Gjergj Luca tenton të rrëmbejë me dhunë velierën në Portin e Sarandës

Spread the love

Një velierë e sekuestruar në qershor të këtij viti nga policia, u tentua të nxirrej me forcë nga porti i Sarandës dhe pas këtij “aksioni” duket se fshihet Gjergj Luca…

Thellohet skandali me velierën e sekuestruar nga policia që u tentua të vidhej në Sarandë.

Uniformat blu njoftuan se janë vënë në pranga 5 shtetas, ku katër prej tyre janë egjiptianë. Por policia nuk ka treguar faktin se pas kësaj grabitjeje fshihet një emër si Gjergj Luca.

Sipas informacioneve, në prangat e policisë kanë rënë: Andon Nako, Mohamed Elshamy, Samir Ghonim, Abdou Elzantawy dhe Ibrahim Aboushahin. Ata tentuan të merrnin mjetin lundrues duke e tërhequr me një mjet tjetër peshkimi. Por sipas informacioneve, të arrestuarit janë pjesë e kompanisë “Rozafa Fish”, kompani e cila ka marrë krejt monopolin e peshkimit në vend. Kompani që drejtohet nga oligarku, Gjergj Luca.

Nëse kthehemi pas, historia bëhet më interesante. Në muajin qershor 2023, një anije veliere, 15 metra e gjatë me mbishkrimim “Bavaria 50”, që nuk dihej se kujt i përkiste, është gjetur në ujërat neutralë, rreth 51 milje larg ishullit të Siçilisë në Itali.

Veliera e braktisur nuk kishte njerëz në bord, por brenda janë gjetur bidona uji dhe ambalazhe të ndryshme, ç’ka ngriti dyshime se mund të ishte përdorur për trafikimin e klandestinëve nga Lindja e Mesme.

Por e dini kush e zbuloi? Një anije peshkimi e kompanisë së Gjergj Lucës, pra e “Rozafës”.

Kapiteni i saj ka njoftuar Kapitenerinë e Siçilisë dhe Delta Forcën e Policisë Italiane, të cilët kanë kryer kontrollin fizik, gjatë të cilit nuk kanë konstatuar sende të kundraligjshme. Më pas veliera është marrë nga kapiteni i “Rozafës” dhe më 14 qershor, mjeti lundrues mbërriti në portin e Limionit në Sarandë, ku u sekuestrua nga Policia Kufitare. Që prej asaj kohe mjeti ka qenë i bllokuar.

Duke qenë se ishte një mjet “pa zot”, duket se Gjergj Luca ka dërguar njerëzit e tij për ta grabitur këtë anije peshkimi. Ajo që shton dyshimet është se kemi të bëjmë me 4 shtetas egjiptianë dhe në vendin tonë vetëm “Rozafa” ka punësuar peshkatarë nga Egjipti.

Pyetja që shtrohet është se ç’lidhje kishin egjiptianët me velierën? Nëse do vinin direkt nga Egjipti, ku e dinin ata se ku ndodhej ajo dhe si mund të tentonin një grabitje të tillë pa u udhëzuar nga dikush tjetër. Pra duket se ata thjesht janë porositur të shkojnë aty, me shpresën se nëse kapeshin nuk do dilnin dot përgjegjësit e vërtetë, duke menduar se vijnë nga Egjipti. Faktet tregojnë se të vetmit që kishin dijeni për vendin ku ndodhej anija kanë qenë peshkatarët e Lucës.

Gjergj Luca përmes pushtetit që i ka dhënë Rama, duket se tani ka nisur të komandojë gjykatat dhe prokuroritë, duke menduar se është Zot në këtë vend. Mësohet se grabitja ka ndodhur para disa ditësh dhe ka qenë një skenar i mirëmenduar. Janë korruptuar punonjësit e policisë që mjeti të dilte nga rrethimi dhe askush nuk do kujtohej për këtë anije që nuk dihet se kujt i përket. Mirëpo, ky akt mësohet se ka bërë bujë në Sarandë dhe ka detyruar policinë që 3 ditë më pas të dalë me një njoftim, por pa dhënë sqarime se kush janë egjiptianët që kanë kryer krimin dhe kush fshihet pas tyre. Të gjitha faktet tregojë qartë se pas tyre fshihet vetëm një njeri dhe ai është Gjergj Luca.

Gjergj Luca tenton të rrëmbejë me dhunë velierën

Njoftimi i policisë

Tërhoqën pa leje një mjet lundrues tip veliere, të sekuestruar nga Policia, që ishte ankoruar në port, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas.

4 shtetasit e arrestuar, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes së peshkimit që tërhoqi mjetin lundrues velierë nga vendi ku ishte lënë në ruajtje nga Policia Kufitare.

Procedohet penalisht punonjësi i Policisë Kufitare Sarandë, që kishte për detyrë ruajtjen e mjetit lundrues velierë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se në portin e Limionit, Sarandë, ishte marrë duke u tërhequr nga një anije peshkimi, një mjet lundrues tip velierë që ishte vendosur nën sekuestro në muajin qeshor të këtij viti, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë nisur hetimet lidhur me ngjarjen, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë/Gjirokastër).

Si rezultat i angazhimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Vlorë, të Delta Force dhe të Guardia di Finanza-s, u bë e mundur gjetja dhe bllokimi i mjetit lundrues tip velierë, i cili po tërhiqej nga një anije peshkimi në bordin e së cilës ndodhej ekuipazhi i përbërë nga 5 shtetas.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– A. N., 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit;

– A. E., 55 vjeç, S. G., 40 vjeç, M. E., 43 vjeç dhe I. A., 34 vjeç, të katërt shtetas egjiptianë, punëtorë peshkimi.

Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur mjetin lundrues tip velierë të sekuestruar nga Policia, që ndodhej i bllokuar në portin e Limionit, me pretendimin se kjo velierë ishte pronë e tyre.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, nga specialistët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë/Gjirokastër) u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë inspektor A. M., me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, pasi nuk ka marrë masa për ruajtjen e mjetit velierë të sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues, pas lënies së shërbimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *