Afera CEZ-DIA, agjentët e BKH kontroll në zyrën e Ilir Metës; PL mohon lajmin

Spread the love

BKH ka kryer sot kontrolle në zyrën e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kanë kryer sot kontrolle në zyrën e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta në kuadër të hetimeve për aferën CEZ-DIA.

Mirëpo ky lajm është hedhur poshtë nga Partia e Lirisë.  Në një reagim zyrtar, Partia e Lirisë shprehet se në ambientet e PL nuk ka shkuar asnjë oficer i BKH për të bërë kontroll.

Partia e Lirisë sqaron se në ambientet e Partisë së Lirisë, nuk ka ardhur asnjë oficer i BKH për të bërë kontroll në zyrën e kryetarit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta dhe në seli. Partia e Lirisë nuk ka asnjë njoftim apo dijeni për një kontroll të tillë të BKH-së“, thuhet në njoftimin e PL.

Më 8 nëntor, kryetari i PL u mor në pyetje për mbi 2 orë nga prokurorët e SPAK për aferën CEZ-DIA që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej mbi 414 milionë eurosh.

Afera CEZ-DIA, agjentët e BKH kontroll në zyrën e Ilir

BKT bastis zyrën e Ilir Metët te selia e PL

Hetimet për CEZ-DIA e rikthyen Ilir Metën sërish në dyert e SPAK, një aferë që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro. Për mbi dy orë, prokurorët morën në pyetje ish-presidentin dhe Kreun e Partisë së Lirisë, ndërsa në dalje të SPAK, ai sulmoi denoncuesin e kësaj afere, Romeo Kara. Hetimet i cilësoi thjesht një telenovelë duke thënë për mediat se çështja është gjykuar dy herë, por është rihapur sërish nga një kallëzues i rremë (Romeo Kara).

Telenovelën CEZ-DIA. Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje. Romeo Kara punonjës i OSHEE, përdoret nga regjimi per shpifje. Në procesin e parë nuk ka përmendur emrin tim, më pas për arsyet e tij më ka përmendur“, u shpreh Meta. 

Meta tha se nuk ka asnjë akt apo vendim nga ana e tij si ministër i Ekonomisë asokohe, që e implikon në këtë aferë,

Nuk ekziston asnjë akt, asnjë shkresë, asnjë dokument, asnjë urdhër, asnjë iniciativë për ligje apo akte nënligjore dhe gjithçka tjetër nga Ilir Meta nga posti i zv/ kryeministrit apo ministrit të Ekonomisë në interes të askujt, përfshirë DIA-n dhe CEZ-in” tha Meta.

Meta shtoi se kjo dosje po përdoret politikisht nga Edi Rama për të larguar vëmendjen nga skandalet e qeverisë.

Afera CEZ/DIA

Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.

Për këtë aferë u dënua vetëm Ismailaj, i cili ka kryer dënimin, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer. Kjo dosje e nxehtë për dyshen Berisha-Meta është rikthyer në SPAK. Afera CEZ-DIA për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët, nisi të zbatohej pas finalizimit të mega aferës së shitjes së OSSH tek CEZ nga qeveria Berisha. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Negociatat rezultuan të përfshirë edhe djalin e ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

Implikimi i Metës në aferën CEZ-DIA

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara. Ndërkaq, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.

Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve. Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *