E mërkurë e zezë për Bajernin, kampionët e Gjermanisë shokohen nga Lacio dhe “skuqen” në ‘Olimpico’; PSG hipotekon kualifikimin

Spread the love

Përfundojnë 2 ndeshjet e raundit të parë të 1/16 të Champions League. E mërkurë e zezë për Bajernin e Mynihut. Lacio ka bërë surprizën teksa ka mposhtur në “Olimpico” kampionët e Gjermanisë me rezultatin e ngushtë 1-0. Çiro Imobile ishte heroi i bardhekaltërve me golin e realizuar në minutën e 69 nga pika e bardhë e penalltisë.

Elseid Hysaj la fushën e lojës në minutën e 60, duke i shqetësuar të gjithë në kampin vendas. 

Sikur të mos mjaftonte kjo disaftë, skuadra e drejtuar nga Tomas Tuhel e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë.  Një ndërhyrje e gabuar nga Dazhot Upamekano, në dëm të anësorit danez, Gustav Isaksen, nuk mbeti pa u parë nga arbitri kryesor i sfidës, i cili ndëshkoi francezin me kartonin e kuq.

Tashmë, Bajernit do t’i duhet një përmbysje në “Allians Stadium” në ndeshjen e kthimit për të prerë biletën për në raundin tjetër të Champions League.

45 minutat folën “gjermanisht” në Romë, me djemtë e teknikut, Tomas Tuhel, që sulmuan goxha portën e Provedel, me Kejn, Sane dhe Musiala. Shqetësues për gjermanët ishte Xhoshua Kimish, me “shkatërruesin” e mesfushës, i cili me përfundimin e pjesës së parë u shtri në fushë. Ndërsa, në krahun tjetër, “Shqiponjat” e Lacios u mbrojtën mirë, teksa po tregonin performancë dinjitoze ndaj kampionëve në fuqi të Bundesligës.

Në ndeshjen tjetër, PSG ka bërë detyrën në shtëpi përballë Real Sociedadit, duke vendosur njërën këmbë në turin tjetër të Champions League. Djemtë e Luis Enrikes triumfuan me rezultatin e pastër 2-0 skuadër baske.

Kilian Mbape zhbllokoi ndeshjen në minutën e 58. Sulmuesi francez, i pamarkuar mirë në zonën e spanjollëve, kap në kohë një top të devijuar nga braziliani Markinjos dhe me një goditje potente dërgoi topin në rrjetën e Remiro.

Goli i qetësisë për kampionët e Francës erdhi nga Barkola në minutën e 71.

Në 45 minutat e para të këtij takimi, skuadrat luajtën “ping-pong” e më shumë “luftë” u bë në repartin e mesfushës, ku fitimtarë dolën “Baskët”, të cilët patën jo pak raste për të ndëshkuar “parisienët”. Portieri Donaruma bëri një paraqitje pozitive.

Në radhët e “gjigantëve” të PSG rastet e vetëm të rrezikshme erdhën nga Kilian Mbape e Osman Dembele, me këtë të fundit, që pati rastin më të rrezikshëm, por goditja e tij thjesht sa kaloi ngjitur me shtyllën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *