Dobësia e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s po inkurajon sulmet e fundit të Rusisë në Ukrainë

Spread the love

Moska i ka shtuar ndjeshëm sulmet e saj, për t’i treguar ukrainasve potencialin e saj dhe për të dekurajuar ambiciet e këtyre të fundit për hakmarrje. Që nga viti 2022, Rusia ka ndërtuar një ekonomi lufte, bazuar tek shitja e gazit dhe naftës, si dhe në modifikimin e industrisë në sektorin e luftës.

Kjo i jep mundësinë që të vazhdojë të mbështesë fushatën e saj ushtarake në Ukrainë. Nga ana tjetër, Kievi gjendet gjithnjë e më në vështirësi, por mbi të gjitha partnerët e saj, SHBA dhe BE, nuk dinë se çfarë të bëjnë. Ata kufizohen tek deklaratat madhështore, por nuk dërgojnë ndihma dhe nuk kanë një strategji reale.

Për gjeneralin italian Fabio Mini, ish-shefi i shtabit të NATO-s për Evropën Jugore dhe komandant i operacioneve paqësore të NATO-s në Kosovë, rrugëdalja e vetme në këtë situatë, do të ishte që fuqitë e mëdha të ulen rreth një tavoline dhe të fillojnë të imagjinojnë një të ardhme pa armë.

Rusia dhe Ukraina nuk kanë gjasa të arrijnë një marrëveshje paqeje. Në këtë kuadër del në pah edhe dobësia e NATO-s, e cila paralajmëron stërvitje të mëdha ushtarake gjatë këtij viti. Kjo është një mënyrë për t’u treguar aktive, por që nga ana tjetër maskon pamundësinë për të gjetur një zgjidhje për konfliktin. Vetëm Britania e Madhe ka ide të qarta. Ajo dëshiron të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm dhe të bëhet një pikë referimi për Aleancën Atlantike në Evropën Veriore, duke bllokuar qasjen e Rusisë në Detin Baltik.

Shërbimi sekret britanik flet për një rritje prej 27 për qind të sulmeve ruse por dhe një shtim të bombardimeve. Çfarë strategjie po zbaton aktualisht Moska? E ka kuptuar që Ukraina është në vështirësi dhe po synon të përfitojë nga situata?

Nga pikëpamja tekniko-ushtarake është një operacion parandalues, një ripohim i forcës dhe vullnetit për të dobësuar besimin e kundërshtarit, në rastin konkret të ukrainasve, se mund t’ia dalin mbanë në këtë luftë. Një operacion i përshkallëzuar që ka për qëllim minimin e besimit tek mundësia e fitores duke besuar në ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë. Në fakt Zelensky, ka nisur të përsërisë deklaratën: “Na jepni një dorë që të fitojmë”. Moska synon që të çmontojë këtë retorikë fitoreje.

Gjithnjë e më shpeshta janë bërë bombardimet e qyteteve. A dëshiron Moska të dobësojë edhe rezistencën e popullatës civile?

Objektiv nuk janë civilët në vetvete. Në shënjestër janë strukturat dhe infrastrukturat më të rëndësishme të vendosura në qendrat e banuara. Rusia ka një kapacitet të madh për të shkatërruar qytete, por ndoshta nuk ka vullnetin për të rrafshuar gjithçka me tokën.

Unë u befasova nga fjalët e kryeministrit sllovak, sipas të cilit Kievi nuk kishte asnjë lidhje me luftën, sepse atje gjithçka duket se po vazhdon normalisht: njerëzit shkojnë rregullisht në punë, më pas mbrëmjeve frekuentojnë baret. Nëse një kryeqytet si ai ukrainas, mund të lejojë që njerëzit të qarkullojë lirshëm, të shohin liderët e tyre politikë në televizion, në mbarë botën, kjo do të thotë se rusët nuk duan ta ndryshojnë këtë lloj situate.

Si po arrin Moska që të mbështesë planet e saj ushtarake?

Unë kam parashikuar që rusët do të kalonin nga “operacioni special” tek pranimi zyrtar i luftës, gjë që ende nuk ka ndodhur. Të paktën në nivelin e komunikimit ndërkombëtar, Moska nuk po e trajton situatën si të jetë një konflikt. Megjithatë ajo ka kaluar në një ekonomi lufte, duke

e kthyer vëmendjen kryesore tek industria e mbrojtjes

Rusia është e vetëdijshme se ka një trashëgimi të vjetër por efikase të kapaciteteve të saj industriale. Dhe ajo ka sjellë shumë vende të reja pune: njerëzit tani kanë një rrogë, ndërsa më parë kanë pasur vetëm përfitime nga skema e ndihmës sociale për papunësinë. Dhe burimet financiare vazhdojnë që të nxisin përpjekjet e qeverisë.

Një nga kanalet për marrjen e burimeve financiare janë minierat që kontrollojnë rusët në Afrikë. Në veçanti ata shfrytëzojnë arin që vjen nga Sudani, Afrika Qendrore dhe Mali. Këtu buron forca e tyre për të vazhduar luftën?

Për Rusinë, ari ishte një nga gurët e themelit për fillimin e luftës. Ajo kishte rezerva të mëdha ari që i shpenzoi. Ari për të cilin ajo ka koncesione në Afrikë, dhe i përfituar duke mbajtur në këmbë regjime të dyshimta, është një lloj garancie për të ardhmen.

Rusët po sillen si kinezët. Në vendet afrikane ata angazhohen në projekte të mëdha strukturore, diçka që Banka Botërore as që ëndërron ta financojë. Megjithatë, shfrytëzimi i arit do të ndodhë kur të jetë qetësuar situata, duke përfituar nga fakti se qarkullimi i këtyre burimeve sot bëhet pa zhvendosur as edhe një gram. Gjithçka bëhet në letër.

Atëherë, cili është për rusët burimi i vërtetë i financimit të luftës?

Së pari, eksportet e gazit dhe naftës. Pavarësisht embargos, Rusia është sot vendi që eksporton më shumë energji. Dhe kostoja e naftës dhe gazit është në rënie. Jemi ne evropianët që nuk e kuptojmë se çfarë po ndodh, pasi jemi të lidhur me importet amerikane dhe ato që lidhen tërthorazi me SHBA-në. Por ka një treg paralel, që përfshin burimet ruse, dhe me të cilin ushqehet Moska.

Në Perëndim po flitet sërish për avionët  F16 që do të dërgohen në Kiev. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, premton se do të lirohen më shumë fonde për ukrainasit, dhe BE-ja përsërit mbështetjen e saj. Por a është realiteti ai i një fronti perëndimor që nuk di çfarë të bëjë?

SHBA ka shpenzuar vërtet 151 miliardë dollarë për Ukrainën. Por 90 për qind e kësaj shume mbeti në Amerikë. Ajo për industritë ushtarake apo për ata që dhanë armë ose lloje të tjera ndihme. Këtë e pranojnë edhe anëtarët e Kongresit. Investimi aktiv për Ukrainën është i konsumueshëm: materiale si tanket i nënshtrohen shkatërrimit, dëmtimit. Konsumi është për një mbijetesë të menjëhershme, dhe jo investim afatgjatë.

Edhe sa kohë mund të rezistojë Ukraina në këto kushte? A nuk mund të fillojmë të paktën të mendojmë për një plan rezervë, për një zgjidhje alternative të konfliktit?

Alternativa e vetme për të dalë nga kjo luftë, është që fuqitë e mëdha të ulen dhe të vendosin se çfarë duhet bërë. Nëse do të presim që rusët dhe ukrainasit të arrijnë vetë një marrëveshje, do të kalojnë vite. Në një moment të caktuar do të ketë edhe një qartësim të historisë: situata do të jetë e mirë për të gjithë, përderisa nuk do të ketë ngjarje të mëdha. Problemi është se të mëdhenjtë janë të paralizuar. Në SHBA nuk dihet se kush do të fitojë, OKB-ja nuk ka një qëndrim të saktë dhe BE-ja nuk ka një politikë të jashtme reale.

Po NATO?

Aleanca Atlantike është e bllokuar, dhe nuk di se çfarë të bëjë në Ukrainë. Vetëm anglezët i kanë idetë e qarta. Të tjerët presin se çfarë do të thotë SHBA. Këtë vit janë planifikuar rreth 20 stërvitje ushtarake, të cilat do të paraqiten si një dëshmi e forcës dhe unitetit të madh.

Ato paraqesin rrezik, sepse janë provokime ideologjike. Por shërbejnë për të fshehur faktin që ne nuk kemi kapacitet për të pasur një qëndrim të hapur kundër Rusisë, dhe as për ta mbështetur Ukrainën për të rimarrë pjesën e territorit të pushtuar nga Moska. Stërvitjet e fshehin sikletin nga ajo që ne nuk dimë se çfarë të bëjmë.

Turqia e miratoi hyrjen e Suedisë në NATO, ndërsa vendet baltike kanë shpallur struktura të përbashkëta mbrojtëse kundër rusëve. A është shndërruar Evropa Verilindore në një nyje vendimtare për Aleancën Atlantike?

Po, dhe aktorët kryesorë në këtë zhvendosje të vëmendjes nga Evropa Qendrore në Veriore janë anglezët. Ata synojnë të marrin përsipër drejtimin e forcave atlantike në Evropën Veriore. Dhe po synojnë ta bëjnë këtë përmes marrëveshjes dypalëshe të mbrojtjes dhe bashkëpunimit ushtarak me Lituaninë dhe Finlandën. Dhe po e bëjnë këtë edhe me Poloninë dhe Suedinë. Mbyllja e Detit Baltik ndaj bazës ruse në Kaliningrad është projekti madhor i britanikëve. Gjatë stërvitjeve të reja do të ketë simulime në territorin polak dhe lituanez, pikërisht për të mohuar lirinë e lëvizjes së rusëve në Detin e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *