorgio Mottola, zbuloi se si u arrit te investigimi që ka tronditur themelet e qeverisë së Edi Ramës.

Sipas tij, filloi sigurisht nga protokolli Shqipëri-Itali që i gjeti të befasuar të gjithë në Itali.

Papritur zbuluam se Shqipëria dhe Italia kishin nënshkruar një marrëveshje që do të devijonte një pjesë të emigrantëve drejt vendit tuaj. Dhe është një marrëveshje kjo që jo vetëm ka një vlerë për Italinë, por edhe në nivel evropian sepse sikurse e deklaroi PPE gjatë kongresit të fundit, ky model shqiptar, pra modeli i zhvendosjes së emigrantëve në vende të treta, mund të përdoret edhe nga vendet e tjera. Pra jemi përpara një kthese epokale”, tregoi ai.

Gazetari italian theksoi se Engjëll Agaçi ka një rol kryesor në këtë marrëveshje, por edhe ka një fuqi të jashtëzakonshme në qeverinë e Ramës.

Do të thosha që Agaçi ka absolutisht një rol qendror në të gjithë këtë ngjarje. Nuk e them unë këtë, e thotë një eksponent i rëndësishëm i qeverisë së Ramës, Taulant Balla. Që nga momenti që erdha në Shqipëri, e kuptova se përtej Edi Ramës, kishte një figurë shumë qendrore, që është Engjëll Agaçi. Nisa të bëj investigime për të dhe aty u hap një botë e tërë. Sepse pastaj zbulova që fuqia dhe pushteti i Agaçit brenda qeverisë Rama ka një rol qendror, sidomos marrëdhëniet e tij me Italinë janë të rrënjosura”, tha gazetari në një intervistë për “Syri Tv”.

    Sipas tij, kjo marrëveshje ka ardhur në një sfond të dyshimtë dhe të rrezikshëm pasi Agaçi ka qenë avokat i bosëve të rëndësishëm të krimit.

    Nga këto investigime dolën ca aspekte që nuk i njihte askush nga ne, sepse as në Itali, kushtet se si u arrit në këtë marrëveshje kanë mbetur tërësisht konfidenciale. Sepse ne dimë që Meloni u takua me Ramën në gusht, por nuk e dimë se kush ka marrë pjesë në këto negociata. Ne na u shit sikur Shqipëria po i bënte një nder Italisë, pra na u shit përralla e bamirësit.

    Pastaj zbuluam se kishim të bënim me një marrëveshje që nuk zgjidh asgjë për problemin e emigracionit në Itali sepse vitin e kaluar kemi pasur një fluks prej 150 mijë emigrantësh, kurse në Shqipëri do vijnë vetëm 3 mijë të paktën për momentin”, tha ai.

    Më tej gazetari ka zbuluar se falë Agaçit, bosët e mafies ekstradoheshin me lehtësi në Shqipëri, pavarësisht se në Itali kishin marrë dënime me 20 vite. Sipas tij, kjo ka bërë që ai të ishte në monitorim nga Antimafia Italiane.

    Por është edhe më i kuptueshëm roli i Shqipërisë në këtë marrëveshje. D.m.th në ditën e marrëdhënieve mes organizatave kriminale italiane dhe shqiptare, gjithçka bëhet më e qartë. Mund të shohim edhe cili ishte roli i avokatit Agaçi në Itali, që ka qenë avokati i bosëve më të rëndësishëm në Itali, që kanë siguruar një trajtim të veçantë. Kemi zbuluar se ka pasur sinjalizime nga magjistratët dhe antimafia se si bosët e mafies italiane ekstradoheshin me lehtësi në Shqipëri, pavarësisht se në Itali kishin marrë dënime me 20 vite, kur vinin në Shqipëri shlyenin vetëm dy-tre vjet apo ndonjë muaj dhe më pas dilnin të lirë. Kështu që u habitëm kur morëm vesh që avokati i këtyre bosëve ishte Agaçi”, tha gazetari.

    Gazetari tha se ka prova absolutisht për këto që thotë për Agaçin. Sipas tij, historia e marrëveshjes për paktin e emigrantëve mund të bëhet e rrezikshme. Nga ana tjetër ai ka plasur bombën dhe për Olsi Ramën.

    Ai thotë se emrin e vëllait të Edi Ramës, si njeri i lidhur me kartelet e drogës, ia kanë dhënë magjistratët italianë.

    Nga dokumentet gjyqësore, nuk është se i gjeta unë, por janë magjistratë që i kanë gjetur emrat. Është një emër që m’u përmend që në fillim të investigimit. Disa magjistratë, që kanë punuar për vite të tëra në Shqipëri, i ishin referuar marrëdhënieve të vëllait të Edi Ramës me disa subjekte që i përkasin karteleve të drogës.

    Më pas në Shqipëri kam gjetur edhe konfirmim të këtyre deklaratave, por gjithmonë kam pasur ngurrim dhe frikë për të përmendur emra që kanë të bëjnë me familjen e kryeministrit Rama.

    Dhe më pas arrita të gjej dokumentet dhe për mendimin tim nuk ka keqkuptime, janë të qartë se tregojnë marrëdhëniet e Olsi Ramës me këto subjekte që janë dënuar për narkotrafik.

    Vëzhgimi që më ka shqetësuar më shumë është se emri i Olsi Ramës nuk është përmendur aspak në hetime”, tha Giorgio Mottola.

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *