Interpelanca urgjente për dosjen ‘Xibraka’ ku është i përfshirë Olsi, Rama e refuzon kërkesën e Bardhit: Prit SPAK-un

Spread the love

Kryeminsitri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas akuzave të kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi për kallëzimin në SPAK ndaj vëllait të tij, Olsi Rama, për laboratorin e drogës në Xibrakë.

Në një reagim të gjatë dhe me tone të forta, Rama ka refuzuar kërkesën e Bardhit për interpelancë dhe thotë që ai të të presë me durim një vendim nga SPAK-u për çështjen që e ka denncuar. 

Reagimi i plotë i Ramës.

Rregullorja e Kuvendit thotë shprehimisht se, citoj, “interpelanca është kërkesa me shkrim, që i drejtohet kryeministrit, zv.kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar mbi motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, lidhur me aspekte te rendesishme te veprimtarise se tyre”.

Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur. Kësisoj, Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, radhën tek salloni i Blendi Fevziut për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri.

Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik. Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant”.

Për më shumë, rikujtoj këtu se ç’është në dorën e SPAK-ut, për çfarëdoqoftë e për këdoqoftë, aq më tepër për tim vëlla, nuk është dot në gjuhën time dhe nga ana tjetër, një interpelancë parlamentare, ku gënjeshtrat e thëna publikisht kthehen në pyetje për subjektin e tyre, do t’i njihte çdo gënjeshtari të drejtën e padëgjuar të kërkesës së llogarisë për gënjeshtrat e tij, ndërkohë që rregulli elementar i kësaj bote qëkur njeriu i dalë nga shpella u organizua shoqërisht, e do që gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari.

Kështu që nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën time të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, po as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë, që unë të ul përtokë çmimin e kohës së nevojshme për punët e mëdha e të vogla që kam detyrë të ndjek si i zgjedhur i popullit në drejtimin e vendit, për t’u angazhuar në një ndërveprim verbal me një shkelës mendjelehtë të ligjit e të çdo zakoni të mirë të këtij vendi, një kallzues i sapokallzuar për kallzim publikisht të rremë dhe për çfarë?!

Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.

Kuvendi nuk e ka futur në rend dite, kërkesën e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama. 

Bardhi, pas akuzave dhe denoncimeve për përfshirjen e Olsi Ramës në laboratorin e drogës në Xibrakë, kishte kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje. 

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi gjithashtu i ka bërë thirrje kreut të SPAK, Altin Dumani që të nisë hetimet ndaj Olsi Ramës për përfshirjen e tij në laboratorin e drogës në Xibrakë.

Bardhi e ka akuzuar vëllanë e kryeministrit Edi Rama si të lidhur me grupin që kishte ngritur një laborator droge.

Bardhi tha se ka prova nga sistemi TIMS që sipas tij vërtetojnë Olsi Rama ka udhëtuar së bashku me Genci Xhixha. Për këtë arsye ai i kërkoi SPAK-ut ta rihetojë këtë çështje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai tha se sado të përpiqen, që me shkrime, statuse, kronika, komente të zhbëjnë lidhjen e Olsi Ramës me grupin kriminal të kokainës, TIMS-i dhe dosja janë aty.

Vetë Olsi Rama, i është drejtuar SPAK-ut me një kallëzim penal për Gazment Bardhin, pas akuzave që kryetari i grupit parlamentar demokrat bëri ndaj tij si pjesë e grupit të narkotrafikut që kishte ngritur një laborator kokainë në Xibrakë të Elbasanit, në vitin 2014.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *