Udhëheqësit evropianë, skandalozë dhe qesharakë përballë sfidës Ruse

Spread the love

Nëse Trump fiton zgjedhjet në nëntor, Evropa mund mbetet vërtetë vetëm. Kënga hapëse e filmit, “Nëse jam burrë, duhet të jem i guximshëm”, duhet të jetë motoja e një koalicioni të ri për ndërtimin e sigurisë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit. Udhëheqësit evropianë mund të frymëzohen nga heronjtë e botës reale si Giovanni Falcone…

Demokracitë kanë tendencën të përballen me sfida në fushën e sigurisë. Ky ishte konteksti që e nxiti W.H.Auden t’i quante vitet 1930 një “dekadë poshtëruese e të pandershme”, një përshkrim që duket se vlen edhe për dekadën aktuale. Sepse tani, ashtu si atëherë, qëndrimi politik është më i lehtë sesa bindja për të ndjekur atë qasje.

Megjithatë, bindja është ajo që na duhet për të ndërtuar aleanca, për të nxitur mbështetjen dhe për të ruajtur stabilitetin ndërkombëtar. Teksa Ukraina po rrënohet çdo ditë e më tepër dhe teksa Rusia vazhdon të përbëjë një kërcënim sigurie për Baltikun dhe Evropën në përgjithësi, koordinimi diplomatik dhe strategjik është më i nevojshëm sesa ka qenë ndonjëherë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, pavarësisht nga rreziqet e mëdha, udhëheqësit perëndimorë po shfaqen të dobët dhe të përçarë. Sa për krahasim, ekuivalentët e tyre të viteve 1930, kryeministri francez Édouard Daladier dhe ai britanik Neville Chamberlain, duken më pak patetikë.

Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz është përballur me sulme të ashpra nga partnerët e tij të koalicionit për shpjegimin e tij të ngatërruar dhe jo-koherent se përse nuk do t’i japë Ukrainës raketat “Taurus”. Në fillim të luftës, ai foli bujshëm për një pikë kthese historike, një Zeitenwende.

Por ai ka vazhduar me punët si zakonisht. Ndonjëherë, duket sikur i vetmi politikan që do ta mbrojë atë është udhëheqësja e ekstremit të djathtë pro-rus, Alice Weidel. Vitet 1930 na kujtojnë edhe reagimin ndaj refuzimit të presidentit francez Emmanuel Macron për të përjashtuar dërgimin e trupave franceze në Ukrainë.

Zërat disidentë (dhe nganjëherë rusofilë) kundërshtojnë duke thënë se Franca nuk është e përgatitur për luftë. Ngjashëm, përballë kërcënimeve të dukshme të sigurisë nga Gjermania naziste në fillim të Luftës së Dytë Botërore, një mori analistësh francezë pyetën se pse duhej të pritej që të vdisnin për Danzig-un (sot Gdańsk në Poloni): “Mourir pour Dantzig?”.

Ashtu si Macron, kryeministri britanik Rishi Sunak ka instinktet e duhura. Por ai është i dëmtuar nga mungesa e dukshme e popullaritetit brenda partisë së tij dhe nga siguria se së shpejti do t’i humbasë zgjedhjet. Ndërkohë, presidenti i SHBA-së Joe Biden po përballet me një valë ndjenjash izolacioniste, si nga demokratët e krahut të majtë, ashtu edhe nga një Parti Republikane që është formësuar sipas imazhit të Donald Trump.

Por të paktën politikanët e viteve 1930, kishin justifikime të forta për dobësinë e tyre. Vendet e tyre ishin të rraskapitura dhe të varfëruara nga Depresioni i Madh, dhe shumë prej tyre kishin ende kujtime të gjalla të sakrificave dhe humbjeve të tmerrshme të Luftës së Parë Botërore.

Ndërkohë izolacionistët e sotëm nuk kanë një kornizë të tillë referimi. Ukrainasit mbeten shumë të përkushtuar për të mbrojtur demokracinë dhe parimet e vetëvendosjes dhe lirisë politike. Por në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara, vullneti emocional fillestar për të mbështetur luftën e tyre, nuk është përkthyer në një ndihmë të qëndrueshme dhe efektive.

Kështu, Ukraina e gjen veten në pozicionin e prokurorit dhe gjyqtarit antimafia, Giovanni Falcone, jeta dhe martirizimi i të cilit rrëfehet nga gazetari italian Roberto Saviano në romanin e tij “Solo è il coraggio” (I vetmuar është guximtari). Natyrisht, nuk është e lehtë të ndërtohet një konsensus demokratik për veprime të nevojshme, por të rrezikshme.

Filmi “High Noon” (“Mesdita” i vitit 1952 me protagonist Gary Cooper në rolin e një sherifi të vetmuar që përballet me një grup banditësh, u bë një referencë ikonë kulturore për lëvizjen pro-demokratike të Polonisë në vitin 1989. Zëri më i guximshëm në Evropë në ditët e sotme duket të jetë ai i presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Dhe për këtë mund të ketë një arsye institucionale. Në masën që Komisioni është i izoluar nga nevoja e përditshme për të krijuar kompromise politike në mjedise parlamentare komplekse, ajo mund të injorojë presionet e fuqishme afatshkurtra që diktojnë pa ndryshim politikë-bërjen demokratike.

Dhe kjo i jep zonjës Von der Leyen mundësinë të ndreqë një të metë të madhe në dizajnin institucional të Evropës. Pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, paraardhësi i Scholz-it, Helmut Kohl, dhe presidenti francez François Mitterrand e panë se duhej hedhur një hap historik.

Lëvizja më e dukshme, do të kishte qenë ta bënte Evropën një lojtare koherente të sigurisë duke pasur ushtrinë e saj. Por nga frika se do të humbnin, lobet e mbrojtjes në vendet kryesore e bllokuan këtë skemë. Në këto kushte, gjesti i madh historik do të duhej të merrte një formë tjetër.

Ndaj liderët evropianë zgjodhën lëvizjen drejt bashkimit monetar dhe në fund krijuan euron. Takimi vendimtar i Këshillit Evropian në dhjetorin e vitit 1991, që çeli dritën jeshile për bashkimin monetar ndodhi vetëm një ditë pas një marrëveshjeje tjetër që tashmë është gati e harruar.

Në Viskuli (afër pyllit të Belovezha në Bjellorusi), 3 republikat më të mëdha të Bashkimit Sovjetik – Bjellorusia, Federata Ruse dhe Ukraina – ranë dakord t’i jepnin fund Traktatit të Bashkimit të vitit 1922. Me këtë akt, u duk si më pak urgjent kërcënimi nga Rusia.

Evropa mund të vazhdonte me qetësi bashkimin e saj monetar. Por siç e dinin Kohl dhe Mitterrand bashkimi monetar ishte jashtëzakonisht i paplotë, dhe evropianët kanë kaluar dekadën e fundit duke debatuar se si të rrisin anën ekonomike të marrëveshjes me një bashkim të tregjeve të kapitalit, një union bankar dhe madje edhe një bashkim të sigurimeve shoqërore (për të cilën Scholz ishte për një fare kohe entuziast).

Por tani, prioritetet kanë ndryshuar. Detyra më urgjente është korrigjimi i përgjigjes së dështuar ndaj Marrëveshjeve të Belovezhës me një bashkim në sektorin energjetik dhe një bashkim ushtarak apo në fushën e sigurisë. Tridhjetë e pesë vjet pas zgjedhjeve vendimtare në Poloni, të cilat i dhanë fund komunizmit në vend, Evropa po përballet me momentin e saj më vendimtar.

Nëse Trump fiton zgjedhjet në nëntor, Evropa mund mbetet vërtetë vetëm. Kënga hapëse e filmit, “Nëse jam burrë, duhet të jem i guximshëm”, duhet të jetë motoja e një koalicioni të ri për ndërtimin e sigurisë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit. Udhëheqësit evropianë mund të frymëzohen nga heronjtë e botës reale si Giovanni Falcone.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *