Trafiku i armëve Tiranë-Durrës, zbardhet dëshmia e ish-efektives së burgjeve

Spread the love

Ish-efektivja e Policisë së Burgjeve, Denisa Halilaj, e cila u arrestua një ditë më parë së bashku me një grup prej 4 personash pasi trafikonin armë, e ka pranuar që kryente rolin e vëzhgueses. Megjithatë ajo ka mohuar para hetuesve, që të ketë pasur dijeni se në makinën e dytë ‘BMË’ ka pasur armë.

Sipas saj, grupi i djemve i kishin thënë se do të shkonin në Tiranë për të shoqëruar disa persona dhe asnjëherë nuk i është përmendur se do të shiteshin arsenal armësh. Në deklarimet e saj, 22-vjeçarja ka pohuar lidhjen me automjetin tjetër dhe sipas saj përgjatë gjithë itinerarit ka kryer rolin e vëzhgueses dhe hapjes së rrugës, me qëllim mbërritjen pa probleme në Tiranë.

Ndërkohë, 4 të arrestuarit e tjerë, Denis Hasaj, Marjan Hasaj, Redi Nika dhe Sabian Hasaj, kanë kyçur gojën para hetuesve, duke mos treguar asnjë detaj për shitjen e armëve, përfshirë këtu edhe emra të personave ku do të shiteshin në Tiranë.

Grupi hetimor pritet të analizojë në mënyrë të detajuar 5 aparatet e tyre celular për të zbardhur prova të tjera për veprimtarinë kriminale.

9 armët e sekuestruara rezultojnë të jenë të ’97-ës, të magazinuara që në atë kohë, por janë aktive dhe në përdorim. Njëlloj si për shitjen e tyre, grupi i djemve kanë mohuar të tregojnë edhe ku i kanë marrë dhe kujt i përkasin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *