Mashtrimi me bonusin e studentëve që pranuan degët “Mësues”; 4.3 milionë Euro shkojnë për luksin e Ogertës

Spread the love

Pasi i joshi për regjistrim me notë mesatare mbi 6; Qeveria ndryshoi vendimin me këto kushte: – Bonusi 40 mijë lekë në muaj, u jepet në fund të çdo viti universitar, studentëve që notën e maturës e kanë 9-të; notën mesatare në fund të çdo viti universitar do ta kenë 8.5; dhe që do firmosin kontratën, për të punuar 3 vite mësues pas diplomimit…

Më 28 qershor 2023, qeveria miratoi vendimin e pagesës së bonusit 40 mijë lekë të reja në muaj, gjatë 9 muajve të studimit, për të gjithë maturantët që do regjistroheshin në degët universitare për “Mësuesi” edhe me notë mesatare 6.

Babloku e përdori këtë skemë joshjeje, ngaqë këto degë po shkojnë drejt mbylljes në çdo universitet, për shkak të zhvlerësimit të figurës së mësuesit, pagave të ulëta, mungesës së kushteve të punës e sigurisë dhe përdorimit prej politikës.

Por kanë kaluar afro 5 muaj nga fillimi i viti akademik 2024-2025, ndërsa 1200 studentëve të regjistruar në degët për mësues, Ministria e Arsimit nuk po ua jep bonusin mujor 40 mijë lekë, të miratuar me vendim qeverie.

Sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti” nga Ministria e Financave, fondi i këtij bonusi vjetor në vlerë totale 4.3 milionë Euro, i ka kaluar Ministrisë së Arsimit në muajin nëntor 2023, kur u evidentua numri i studentëve të mësuesisë.

Por Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, me një urdhër të brendshëm në fillim të dhjetorit 2023, këtë fond e përdori për blerje makinash, kompjuterësh, kondicionerësh, ri-konstruksion e mobilim zyrash të ministrisë, drejtorive arsimore të qarkut e rretheve dhe për shpenzime të tjera.

Pas protestës së studentëve të Fakultetit Histori-Filologji në Tiranë dhe të studentëve në Elbasan, Durrës, Gjirokastër e Vlorë, rektorët dhe dekanët i sollën vërdallë me justifikime, mashtrime e premtime, deri në fund të muajit dhjetor e nuk ua dhanë.

Ndërsa më pas, për të mos ua dhënë pagesën mujore 40 mijë lekë, u futën në lojë Edi Rama e ministrja Ogerta Manastirliu, të cilët hoqën nga faqja e kryeministrisë dhe Fletorja Zyrtare vendimin e parë sikur nuk ekzistonte fare, duke publikuar një vendim tjetër krejt të kundërt.

Në vendimin e dytë, thuhet se bonusi 40 mijë lekë në muaj, u jepet në fund të çdo viti universitar, vetëm atyre studentëve të regjistruar në degët e mësuesisë, që notën mesatare të maturës e kanë 9-të; notën mesatare në fund të çdo viti universitar do ta kenë 8.5; dhe që do firmosin kontratën, për të punuar 3 vite mësues pas diplomimit, në atë zonë që do emërohen.

Pra, loja e Bablokut, ishte sa t’i joshte me bonusin 40 mijë lekë në muaj, maturantët fëmijë të familjeve të varfra, me qëllim që ata të regjistroheshin për degët e mësuesisë.

Koha tregoi, që Babloku i mashtroi, ndërsa fondin e bonusit 4.3 milionë Euro të akorduar për ta, ministresha Ogerta Manastirliu e bëri luks për zyrat e për makina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *