Ilir Meta sërish me mesazh të koduar për kandidatin për kryeministër: Na duhet një person atdhetar!

Spread the love

Teksa PD zihet se kush e ka vulën dhe Berisha është i izoluar, Meta është vënë në lëvizje për të organizuar partinë për zgjedhjet që vijnë…

Ilir Meta vijon të dërgojë mesazhe sa i takon kandidatit të opozitës për kryeministër. Dy ditë më parë ai bëri deklaratë të fortë, kur tha se opozita duhet të dalë me një kandidat të gjithëpranuar brenda dhe jashtë vendit. Pra Meta rrëzoi mundësinë që Berisha të jetë kandidat për të drejtuar qeverinë në zgjedhjet e 2025.

Sot Meta e ritheksoi një gjë të tillë dhe këtë herë nga Korça. Teksa PD zihet se kush e ka vulën dhe Berisha është i izoluar, Meta është vënë në lëvizje për të organizuar partinë për zgjedhjet që vijnë. Dhe ai sërish e ndali theksin  te modeli se si duhet të jetë kryeministri që vjen.

Unë mendoj se në çdo rast, Shqipëria do të ketë një kryeministër shumë më të përgjegjshëm dhe atdhetar, dhe absolutisht që është detyra e çdo qytetari të kontribuuojë për një qeverisje e cila pranon llogaridhënien dhe e cila i jep fund bullizimit të qytetarëve të saj dhe njëkohësisht shpopullimit dramatik të vendit”, tha kreu i PL.

Të enjten Meta mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, ku e bëri të qartë se nuk pajtohet me mënyrën se si po vepron opozita. Po ashtu tha se nuk pranon që kryeministër të jetë Berisha nëse opozita fiton zgjedhjet. Ai ka lënë të nënkuptohet se ai është “non grata” dhe jo i gjithëpranuar nga të gjithë.

Partia e Lirisë është e gatshme të kontribuojë në konsolidimin e gjithë forcave opozitare, në një organizim konsensual dhe solid, për të përgatitur dhe paraqitur përpara shqiptarëve ofertën politike që do t’u ktheje atyre sovranitetin e zgjedhjes, do t’u kthejë qeverisjen e përkujdesur e llogaridhënëse, të kthejë të larguarit dhe të shpejtojë integrimin në Europë, duke fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia e Lirisë është e vendosur, që në funksion të këtij qëllimi të mirëpresë çdo kontribut nga brenda dhe jashtë politikës që do t’i shërbejë një konsensusi, pjesëmarrje e përfaqësimi sa më të gjerë të forcave opozitare, duke filluar që nga votuesi i thjeshtë dhe deri në nivelin më të lartë të drejtimit të opozitës, nëpërmjet zgjedhjes së një kandidati për Kryeministër, që do të gëzonte një mbështetje sa më të gjerë politike dhe shoqërore”, tha Meta.

Dhe mesazhi thumbues u dha në fund: “Politika ekziston jo për t’u shërbyer liderëve apo interesave të tyre por si shërbim për qytetarët, si mundësi për t’i bërë ata më të mirëqenë, për ta bërë vendin të qëndrojë me dinjitet krah fqinjëve, partnerëve dhe aleatëve”. 

Meta u kujdes të tregojë se një kandidat për kryeministër duhet të ketë mbështetje ndërkombëtare, gjë që Berisha nuk e ka. Pra duket sikur Meta po rreshtohet krah disa deputetëve brenda PD që nuk e duan Berishën dhe po jep sinjale se në vitin 2025 do të kemi një luftë të ashpër brenda opozitës. Nëse gjykata nuk flet dhe vula i mbetet Bashës, Berisha do jetë në dorë të Metës dhe sinjalet e konfliktit janë dhënë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *