Dënimi i Fredi Belerit, Mitsotakis tërheq kërcënimet ndaj Shqipërisë: Kjo çështje do të zgjidhet!

Spread the love

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për herë të parë pas dënimit me 2 vite burg të Fredi Belerit.

Mitsotakis thotë se trajtimi i Tiranës për rastin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë.

Në një intervistë për Ski TV, Mitsotakis komentoi dënimin me dy vite burg të Belerit, duke theksuar se do të presin edhe vendimin e shkallës tjetër të gjykatës.

“Ne kemi shprehur rezervat tona të forta për faktin se ai nuk u lejua të betohet gjatë kohës që ishte në paraburgim dhe nëse ishte një proces i drejtë.

Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që nuk ka asnjë vendim përfundimtar, por një vendim të shkallës së parë.”, tha Mitsotakis, duke konfirmuar në thelb ngërçin që ka lindur mes Athinës dhe Tiranës pas vendimit të shkallës së parë për dënimin e Belerit javën e kaluar.

Komentet e tij u bënë jehonë kushteve të vendosura nga Greqia në mënyrë që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE të vazhdojnë pa probleme – domethënë që Beleri të lejohet të betohet pavarësisht nga rezultati i gjyqit dhe të respektohet prezumimi i tij i pafajësisë.

“Mënyra se si Shqipëria e ka trajtuar këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë dhe kjo nuk është diçka që ne duam”, shtoi Mitsotakis, duke nënvizuar se ai ende shpreson se “kjo çështje do të zgjidhet”.

Mitsotakis në thelb la të kuptohet se Athina pret një gjest vullneti të mirë nga pala shqiptare edhe në shkallën e dytë, pasi gjykata antikorrupsion do të duhet të vendosë për apelimin e vendimit të shkallës së parë nga Beleri.

Ndërkohë gazeta greke Kathimerini i komenton deklaratat e Mitsotakis si tone të buta.

“Kjo, për shkak të taktikave agresive të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili pak ditë më parë denoncoi tentativat e pretenduara nga jashtë për të ndikuar në drejtësinë shqiptare”, shkruan gazeta greke Kathemerini.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.

Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë. Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *