Si u përmbyt shkolla “Besnik Sykja” e inaguruar me bujë nga lali Eri

Spread the love

A do ta ngrejë opozita në këshillin bashkiak rastin e gjimnazit ‘Besnik Sykja’, sa bën gërr- vërr për fatin e Sali Berishës?

Në javën e shkuar, kaloi në heshtje një zhvillim i rëndësishëm gjatë ditëve të stuhisë dhe reshjeve të mëdha. Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Besnik Sykja”, e cila u ndërtua nga e para dhe u përurua me bujë, u përmbyt keq nga poshtë, nga lart, por edhe nga anash.

Ndërtimi ishte në atë cilësi të dobët, sa nuk ka arritur dot të mbajë edhe shirat e parë të vjeshtës. Nxënës të gjimnazit “Besnik Sykja” tregojnë për ‘Pamfleti’, se në dy vende tarraca ka rënë, duke rrezikuar instalimet elektrike çfarë ka sjellë një panik të madh në shkollë, duke bërë të largoheshin me shpejtësi nxënësit e personeli. Kjo pasi u frikësuan për një kontakt elektrik apo zjarr që mund të rrezikonte jetën e të gjithëve.

Në fundjavë, mësohet se kompanisë i është kërkuar të rregullojë dëmet shpejt e shpejt për të mos e bërë të madhe situatën. Por kjo natyrisht nuk e fsheh problemin e madh që ka nxjerrë aksioni i rindërtimit të shkollave, që duket nuk do të mbesë pa hyrë në analet e hetimeve nga organet kompetente.

Kur shkolla u përurua në fillimin e sezonit në shtator, u trumbetua si një sukses, ku mori pjesë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj. I cili tha se se shkolla e rindërtuar do të çelë një tjetër etapë të historisë së suksesit të këtij gjimnazi në Tiranë.

“Të gjitha shkollat e reja kanë dalë më të mëdha seç ishin, madje shumë herë më të bukura, por çështja është çfarë bëjmë? Tani i kemi ‘kompjuterët’ [shkollën], por pa ‘softe’ nuk punojmë dot. Tani na duhet më shumë dedikim nga mësuesit. Dikush që do të bëhet si Besnik Sykja, një basketbollist i njohur, apo Dua Lipa e ardhshme, i ka të gjitha mundësitë dhe krahët e hapura për të fluturuar. Por, varet nga ne, sa do i inkurajojmë,” tha Veliaj.

Megjithatë, asnjë fjalë për incidentin e ditëve të fundit, ku ndoshta edhe mund të mos ketë faj bashkia si investitor, por fshehja në këtë rast nuk bie erë të mirë. Fakt është se shkollat që bashkia ka kontraktuar vetë janë ndërtuar me shpejtësi, ndryshe nga ato që i kanë marrë përsipër donatorë të tjerë si BE për shembull.

Shkolla ‘Emin Duraku’, që është pjesë e programit EU schools, po ecën me ngadalë e është në sezonin e dytë që nxënësit e saj nuk bëjnë mësim aty. E mos ngutja e mbarimit të punimit, duket varet nga fakti se si investitori që është Komisioni Europian, që është njëkohësisht edhe kontraktues, por edhe zgjedh supervizorin, kështu që procedurat nuk nguten. Ama, cilësia sipas të gjitha gjasave është e garantuar dhe me një kontroll nga më shumë se 1 aktor.

Po a do ta ngrejë opozita në këshillin bashkiak rastin e gjimnazit ‘Besnik Sykja’, sa bën gërr- vërr për fatin e Sali Berishës? Deri tani si PD e Bashës, ashtu edhe foltorja e Berishës, por edhe Ilir Meta, që si pasojë e vulës që i ka dhënë rithemelimit ka shumicën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak nuk kanë folur asnjë fjalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *