“Pjesë e Serbisë”/ Kurti përplaset me Bërnabiç: Kosova njihet në gjithë botën si shtet

Spread the love

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç patën një përplasje në Samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga BERZH-i në Londër.

Replikat mes tyre nisën kur kryeministrja serbe tha se Kosovën e shohin “si pjesë të Serbisë”. Kurti iu përgjigj duke i thënë se ajo quhet Republika e Kosovës dhe se njihet anë e mbanë botës si shtet. Teksa po fliste për investimet e huaja në Serbi, Bërnabiç tha se statistikat nuk e përfshinin Kosovën.

“Serbia po ndryshon. Dhe kur them Serbia qendrore, është e dyta herë që po e them këtë, mendoj Serbia që nuk përfshin në statistika krahinën autonome të Kosovës e Metohisë, që ne natyrisht e shohim si pjesë të Serbisë. Kjo është politikë, ne tash po flasim për ekonomi dhe është me rëndësi për mua të flas vetëm për ekonominë”, tha ajo.

Pas saj ndërhyri Kurti, të cilit iu drejtua pyetja se si arrin Kosova të tregtojë me vendet që nuk e njohin si shtet të pavarur.

“Pikë së pari, partneri ynë kyç është bashkësia europiane dhe dëshirojmë që ta fuqizojmë këtë bashkëpunim. Kosova është njohur nga 117 vende anë e mbanë botës, 22 nga 27 në Europë, 26 nga 30 në NATO dhe 3 nga 4 vendet fqinje. Nuk kemi lidhje me Federatën Ruse. Iu kemi vënë sanksione atyre dhe duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Na duhet bota dhe Europa demokratike që ta shohim të mposhtur Kremlinin dhe kryetarin despotik, Putinin. Edhe nëse ata do të donin, ne nuk do të donim të kishim punë me ta. Kemi pak import me Kinën, por bashkëpunojmë kryesisht me BE-në”, tha fillimisht Kurti.

Më tej, Kurti u shpreh se po të fliste si Bërnabiç, do ta përmendte Vojvodinën, Sanxhakun, Luginën e Preshevë, ndërsa shtoi se do ishte më mirë të përqendrohen në ekonomi.

“Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç iu referua këtu, ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, sepse përveçse Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës… Më mirë të përqëndrohemi në ekonomi”, tha Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *