Epoka digjitale në raport me mbrojtjen e të dhënave personale

Spread the love

 Në kuadër të seminareve, pararalelisht me aktivitetet e shumta që po zhvillohen në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga Klik Ekspo Group, u mbajt takimi mbi “Sigurinë e të dhënave personale në Shqipëri dhe sfidat e digjitalizimit”, organizuar nga zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Fokusi ishte trajtimi i çështjes kritike të së drejtës për informim dhe mbrojtjes së të dhënave, eksplorimin e kompleksitetit të ruajtjes së të dhënave personale mes transformimit digjital të Shqipërisë. Gjithashtu, seminari trajtoi çështjen e përputhjes dhe përshtatjes së ligjeve për mbrojtjen e të dhënave në vend, duke vlerësuar efektivitetin e tyre dhe përputhshmërinë me standardet evropiane (GDPR).

Përfaqësuesja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Meri Kujxhija foli mbi sfidat e paraqitura nga digjitalizimi, sensitiviteti i të dhënave personale, rritja e kërcënimeve kibernetike, shkeljet e të dhënave dhe çështjet që lidhen me aksesin e paautorizuar të të dhënave që janë në prioritet të zyrës së Komisionerit për Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ekspertët ofruan njohuri mbi zbatimin e strategjive të mbrojtjes së të dhënave, duke theksuar përputhjen me kërkesat rregullatore dhe zbutjen e rreziqeve që lidhen me trajtimin e të dhënave personale në mjedisin digjital.

“Aktiviteti i sotëm u drejtohet profesionistëve të fushës, personit të kontaktit (DPO) për mbrojtjen e të dhënave, ekspertëve ligjorë, duke mundësuar një platformë për diskutim mbi praktikat më të mira, teknologjitë e reja dhe politikat e nevojshme për të rritur sigurinë dhe privatësinë e të dhënave në Shqipëri”, tha Rigers Bodurri, përfaqësues i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Aktiviteti ndërgjegjësues shërbeu dhe si një mundësi për profesionistët e fushës në shkëmbimin e ideve, përditësimeve të fundit për tendencat në zhvillim dhe bashkëpunimeve për krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt.

Edicioni i 29-të i panairit “Klik Ekspo Group”, i cili zhvillohet nga data 6 deri në 9 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ka në boshtin e tij krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës, me zhvillimin e seminare me tematika në sektorë të ndryshëm për të ndërgjegjësuar ekspertë të fushës, të rinj, sipërmarrës pjesëmarrës në panair dhe të interesuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *