Padia në SPAK për Olsin, deputetët e PS hidhen në sulm për të mbrojtur Ramën: Hiqni fjalën Bardhit, këto janë shpifje!

Spread the love

Refuzimi i interpelancës së kërkuar nga Gazment Bardhi nga kryeministri Edi Rama për akuzat e dosjes ‘Xibraka’ ku deputeti demokrat akuzon vëllanë e kreut të qeverisë, Olsi Rama, ka shkaktuar përplasje të forta sot në Kuvend.

Pasi Lindita Nikolla i hoqi fjalën Bardhit, mënjëherë ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi i kërkoi kryeparlamentares Lindita Nikolla të merrte masa ndaj Gazment Bardhit.

Ai tha se nuk ka interpelancë me Ramën sa i takon shpifjeve.

“Nuk mund të vazhdohet kështu. Të vijojmë me rendin e ditës. Kështu nuk jemi as në pazar, as te studio e Fevziut. Nuk mund ta anashkalojmë interpelancën. E thamë dhe është e qartë. Mos i lini më hapësirën për të folur. Kërkohet interpelancë vetëm për çështje që janë veprimtari të kryeministrit dhe jo interpelancë për shpifje.”, tha ai.

Bardhi bllokoi foltoren për disa minuta duke i kërkuar shpjegime Lindita Nikollës se përse nuk e futi interpelancën në rendin e ditës. “Ju keni frikë” iu drejtua ai.

Nikolla i kërkoi që të presë vendimin e drejtësisë. “Rri prit me qetësi vendimin e organeve të drejtësisë. Të lutem, do ta marrësh drejtësinë në organet e drejtësisë nëse ke shpifur apo jo. Tani na ler që të vazhdojmë. Lironi foltoren tani” tha ajo.

Kryeministri Edi Rama refuzoi të mërkurën që t’u përgjigjet pyetjeve të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, në interpelancë parlamentare, një mekanizëm që rregullorja e Kuvendit parashikon për llogaridhënien e qeverisë.

Rama u thirr në interpelancë pasi Bardhi publikoi të dhëna që sipas tij e përfshinin vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama, në hetimet e kryera për një grup kriminal për trafikun dhe përpunimin e drogës, i njohur si grupi “Xibraka”.

Bardhi denoncoi përmes dokumenteve të prokurorisë dhe të sistemit TIMS se Olsi Rama ka përdorur të njëjtën makinë me anëtarët e një grupi të trafikut të drogës në vitin 2014 dhe kërkoi nga SPAK rihapjen e hetimeve.

Por, një kërkesë e tij në Kuvend për një interpelancë urgjente me kryeministrin mbi çështjen u rrëzua nga mazhoranca, pasi vetë Rama në një postim në platformën X e cilësoi kërkesën jo në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Sipas tij interpelancat bëhen vetëm për “aspekte të rëndësishme” të punës së kryeministrit dhe ministrave.

“Kështu që nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën time të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, po as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë…”  shkroi Rama, duke i cilësuar akuzat “të rreme”.

Sipas Ramës, pyetjet e ngritura buronin nga “hipoteza haluçinante”.

Në kërkesën për interpelancë, opozita kërkonte përgjigje nëse kryeministri kishte informacione për afërsinë e vëllait të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *