Çmontohet banda e “Call Center-ave” në Tiranë, 8 persona të arrestuar; zbardhen emrat

Spread the love

Policia e Tiranës ka “çmontuar” dy Call Centera të cilët mashtronin gjatë natës shtetas nga disa kontinent që të investonin në tregje fiktive.

Operacioni u ndërmor pas hetimeve 6-mujore nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Në pranga kanë rënë 8 persona, bashkëpronarë dhe punëtorë në 2 subjektet call center, të cilët dyshohet se i pastronin të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.

Si rezultat i operacionit “World Clock”, u ndaluan shtetasit: Eni Sula, Emiljano Paja, Mario Sota, Erjon Hoxha, Alma Haruni, Saimir Brakaj, Fjoralba Hoxha dhe Erjona Murrizi.

Policia sqaron se ne të dyja subjektet ekonomike kishte 75 punonjës, të paregjistruar në organet tatimore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 500 euro, një automjet luksoz, prodhim i viteve të fundit, 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar.

“Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, të paregjistruara, në kryeqytet (me administrator shtetasin E. S. dhe me bashkëpronar shtetasin E. P.), mashtronin shtetas nga disa kontinente, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneronin nga kjo veprimtari kriminale, këta shtetas i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *