Ilir Beqaj nuk do ja hedhë kollaj, SPAK hetim pasuror për ‘mjeshtrin’ e PPP-ve; hap edhe letrat e aferës me “Check-Up”

Spread the love

SPAK ka konfirmuar se ka bërë verifikim financiar për Beqajn, teksa po ashtu shprehet se hetimet për “Check-Up” vijojnë…

Rasti i Ilir Beqajt duket se do të jetë një test për Prokurorinë e Posaçme. Ish-ministri ka disa vite që lufton me drejtësinë dhe ja ka dalë të jetë jashtë qelisë. SPAK fillimisht e nxori të larë te koncesioni i sterilizimit, por u detyrua ta rihetojë pas kërkesës së gjykatës. Në fund ai u la në detyrim paraqitje, duke mos e futur në qeli, ndonëse është koka e aferës.

Falë këmbënguljes së gjykatës, SPAK po detyrohet të ndërmarrë hapa që nuk i ka bërë. Një prej sugjerimeve ishte që të bëhet verifikimi pasuror i Ilir Beqajt dhe SPAK duket se e ka bërë. Në faqen zyrtare SPAK ka publikuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve dhe një qytetar ka kërkuar informacione mbi zbatimin e kërkesës së gjykatës, ku kërkohet bashkëpunim me ILDKP për hetimin pasuror të Beqajt dhe Klodian Rrjepajt. Vetë SPAK pranon se ka bërë verifikim financiar për Beqajn.

Në kuadër të hetimit të plotë dhe të gjithanshëm të këtij procedimi penal nga ana e SPAK janë kryer verifikime dhe hetime financiare për shumë persona përfshi edhe shtetasit I.B. dhe K. Rr. Hetimi financiar/pasuror kryhet nga vetë Prokuroria e Posaçme dhe jo nga ILDKPI, i cili është vetëm një prej shumë institucioneve ku mund të kërkohen të dhëna. ILDKPI disponon të dhëna vetëm për sa i përket deklarimeve vjetore të subjekteve të ligjit  nr. 9049 datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike’”, shprehet SPAK.

Në një tjetër përgjigje, SPAK ka konfirmuar se Ilir Beqaj po hetohet dhe për aferën e Check-Up. Ndonëse për “Sterilizimin” prokurorët e dosjes e amnistuan, “Check-up” hetohet nga dikush tjetër dhe ndoshta Beqaj nuk do të ketë të njëjtin fat.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2020 me objekt hetimi procedurën e dhënies së koncesionit publik – privat “Për Paktën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç (i ndryshuar më vonë fasha e moshës në 35-70 vjeç), i njohur ndryshe si “Check Up – i”. Ky procedim penal aktualisht është në fazën e hetimeve paraprake”, thuhet në përgjigjen e SPAK.

Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë tani Prokuroria e Posaçme. Ilir Beqaj pak ditë më parë u mor 10 orë në pyetje dhe kur doli nga SPAK i kishte ikur ngjyra e fytyrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *