Bashkimi me Berishën, Bardhi ‘komplot’ Bashës për t’i marrë vulën: Po ndjek rrugë të gabuar, do fillojë shkrirja në bazë

Spread the love

Një ditë pas bashkimit me grupin e Berishës, kreu i grupit të opozitës, Gazment Bardhi dhe deputeti Flamur Noka, kanë shkuar së bashku për herë të parë në Shkodër pothuajse 2 vite kaos brenda partisë.

Ata janë takuar me strukturat e PD-së në Bashkinë e Shkodrës ku fokus është bashkimi i demokratëve.

Për Bardhin procesi i bashkimit ka ndodhur, ndërsa për grupin e deputetëve të Bashës thotë se po ndjekin rrugën e gabuar, ndërsa një ftesë ua bën për bashkim. Sipas tij çdo demokrat duhet të jetë në luftë me Edi Ramën dhe jo opozitën, ndërsa thotë se nëse zgjedhin rrugë tjetër nuk përfaqësojnë PD-në.

“Bashkimi ka ndodhur, ka një pjesë të vogël të demokratëve që ende janë në rrugë të gabuar dhe gjej rastin nga Shkodra t’i ftoj që t’i bashkohen PD-së, betejës kundër Ramës. Rruga e tyre për të qenë përballë opozitës dhe jo përballë Ramës, në gjykimin tonë është rrugë e gabuar, nuk e ndihmon as Shqipërinë dhe as demokratët.

Do të ketë në shkrirje në bazë edhe të demokratëve pa asnjë diskutim. Demokratët janë të bashkuar edhe në bazë, turi jonë synon për të thithur ata pak demokratë që ndodhen në gjykimin tonë në rrugë të gabuar. Duhet të jenë me ne përballë Ramës, jo përballë opozitës.”, tha Bardhi për gazetarët.

Nga ndalesa e parë në qytetin e Shkodrës, Bardhi është pyetur nga gazetarët nëse tashmë e njeh Sali Berishën si kryetar.

Për këtë Bardhi thotë se respekton vendimin e shumicës së anëtarëve.

“Kjo është e qartë në gjithë përgjigjet që kam dhënë. Sa kohë e kanë zgjedhur shumica e anëtarëve unë dhe cilido duhet të respektojë vullnetin e shumicës së anëtarëve të partisë”, tha Bardhi. 

Bardhi iu përgjigj edhe deklaratës së kryetarit të PD Lulzim Bashës se “nga SHBA, përfundoi poshtë Rrugës së Salës”, referuar protestave poshtë banesës së Sali Berishës, që ndodhet në arrest shtëpie.

“Asnjë përgjigje, nuk kam kohë për të humbur me batuta pa asnjë vlerë. Unë jam aty ku janë demokratët“, tha Bardhi për mediat, teksa më tej shtoi:“Unë besoj se secili duhet të jetë në PD, nuk dua ti ndaj demokratët në grupime. Secili e ka vendin në PD, krah demokratëve përballë Ramës. Cilido zgjedh rrugë tjetër nuk përfaqëson PD”, tha Bardhi.

Për Bardhin, turi i takimeve me bazën ka nisur nga Shkodra, të cilën e cilëson si një ‘simbol’ të sulmeve të vazhdueshme nga qeveria, që sipas tij ka deformuar edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku për herë të parë kjo bashki u fitua nga socialistët.

“Për simbolin që përfaqëson, por edhe dega PD e Shkodrës që ka qenë pjesë e një sulmi të vazhdueshëm nga qeveria dhe grupet kriminale derisa arritën të deformojnë edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet lokale. Nuk kishte alternativë tjetër për të nisur këtë tur të bashkimit të demokratëve në bazë, pas bashkimit të lidershipit drejtues të PD”, u shpreh Bardhi për mediat.

Bashkë me deputetët e këtij qarku, Noka e Bardhi do të zhvillojnë takime me strukturat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës.

Turi do të vijojë më pas në Elbasan e Korçë. Në këto takime, që në dukje i ngjajnë një fushate bashkimi, do të diskutohet aksioni jashtë-parlamentit, siç është protesta e 20 shkurtit të cilët tanimë do t’i bashkohen edhe deputetët e Gazment Bardhit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *