Zgjedhjet lokale, vetëm fillimi i një luftë të gjatë për rikthimin e demokracisë në Turqi

Spread the love

Zgjedhjet ishin lokale, por në Turqi – ku pushteti tashmë është shumë i përqendruar në duart e presidentit – qytetet ofrojnë burime jetike dhe patronazh për çdo përpjekje për të rifituar pushtetin politik në qendër…

Rezultatet e zgjedhjeve lokale të fundjavës së kaluar në Turqi ishin mbresëlënëse. Ato u kremtuan nga qindra mijëra turq si një fitore e shekullarizimit, dhe nga kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, si një ringjallje e demokracisë liberale, gjë që ofron shpresë jo vetëm për vendin e tij, por për mbarë botën.

Ndoshta është vërtet kështu. Por ky moment, shënon vetëm fillimin e një lufte nga ana e kundërshtarëve të presidentit Recep Tayyip Erdogan, dhe jo triumfin e tij. Le të analizojmë arsyet pse duhet pasur shpresë, sepse për cilindo që ka besuar tek premtimi i jashtëzakonshëm i një Turqie demokratike dhe të hapur, dekada e fundit ka qenë pa asnjë dyshim shumë e errët.

Ajo që treguan zgjedhjet e fundit lokale, është fakti që edhe për udhëheqësit më të suksesshëm populistë, fuqia e politikave të identitetit mund të jetë e pamjaftueshme, nëse ato e shkatërrojnë ekonominë kombëtare. Keq-menaxhimi ishte veçanërisht i qartë në rastin e Erdogan, pasi ai mban përgjegjësinë e tij personale për politikat monetare katastrofike. Besimi i tij – përkundër të gjitha këshillave dhe provave – se ulja e normave të interesit do të reduktonte në vend se të rriste inflacionin, solli pasoja katastrofike. Ndërkohë, Partia Popullore Republikane e Imamoglu, doli shumë më mirë nga sa prisnin edhe liderët e saj.

E njohur si CHP, partia e themeluesit të Turqisë Mustafa Kemal Ataturk, grumbulloi më shumë vota në mbarë vendin sesa Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, për herë të parë që kur Erdogan mori pushtetin më shumë se 20 vjet më parë.

CHP fitoi edhe mbi shumë qytete të tjera të mëdha. Edhe vetë presidenti turk u shfaq i përulur përballë kokëfortësisë së shifrave. CHP e arriti këtë rezultat, pavarësisht braktisjes së përpjekjeve për t’u paraqitur në zgjedhje me kandidatë të përbashkët me partitë e tjera opozitare.

Zgjedhjet ishin lokale, por në Turqi – ku pushteti tashmë është shumë i përqendruar në duart e presidentit – qytetet ofrojnë burime jetike dhe patronazh për çdo përpjekje për të rifituar pushtetin politik në qendër.

Dhe për herë të parë në një brez, opozita ka tani tek figura e Imamoglu një sfidant të besueshëm për presidencën në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, asnjë nga këto nuk e sjell fundin e epokës së Erdogan. Dhe as nuk shënojnë ardhjen e një demokracie të shëndetshme e laike për Turqinë.

Së pari, siç ndodh me zgjedhjet lokale kudo në botë, edhe ato në Turqi nuk janë gjithmonë tregues të besueshëm se si njerëzit do të votonin po njëlloj për një qeveri qendrore. Së dyti, nuk ka zgjedhje parlamentare të planifikuara deri në vitin 2028, gjë që i jep kohë Erdoganit ta marrë veten nga kostoja e gafave të tij me menaxhimin e ekonomisë.

Në fakt, ai siguroi rizgjedhjen vetëm vitin e kaluar, duke vazhduar të fuste mjaftueshëm para në sistem, për të zbutur ndikimin e inflacionit të lartë. Turqit e paguan çmimin e plotë të kësaj marrëzie të nxitur ideologjikisht, vetëm që kur ai siguroi një mandat tjetër, kur kaloi tek një ekip akoma më ortodoks mbi politikat monetare dhe fiskale.

Pra, Erdogan e dinte se një lloj llogaridhënie politike po afrohej, ndaj ai ishte përgatitur për këtë. Investitorët e huaj kanë filluar të rikthehen më Turqi dhe Erdogan mund – siç e ka pranuar edhe vetë – të presë që “ilaçi i hidhur” i politikave fiskale shtrënguese të japë rezultate, dhe të mundësojë një rikthim të rritjes ekonomike të kënaqshme shumë kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Deri të dielën e shkuar, nuk ishte dhe aq e pamundur që ai të detyrohej të thërriste zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. Por me rezultatin që u pa së fundmi, është e vështirë të parashikohet se si mund të ndodhë kjo. Siç e tha presidenti në fjalimin e tij ku pranoi humbjen:“Ne do të qëndrojmë në këmbë, do të qëndrojmë drejt. 31 Marsi nuk është fundi për ne. Ai është në fakt një pikë kthese!”.

Se në cila anë do të kthehet Erdogan kjo është tani shumë e rëndësishme, por mbetet e paqartë. Duket sikur ai do të zbatojë në të ardhmen politika ekonomike më të përgjegjshme, por në të njëjtën kohë do të mbetet nën kontrollin e shumicës së mediave dhe të të gjitha institucioneve më të rëndësishme, duke i dhënë atij kompetenca të gjera për të pasur mundësinë e diktimit të ngjarjeve.

Po ashtu, do të ketë ende të gjitha mjetet që i nevojiten për t’i margjinalizuar rivalët politikë, në rast se do të vendosë që t’i përdorë ato. Selahattin Demirtas, bashkë-udhëheqës i Partisë Demokratike Popullore Kurde (HDP), u burgos me akuza të sajuara në vitin 2016, një vit pasi e futi partinë e tij në parlament me një rezultat shumë të mirë që i kushtoi shumicën AKP-së.

Ai mbetet ende në burg, pavarësisht se ka hequr dorë nga politika, dhe pavarësisht se vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e kanë shpallur si të motivuar politikisht burgimin e tij. Vetë Imamoglu, është akuzuar për fyerje të anëtarëve të Komisionit Zgjedhor të Turqisë, një akuzë sipas së cilës ai mund të pengohej të vazhdonte të mbante postin e kryebashkiakut të Stambollit.

Të gjitha ‘agimet’ e mëparshme të rreme në Turqi, kur edhe kritikët e Erdoganit menduan se ai më në fund kishte pësuar një goditje shumë të fortë nga e cila nuk mund ta merrte më veten, janë pasuar nga forcimi i mbështetjes apo edhe përçarja e elektoratit në dobi të pushtetit të tij.

Dhe ndërsa këtë herë situata mund të perceptohet si e ndryshme, do të ishte mirë që të kujtonim domethënien e plotë të pushtetit thuajse absolut që ai zotëron, dhe faktin se është me i vështirë krijimi i institucioneve të pavarura sesa shkatërrimi i tyre.

Rezultati i zgjedhjeve lokale të fundjavës që kaloi, mund të joshë shumëkënd të parashikojë një zhvendosje të Erdogan drejt një qasjeje të moderuar në shumë drejtime. Megjithatë ky duket thjesht si një mendim i dëshiruar.

Sepse së pari, pjesa e votave të fituara nga pakica e madhe kurde e Turqisë, ishte sërish mjaftueshëm e madhe për të siguruar një bllok me ndikim të ligjvënësve armiqësorë ndaj presidentit në zgjedhjet parlamentare, gjë që mund të mos jetë shenjë e mirë për trajtimin e tyre në të ardhmen.

Erdogan mund të kundërpërgjigjet duke e shtuar shtypjen ndaj kurdëve etnikë, për të marrë akoma më shumë vota nga radhët e nacionalistëve turq. Po aq e rëndësishme është të nënvizohet fakti se ndërsa CHP fitoi vërtet shumicën e votave në mbarë vendin, afro 38 për qind nga 35.5 për qind që shkuan për AKP-në, kjo diferencë ishte më e vogël se sa largimi i mundshëm i votuesve islamikë të AKP-së tek Partia e Mirëqenies së Re, e cila fitoi pak më shumë se 6 për qind që në garën e saj të parë elektorale.

Erdogan mund të mendojë se ka më shumë mundësi t’i bindë këta votues fetarë të linjës së ashpër, që ta mbështesin atë ose pasardhësin e tij në një balotazh të ardhshëm presidencial, sesa ata që këtë herë hodhën votat e tyre për CHP. Erdogan ka qenë një pionier dhe model për udhëheqësit e tjerë autoritarë e populistë, që kanë vënë bast mbi luftërat kulturore për t’u ngjitur në pushtet.

Hapat e tij të gabuara spektakolare në ekonomi, duhet t’i kishin kushtuar atij postin e kreut të shtetit vitin e kaluar. Por kjo gjë nuk ndodhi, dhe ai është ndoshta i sigurt për momentin. Dhe kjo do të thotë se kundërshtarët e tij politikë, dhe institucionet demokratike të Turqisë, nuk janë ndoshta aspak të sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *