Greqia kërcënon zyrtarisht Shqipërinë: Veto ndaj negociatave të anëtarësimit nëse nuk betohet Fredi Beleri

Spread the love

Athina ka përshkallëzuar reagimet e saj kundër mbajtjes në burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i akuzuar për blerje votash.

Gazeta Protothema dhe CNN-i grek raportojnë se në COREPER (Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së) Greqia ka paraqitur rezerva në lidhje me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

Mësohet se përfaqësuesit kanë bërë të qartë se Greqia nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë ne BE, nëse nuk do të të ketë zhvillime pozitive në lidhje me marrjen e detyrave si kryetar bashkie të Fredi Belerit.

“Athina me deklaratat e ministrit të Jashtëm Giorgos Gerapetritis dhe me misionin në Tiranë të ministrit të shtetit Stavros Papastavros i cili vizitoi Fredi Belerin në burgjet e Durrësit, ka dërguar një mesazh të qartë se do të përdorë çdo mjet presioni që ka në dispozicion, për të rrëzuar këtë ndjekje arbitrare dhe politike ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili dhunon brutalisht Shtetin e Ligjit në Shqipëri.”, shkuan Protothema.

Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.

Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës.

Prej muajsh Greqia kërcënon me bllokimin e negociatave për Shqipërinë, ndërsa ka pasur edhe reagime nga institucionet e Bashkimit Europian.

Për këtë çështje, Edi Rama ka thënë se nuk beson se Greqia do të bëhet pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE.

Ndërkohë Berlini zyrtar e ka quajtur të papranueshëm pretendimin e Greqisë për të penguar rrugën e integrimit të Shqipërisë për çështjen Beleri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *